1 perditesime
20:42

Komunitetet joserbe kërkojnë anulim votash në disa komuna

Ardit Kika

Subjektet boshnjake, rome, ashkalike e egjiptiane bashkë kanë paraqitur të premten ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Tetë subjekte të komuniteteve joserbe, ashtu si kishin paralajmëruar, janë ankuar për manipulim të vullnetit të votuesve me ndihmën e Listës Serbe.

Pasi që e dorëzoi ankesën, Erxhan Galushi, nga Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës, ka ironizuar me rezultatin e Iniciativës Rome, që vota kishte marrë edhe aty ku nuk ka romë.

“Unë shfrytëzoj rastin që t'i njoftoj nga këtu, t'i njoftoj ndoshta edhe ata dy kandidatë të Romani Inicyiativës që i kanë fituar zgjedhjet, sepse nuk e dinë ndoshta, ata fare s'janë në dijeni që i kanë fituar këto zgjedhje, sepse gjatë të gjithë këtij procesi zgjedhor vërehet që nuk kanë dalë në kampanjë apo për të njoftuar përmes mediave kush në fakt janë këta persona”, ka thënë Galushi.

Në ankesat e parashtruara thuhet se po cenohet përfaqësimi efektiv i komuniteteve joshumicë.

“Pra, Republika e Kosovës dhe të gjitha autoritetet e saj-përfshirë PZAP-në - e kanë për obligim kushtetues konform nenit 58(4) që, mes tjerash, të garantojnë pjesëmarrjen efektive të të gjitha komuniteteve në jetën publike dhe vendimmarrje”.

E Iniciativa Rome i ka hedhur poshtë pretendimet për shkelje të Kushtetutës.

“Ne i falënderojmë të gjithë votuesit që na kanë besuar dhe që na kanë përkrahur. Lidhur me ankesën që kanë bërë partitë e tjera nuk kemi shumë se çka të flasim për të, sepse ne kemi thënë që jemi Iniciativë Rome dhe si parti nuk planifikojmë shumë të merremi me ankesa dhe me budallallëk. Neve na kanë votuar edhe romë, edhe serbë, edhe shqiptarë, edhe komunitete të tjera, e jo vetëm serbë. Edhe një herë po i falënderoj të gjithë ata që na kanë besuar dhe që na votuan neve”, ka thënë Sunaj Garipi nga Iniciativa Rome.

Ndërkohë dy partitë boshnjake të akuzuara për manipulim kanë thënë se do t’i presin organet e drejtësisë.

“Është e drejtë e secilit subjekt politik që ta paraqesë shqetësimin që e ka tek institucionet relevante. Sipas meje, edhe në rastin tim nuk ka shkelje ligjore ose kushtetuese, sepse është demokraci dhe e drejtë e vetë qytetarit që në zgjedhje lokale apo parlamentare të marrë pjesë dhe të votojë sipas ndërgjegjes dhe vullnetit të vet. Çdo vendim që merret nga institucione relevante do të jetë i respektuar nga ana ime”, ka deklaruar Adrijana Hoxhiq, kryetare e UZ-AH.

“Prapë po ju them se ne nuk kemi asnjë lidhje me ato vota, se si kanë ardhur edhe ne jemi të kënaqur, nuk kemi pasur nevojë për ato vota. Kemi shumë besim të plotë në institucionet e Kosovës, besoj se organet e drejtësisë edhe Kushtetuesja do të veprojnë sipas ligjit dhe janë kompetente të marrin vendim për votat që i ka marrë edhe Vakati, edhe partitë e tjera në komunat me shumicë serbe”, ka theksuar Rasim Demiri, kryetar i Vakatit.

Subjektet kanë paralajmëruar ankesë në instanca të tjera nëse PZAP-ja nuk ua aprovon ato. Afati i këtij institucioni për shqyrtimin e ankesave është 72 orë.

10:45

Partitë e komuniteteve ankohen në PZAP, të gatshëm t’i drejtohen edhe Kushtetueses

(Ekonomia Online) - Komunitetet pakicë joserbe kanë dorëzuar ankesë në PZAP lidhur me procesin zgjedhor dhe dyshimet për keqpërdorimin e votave nga Lista Serbe duke e mbështetur “Romani Iniciativa”.

Ankesë në PZAP ka dorëzuar ish-deputetja boshnjake Duda Balje, kryetare e Unionit Socialdemokrat (SDU).

Ajo tha se presin që drejtësia do të vihet në vend, duke paralajmëruar se do të ankohen edhe në Gjykatën Supreme.

“Kemi dorëzuar ankesë në emër të komunitetit boshnjak. Po presim rezultatin, jemi shumë të sigurt se drejtësia do ta marrë rrugën e vet dhe secili do ta përfaqësojë komunitetin e vet. Ne mendojmë se kemi deputetë që nuk kanë votuar prej komuniteteve që janë dhe mendojmë se ne kemi të drejtë. Jemi gati të shkojmë deri në Gjykatën Kushtetuese”, tha ajo.

Veton Berisha i Partisë Liberale Egjiptiane, ka thënë se kanë fakte të mëdha që votat janë manipuluar nga Lista Serbe.

“Kemi arritë ta dorezwzojmw ankesën tonë të komuniteteve RAE. Pretendojmë se gjatë zgjedhjeve ka pasë orkestrim të votave dhe po ankimojmë Iniciativën Rome që është iniciativë që ka marrë vota nga vendbanime dhe banorë serbë. Dy të zgjedhurit nga Iniciativa Rome nuk janë të zgjedhur rom por të zgjedhur nga komuniteti serb”.

Ish-deputeti Fitim Draka, tha se komunitetet joserbe janë të dëmtuara nga ky proces zgjedhor nga manipulimi i votave.

“Ne sot ushtruam obligimin tonë dhe të drejtën tonë kushtetuese që të ankohemi, sepse kemi konstatuar të gjitha subjektet politike që jemi të dëmtuar në këtë proces sepse është shkelur vota e qytetarit. Besojmë që kjo kërkesë e jona nuk do has në vesh të shurdhër dhe drejtësia do bie në vend”, tha ai.