7 perditesime
19:33

Ministria e Jashtme izraelite mirëpret hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem

Hapja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem është mirëpritur nga Ministria e Punëve të Jashtme të Izraelit.

“MPJ e Izraelit mirëpret ngrohtësisht hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem sot, një zhvillim të natyrshëm të marrëdhënieve dhe realizimin e marrëveshjes së Uashingtonit”, thuhet në postimin e kësaj ministrie në Twitter.

Hapja e ambasadës kosovare në Jerusalem vjen pasi shtetit izraelit njohu pavarësinë e Kosovës.

Ambasadat e tyre në Jerusalem i kanë hapur edhe SHBA dhe Guatemala. Të enjten, Republika Çeke hapi një zyrë diplomatike në Jerusalem, një konsullatë e ambasadës së saj në Tel Aviv.

 

14:42

Demiri: Nder i madh ta hap Ambasadën në Jerusalem dhe t’i shërbej shtetit tim në Izrael

E ngarkuara me punë në Izrael, Ines Demiri, ka postuar foto në Twitter foto të Ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

“Një moment krenar dhe historik për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Izraelit. Republika e Kosovës sot zyrtarisht e ka hapur Ambasadën në Jerusalem. Nderi më i madh i jetës sime që kam këtë mundësi ta hapi Ambasadën dhe t’i shërbejë me krenari shtetit tim në Izrael”, ka shkruar Demiri në Twitter.

Sot MPJD-ja ka njoftuar se zyrtarisht është hapur Ambasada e Kosovës në Jerusalem.

14:10

Haradinaj-Stublla mohon se pandemia është arsyeja për mospjesëmarrjen në inaugurimin e Ambasadës

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Meliza Haradinaj-Stublla, ka përgënjestruar ministrin në detyrë të MPJD-së, Besnik Tahirin, se shkaku i pandemisë nuk ka qenë e mundur pjesëmarrja në inaugurimin e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

“Është gënjeshtër e pastër deklarata e dhënë sot nga salla e konferencave në MPJD se kinse për shkak të pandemisë nuk paska qenë e mundur pjesëmarrja në inaugurim. E vërteta është që nuk kanë pasur guxim e as vizion për ta formalizuar këtë akt historik, e as për të punuar jashtë konturave personale/politike për interes afatgjatë shtetëror”, ka shkruar Haradinaj-Stublla në Facebook.

Tahiri në konferencë kishte thënë se ishte paraparë që Haradinaj-Stublla të ishte në Izrael më 15 mars, por ndryshuan rrethanat pas dorëheqjes që dha ajo nga posti e po ashtu edhe nga AAK-ja pas pretendimeve ndaj saj se ka manipuluar me vota.

13:44

Tahiri: Shkaku i pandemisë nuk kemi mundur të jemi në Jerusalem në hapjen e Ambasadës

Marigona Brahimi

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Besnik Tahiri, ka thënë se për shkaqe të pandemisë nuk kanë mundur të jenë në Jerusalem në përurimin e Ambasadës së Kosovës në Izrael.

Ai ka thënë se ishte paraparë vizita e ish-ministres Meliza Haradinaj-Stublla më 15 mars në Jerusalem, por ajo dha dorëheqje nga posti dhe nga AAK-ja, për shkak të pretendimeve që u ngritën për manipulim me vota.

“Njohja ndaj Izraelit ka qenë ndër njohjet më të rëndësishme që kanë ardhur përgjatë gjitha njohjeve. Nuk ka qenë proces i lehtë dhe si i tillë ka forcuar lidhjen tonë me Izraelin dhe subjektivitetin e shtetit tonë në rrafshin ndërkombëtar. Më 4 shtator ishte nënshkruar Marrëveshja në Shtëpinë e Bardhë. Qeveria e Kosovës është zotuar që të veprojë komfor Marrëveshjes. Gjatë kësaj kohe kemi punuar shumë që më 1 shkurt të nënshkruhet në një ceremoni solemne marrëveshja për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Më 10 shkurt është njoftuar zyrtarisht përmes një note verbale, MPJ-ja e Izraelit për lokacionin e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem. Po në shkurt kemi emëruar të ngarkuarën me punë znj. Ines Demiri. Më datën 15 mars ishte paparaparë edhe vizita e ish-ministres Haradinaj-Stublla, për inaugurim, e cila për arsyet që dihen nuk mund të jetë atje. Për shkak të pandemisë ne vet nuk kemi mundur të jemi atje”, ka thënë Tahiri në konferencë për media. Kam autorizuar znj. Demiri të vazhdojë me planin e paraparë. Që sot zyrtarisht të hapet Ambasada në Jerusalem e të vazhdon angazhimin e saj diplomatik në forcimin e marrëdhënieve mes dy shteteve e po ashtu në përfaqësimin e shtetit tonë”.

