Arbëri

Vdiq profesori Zejnullah Gruda

Ka vdekur profesori i Universitetit të Prishtinës, Zejnullah Gruda.Kjo është bërë e ditur nga kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri i cili i ka shprehur ngushëllime familjes Gruda.

“Prehu në paqe profesor i dashur, Zejnullah Gruda. Ishte njëri ndër profesorët pejan më të shquar dhe themelues të universitetit i cili ka dhënë kontribut të madh për botën akademike”, thuhet në njoftimin e tij.

Zejnullah Gruda kishte lindur në qytetin e Pejës në vitin 1936. Ai ishte ndër profesorët e parë të Universitetit të Prishtinës, i shkolluar në Beograd dhe Sarajevë për Jurisprudencë.

Gjatë viteve 1975-1978 kishte shërbyer si ambasador i Jugosllavisë në Panama. Gruda ka mbajtur pozitën e sekretarit të parë për marrëdhënie me botën e jashtme në kuadër të Krahinës socialiste autonome të Kosovës. 

Nga 2011 deri më 2013 kishte udhëhequr Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës.

Zejnullah Gruda kishte folur për çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, ku e kishte kundërshtuar marrëveshjen e dërguar në Kuvendin e Kosovës për votim.

“Duhet të refuzohet ratifikimi i kësaj marrëveshjeje. Jo të bëhet objekt i mashtrimit ordiner. Ata që thonë ta ratifikojmë dhe pastaj bisedojmë, llogarisin se kanë punë me disa që nuk kanë marrin vesh asgjë. Ratifikimi është pëlqimi definitiv me diçka që dikush ka nënshkruar më para”, kishte deklaruar për KTV-në më 2016.

Ai është autor i disa librave si: “E drejta ndërkombëtare publike ”, “Mbrojtja ndërkombëtare e të drejtave të njeriut” dhe “Kufijtë në dëm të shqiptarëve”.