B.M., emër i njohur për redaksinë, dyshohet se u ka dhënë ryshfet tre zyrtarëve të KPK-së, në mënyrë që ata të ndikonin tek gjyqtarët e Supremes që t’i ulej dënimi. Ky person është i njohur për drejtësinë. Është dënuar 5 herë me vendim të formës së prerë. Siç ka mësuar KOHA, me veturë të Këshillit Prokurorial të Kosovës dy zyrtarët e këtij institucioni kishin ndihmuar arratisjen e të dënuarve për vrasje në tentativë, pa e specifikuar për kë bëhet fjalë
Së paku gjashtë herë ka pasur problem me ligjin B. M., i cili, sipas pretendimeve të Prokurorisë Themelore, i ka dhënë ryshfet drejtorit të sekretariatit të Këshillit Prokurorial, Lavdim Krasniqi, që të ndikojë në Gjykatën Supreme që t’i ulej dënimi me kohëzgjatje rreth 3 vjet e gjysmë.
“B.M., duke filluar nga viti 2018 e deri më datën 29.9.2020, në lokalin ‘Sole’, në lagjen “Dardania”, në Prishtinë, dhe në disa vende të tjera, në vazhdimësi u ka dhënë para dhe dhurata të paarsyeshme personave zyrtarë, të pandehurve Ardian Krasniqi, Marigona Berisha dhe Lavdim Krasniqi, me qëllim që të mos realizohej ekzekutimi i dënimit ndaj tij”, thuhet në dokumentet e hetuesisë.
Drejtori i suspenduar i Sekretariatit, Lavdim Krasniqi, sipas dosjes, dyshohet që për të ndikuar te Gjykata Supreme, që personit të lartcekur t’i ulej dënimi, ka pranuar shumën e parave prej 40 mijë eurove dhe një veturë të tipit ‘Tiroc’, në vlerën e 25 mijë eurove, të cilën e ka vozitur e pandehura Marigona Berisha.
B.M. ishte dënuar në vitin 2019 me vendim të formës së prerë dhe i ishte shqiptuar dënimi prej 3 vjet e 7 muaj, por që pas ankimimit në Supreme, një pikë e ankesës ishte miratuar dhe ishte kthyer në rivendosje, e pjesa tjetër e dënimit kishte marrë vendim të formës së prerë.
Ky i dënuar në këtë periudhë do të duhej që të fillonte vuajtjen e dënimit.
Në dosje nuk jepen detaje nëse bëhet fjalë për të njëjtin të dënuar, por përmendet se Lavdim Krasniqi e Ardian Krasniqi kanë ndihmuar arratisjen e dy të dënuarve për vrasje në tentativë.
“Po ashtu ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Lavdim Krasniqi u ka dhënë ndihmë kryerësve të veprës penale ‘vrasje e rëndë në tentativë’, në mënyrë që në muajin shtator 2020, përmes shoferit të tij, Ardian Krasniqi, ia ka mundësuar që të arratiset nga territori i Kosovës për në Shqipëri me veturë zyrtare të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës”, thuhet në këto dokumente.
KOHA ka kërkuar nga gjykata qasje në historinë kriminale të të dënuarit, me të cilin kanë bashkëpunuar zyrtarët e KPK-së.
Në përgjigjen e Gjykatës Themelore në Prishtinë janë përmendur pesë raste për të cilat B.M. ka aktgjykim dënues të formës së prerë.
Një aktgjykim dënues për të është marrë në vitin 2014, por dënimi ishte me gjobë.
“Duke iu referuar kërkesës suaj për informacione, ju njoftojmë si në vijim me rastet, ku personi B.M. ka qenë i dënuar sipas aktgjykimeve të plotfuqishme P.nr. 1220/2011 - vepra penale nga neni 153/1 KPK-së, B.M. është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me gjobë në vlerë prej 200 eurosh nga Gjykata Themelore në Prishtinë - Dega në Podujevë, lënda është bërë e formës së prerë më 10.3.2014”, thuhet në këtë përgjigje.
Një tjetër dënim me gjobë kundër tij është shqiptuar në vitin 2007.
“PKR.nr.775/2005 – vepra penale nga neni 328/2 KPPK-së, B.M. është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me gjobë në vlerë prej 400 eurosh nga Gjykata Themelore në Prishtinë, lënda është bërë e formës së prerë më datë 16.10.2007”, thuhet në të dhënat e Gjykatës Themelore.
Dënimi i tretë ndaj tij është marrë në vitin 2015.
“P.nr.530/2013 – vepra penale nga neni 185/1,3 KPRK-së, B.M. është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me gjobë në vlerë prej 250 eurosh nga Gjykata Themelore në Prishtinë - Dega në Podujevë, lënda është bërë e formës së prerë më datë 1.9.2015”, sqarohet në përgjigje.
Për herë të parë ai ishte dënuar në vitin 2004.
“P.nr.224/2003 – vepra penale nga neni 39 Ligji Penal i Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (LPKSAK) të vitit 1977, B.M. është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 muajsh nga Gjykata Themelore në Prishtinë - Dega në Podujevë, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në rast se i pandehuri nuk kryen vepër tjetër penale në periudhën prej një viti, lënda është bërë e formës së prerë më datë 16.1.2004”, është thënë nga Zyra për Media e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
E në prillin e vitit 2019 është dënuar për rastin, ku dyshohet që ka dhënë ryshfet te zyrtarët e KPK-së për t’i ikur burgut.
”PKR.nr.712/2015 – vepra penale nga nenet 178,188, 333 të KPRK-së, B.M. është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej 3 vjet e 7 muaj, si dhe dënim me gjobë 2.000 euro nga Gjykata Themelore në Prishtinë, lënda është bërë e formës së prerë më datë 5.4.2019”, është sqaruar nga gjykata.
Ky i akuzuar tash është në vuajtje të dënimit. Por edhe pasi është dërguar në burg, ai dyshohet se ka kryer edhe një tjetër vepër penale. Siç ka mësuar KOHA, në janarin e këtij viti ai e ka sulmuar drejtorin për Siguri dhe Operativë të Drejtorisë Qendrore të SHKK-së, Ilir Kelmendi.
Kelmendi në një përgjigje për KOHËN ka thënë se rasti është denoncuar dhe tani është çështje e prokurorisë se si e procedon.
“Rasti është iniciuar në prokurori. Është në proces”, ka thënë ai.
Prokuroria Themelore në Prishtinë i ka arrestuar javën e kaluar zyrtarët: Lavdim Krasniqi, Ardian Krasniqi e Marigona Berisha. Përderisa Berisha është dërguar në arrest shtëpiak, dy të arrestuarit e tjerë po mbahen në paraburgim.