Tahiri ka shtuar se nuk beson që me ardhjen e Qeverisë Kurti do të ndryshohet vendimi për Ambasadën e Kosovës në Jerusalem.

“Ajo çfarë dua të them në raport edhe me z. Kurti e edhe me këtë temë, është se shtetet nuk ndryshojnë qëndrimet në bazë të ndërrimit të qeverive e administratave. Është vendim shtetëror që besoj se do të respektohet edhe nga Qeveria e ardhshme. Kemi shembull të mirë kur presidenti Donald Trump e barti Ambasadën e SHBA-së për në Jerusalem dhe presidenti i ri Joe Biden e konfirmoi prezencën e Ambasadës së SHBA-së në Jerusalem. Shtetet nuk i ndryshojnë vendimet e tyre. Është zotim i shtetit të Kosovës në Shtëpinë e Bardhë. Është një marrëdhënie diplomatike e nënshkruar në formë solemne nga ministrja Haradinaj-Stublla dhe ministri i Jashtëm i Izraelit, në prezencë të gjitha institucioneve e liderëve të Kosovës, prezent ishte edhe ambasadori amerikan. Nuk besoj personalisht se Z. Kurti do ta shqyrtojë këtë temë, pasi nuk është temë e qeverive, por zotim i shtetit të Kosovës në Shtëpinë e Bardhë. Zotim që po jetësohet sot”, ka thënë Tahiri.

13:32

Hoti: Hapja e ambasadës në Jerusalem veprim i qëlluar

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka thënë se hapja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem është veprim i qëlluar dhe i rëndësishëm.

Sot, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka njoftuar se është hapur zyrtarisht Ambasada e Kosovës në Jerusalem, që ishte si pjesë e Marrëveshjes së Washingtonit.

Hoti sa i përket procesit të zgjedhjes së kryetarit të ri të LDK-së, ka thënë se është duke shkuar në mënyrë perfekte./EO

12:18

Hoxhaj me kritika pasi asnjë zyrtar qeveritar nuk ishte në hapjen e Ambasadës në Jerusalem

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka kritikuar qeverinë në detyrë e po ashtu qeverinë në ardhje, duke thënë se nuk pat guxim e vendosmëri për të shënuar hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

Sot MPJD-ja ka njoftuar se ka hapur zyrtarisht Ambasadën e Kosovës në Jerusalem, ndërsa ka thënë se shkaku i pandemisë nuk ka qenë e mundur prania në hapjen e ambasadës.

“Një qeveri në shkuarje dhe një qeveri në ardhje nuk patën guxim, as vendosmëri dhe përvojë për të shënuar hapjen e Ambasadës së Kosovës në Izrael duke i lënë një shije të hidhur të gjithë procesit të njohjes ndërmjet dy vendeve tona. Për disa javë, autoritetet e larta të Shtetit të Izraelit kanë pritur zyrtarisht koalicionin qeverisës dhe koalicionin fitues të zgjedhjeve për ta hapur ambasadën në Jerusalem, por askush nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen. Asnjëri nga zyrtarët e këtyre dy koalicioneve, nuk është përgjigjur në letrat dhe thirrjet telefonike lidhur me këtë proces. Përkundrazi, të frikësuar, në panik dhe të papërgjegjshëm i kanë ikur pjesëmarrjes për një njohje shumë të rëndësishme të Kosovës. Kanë braktisur rolin e tyre kushtetues dhe politik që u takon për t’i përfaqësuar dhe mbrojtur interesat e shtetit tonë. Dykuptimësia e dobëson Kosovën, kurse qartësia strategjike e rrit kredibilitetin e saj ndërkombëtar. Duke besuar se të tilla situata nuk do të përsëriten në të ardhmen, falënderoj SHBA-të dhe Izraelin për njohjen dhe fillimin e një kapitulli të ri ndërmjet shteteve, popujve dhe ekonomive tona”, ka shkruar Hoxhaj.

