1 perditesime
23:42

Profesor Zejnullah Gruda kujtohet si dijetar i nivelit botëror

Si njeri i urtë e i mençur, që me fjalën e tij edukoi për dekada të tëra brezat e shqiptarëve në Kosovë dhe ish-Jugosllavi, është kujtuar profesor Zejnullah Gruda prej kolegëve të tij. “Lavdi veprës së profesorit Zejnuall Gruda, madhështia e së cilës prek qiejt e tokës, ku shpirti i tij prehet përgjithmonë, në panteonin e dijetarëve të botës”, ka thënë profesori Enver Hasani. Dekani i Fakultetit Juridik, Avni Puka, ka thënë se Gruda do të kujtohet si model shembullor i studiuesit të pasionuar

Shaban Maxharraj

Prishtinë, 9 mars – Intelektual i nivelit të panteonit të dijetarëve të botës, profesor, diplomat, kontribuues i shtetndërtimit e njeri që gjithnjë dilte në mbrojtje të të drejtave të vendit të tij, është vlerësuar Zejnullah Gruda tri ditë pas vdekjes. Studentë e kolegë të Grudës të martën janë mbledhur në Amfiteatrin e Madh të Fakultetit Juridik, për ta kujtuar profesorin e së drejtës ndërkombëtare që vdiq të dielën në moshën 84-vjeçare.

Fillimisht student e më pas edhe koleg i tij, Enver Hasani në komemoracion ka thënë se Gruda ishte njeri i urtë e i mençur, që me fjalën e tij edukoi për dekada të tëra brezat e shqiptarëve në Kosovë dhe ish-Jugosllavi.

Hasani i cili, sikurse Gruda dikur, ligjëron të drejtën ndërkombëtare, ka thënë se kolegu i tij do të kujtohet për ligjërimet në sallat e Juridikut, në gjuhën shqipe, duke bërë krenar të gjithë kundrejt fqinjëve serbë që kishin pasur privilegjin e mësimit në gjuhën e tyre, sepse jetonin në shtetin që e dinin si të vetin.

“Ne na dukej krenari mësimi në gjuhën tonë, diçka që do të duhej të ishte krejt e natyrshme; na dukej krenari të dëgjonim për çështjet ndërkombëtare në gjuhën shqipe, sepse ishte vendi i vetëm ku mund të mësonim për të drejtën dhe marrëdhëniet ndërkombëtarë të kohës së Luftës së Ftohtë”, ka thënë ai në Amfiteatrin ku Gruda kaloi pjesën më të madhe të tij duke ligjëruar. Ka treguar se ai së bashku me të tjerët, që patën nderin të punonin me Grudën, do ta kujtojnë përplasjen e zëshme të profesorit me serbët hegjemonë, duke ua rrahur tavolinën e sallës së arsimtarëve “që sot është e njëjtë, për t’u treguar fqinjëve tanë që na u sulën dhunshëm pas ardhjes në pushtet të Milosheviqit, se ne ishim në shtëpinë tonë”.

Sipas Hasanit, në sistemin paralel gjatë viteve ‘90, Gruda me zell e përkushtim punoi në Këshillin e Kosovës për të Drejtat e Njeriut, zëdhënësit të rrallë të viktimizimit të shqiptarëve në Kosovë, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në përgatitjen e dosjeve për Hagë kundër regjimit të diktatorit serb, Milosheviq, dhe klikës së tij fashiste.

“Do ta shohim për një dekadë profesor Grudën nëpër sallonet e Evropës duke ngritur zërin kundër dhunës dhe represionit serb, bashkë me avokatin Bajram Kelmendi, profesorin Pajazit Nushi dhe shumë e shumë të tjerë që sot nuk janë në mesin tonë”, ka thënë Hasani. Ka kujtuar se pas çlirimit të Kosovës, Gruda do t’i kthehej Katedrës, si në kohët e vjetra, me plot zell e gëzim. I kishte këshilluar të tjerët se duhet lënë edhe të tjerët të jetojnë në Kosovë dhe, sipas Hasanit, kishte pasur shumë të drejtë.

“Lavdi veprës së profesorit Zejnuall Gruda, madhështia e së cilës prek qiejt e tokës, ku shpirti i tij prehet përgjithmonë, në panteonin e dijetarëve të botës”, ka thënë ai. Ka përmendur edhe kontributin e Grudës për demarkacionin me Malin e Zi.

Ishte bërë shumë i zëshëm në vitet 2015 dhe 2016, kur vlonte debati për përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Për këtë kishte botuar një seri tekstesh në Shtojcën për kulturë të “Kohës Ditore”. E në tetor të vitit 2016 nëpërmjet Botimeve KOHA kishte nxjerrë librin “Kufiri në dëm të shqiptarëve”.

Dekani i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Avni Puka, ka thënë se nga viti 1969, derisa është pensionuar, me përjashtim në vitet sa ka qëndruar në botën e jashtme, Gruda ka ligjëruar lëndët “E drejta ndërkombëtare publike”, “E drejta diplomatike”, “Mbrojtja ndërkombëtare e të drejtave të njeriut” dhe “E drejta e mjedisit”. Në fjalën e tij të shkurtër, Puka ka thënë se mbi 12 vjet, Gruda kishte shërbyer në detyra publike, ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë në Republikën e Panamasë në vitet 1975-1978, anëtar i Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të Kosovës dhe sekretar për marrëdhënie me botën e jashtme, sekretar i përgjithshëm i Kryqit të Kuq të ish-Jugosllavisë. Ai ka thënë se Gruda si një nga profesorët e parë dhe intelektualët e shquar shqiptarë në ish-jugosllavi do të kujtohet si model shembullor i studiuesit të pasionuar.

“Ishte një nga profesorët e parë dhe intelektualët e shquar shqiptarë në ish-Jugosllavi. Do të kujtohet si model shembullor i studiuesit të pasionuar”, ka thënë ai.

17:15

Kolegët kujtojnë profesorin Zejnullah Gruda

Të mbledhur në Amfiteatrin e madh të Fakultetit Juridik, kolegët kanë kujtuar profesorin e së drejtës ndërkombëtare, Zejnullah Gruda. Profesori Enver Hasani dhe dekani Avni Puka, tri ditë pas vdekjes, e kanë vlerësuar Grudën si intelektual të përmasave botërore.

Dekani i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Avni Puka, ka thënë se nga viti 1969 deri sa është pensionuar me përjashtim në vitet sa ka qëndruar në botën e jashtme, Gruda ka ligjëruar lëndët “E drejta ndërkombëtare publike”, “E drejta diplomatike”, “Mbrojtja ndërkombëtare e të drejtave të njeriut” dhe “E drejta e mjedisit”.

Në fjalën e tij të shkurtër, Puka ka thënë se mbi 12 vjet, Gruda kishte shërbyer në detyra publike, ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë në Republikën e Panamasë në vitet 1975-1978, anëtar i këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të Kosovës dhe sekretar për marrëdhënie me botën e jashtme, sekretar i përgjithshëm i Kryqit të kuq të Ish-Jugosllavisë.

Ai ka thënë se Gruda si një nga profesorët e parë dhe intelektualët e shquar shqiptar në ish-jugosllavi do të kujtohet si model shembullor i studiuesit të pasionuar.

“Ishte një nga profesorët e parë dhe intelektualët e shquar shqiptar në ish-jugosllavi. Do të kujtohet si model shembullor i studiuesit të pasionuar”, ka thënë ai për profesorin që vdiq të dielën, në moshën 84-vjeçare.