12:13

Haradinaj-Stublla me kritika pas hapjes së Ambasadës në Jerusalem: Shpifësit ma pamundësuan pjesëmarrjen

Ish-ministrja e Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Meliza Haradinaj-Stublla, ka drejtuar kritika të mëdha pas hapjes së Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, duke thënë se “shpifësit ma pamundësuan pjesëmarrjen”.

Këto kritika ajo ia drejtoi disa prej ish-bashkëpartiakëve të saj brenda AAK-së, pas skandalit me manipulimin e votave të 14 shkurtit.

“Edhepse shpifësit ma pamundësuan kurorëzimin e kësaj pune me praninë time të planifikuar sot në Jerusalem, jam shumë e lumtur që përkundër pengesave të mëdha brenda e jashtë, kjo arritje u përmbyll - duke hapë horizont të ri për Kosovën tonë”, shkroi Haradinaj-Stublla.

Haradinaj-Stublla përmes një statusi në Facebook ndër të tjera bëri thirrje që “Kosova sa më shpejt të dërgojë diplomatë të karrierës dhe atashe të mbrojtjes e policor në Jerusalem, deri në dekretimin e ambasadorit/es fuqiplotë”, ndërsa shtoi se u shpërblye edhe puna e mirë që e ka bërë MPJD-ja në kohën e saj. 

Ajo shtoi se Izraeli shumë shpejtë pritet t’i kthejë përgjigje Kosovës edhe për vaksinat e kërkuara anti-COVID nga vet Haradinaj-Stublla.

“Shumë shpejtë, shteti i Izraelit do t’i kthejë përgjigje Kosovës edhe për vaksinat që i kam kërkuar nga ministri Ashkenazi në takimin bilateral që i ka paraprirë nënshkrimit formal të marrëdhënieve diplomatike me 1 shkurt 2021”, thuhet në reagimin e Haradinaj-Stubllës.

Meliza Haradinaj-Stublla drejtoi Ministrine e Jashtme dhe Diasporës për gati një vit në qeverinë Hoti, por dha dorëheqje ditëve të fundit pas skandalit të manipulimeve me vota brenda AAK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit.

10:50

Është hapur zyrtarisht Ambasada e Kosovës në Jerusalem

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se është hapur edhe zyrtarisht Ambasada e Kosovës në Izraeli me seli në Jerusalem, bazuar në Marrëveshjen e Washingtonit të 4 shtatorit.

MPJD-ja ka njoftuar se gjatë vendosjes së marrëdhënieve diplomatike më 1 shkurt të vitit 2021, ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi, kishte bërë zbulimin e pllakës së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Jerusalem.

“Në pamundësi për të qenë prezentë në Jerusalem përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, për shkak të situatës pandemike, Ministria e Punëve të Jashtme ka udhëzuar të ngarkuarën me punë në Izrael që pllakën e zbuluar nga ministri Ashkenazi, bashkë me flamurin shtetëror, ta vendosë në objektin e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem. Vendosja e pllakës dhe flamurit shtetëror në Ambasadën e Kosovës në Izrael reflekton përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të përmbushur zotimin e dhënë për vendosjen e misionit diplomatik në Jerusalem. Ambasada e Republikës së Kosovës në Jerusalem do të përkushtohet fuqimisht për të rritur bashkëpunimin bilateral dhe për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës”, thuhet nga MPJD-ja.

Ndaj vendimit për hapjen e Ambasadës në Jerusalem kishte pasur ankesa nga Liga Arabe e po ashtu edhe nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. Madje edhe nga BE-ja kishte reagime. 

Bazuar në Marrëveshjen e Washingtonit, Izraeli ka njohur shtetësinë e Kosovës e si këmbim Kosova ka pranuar hapjen e Ambasadës në Jerusalem. Është shteti i parë me shumicë myslimane që ka hapur Ambasën në Jerusalem. 

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Besnik Tahiri, do të mbajë sot nga ora 13:30, konferencë për media me rastin e hapjes së Ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

Image