Kryetari i Asociacionit të Komunave, Sazan Ibrahimi, ka folur në Express Intervistë për konkludimet e arritura të enjten nga Komiteti për vlerësimin dhe koordinimin e situatës epidemiologjike me COVID-19.
Ai tha se në takimin e Komitetit u konstatua se “ka ngritje të lehtë të numrit të të infektuarve” dhe se masat aktuale që janë në fuqi kundër përhapjes së koronavirusit, do të vazhdojnë të funksionojnë.
Tha se kryetarët e komunave kanë konstatuar se projektet kapitale që kanë në plan do të kenë ndikim që të ndalohet përhapja e virusit. Ibrahimi shtoi se kanë kërkuar që ketë bashkëpunim më të mirë dhe koordinim mes komunave për masat.
“Në takim është konstatuar se ka pasë pak neglizhim të masave gjatë kohës së fundit, sidomos gjatë fushatës dhe kemi trup koordinues të nivelit qendror e lokal, të përkrahur nga policia dhe është kërkuar që ky trup të rifunksionalizohet dhe të ketë koordinim më të mirë të trupave inspektues në nivel qendror e lokal që të ketë zbatim më të mirë të masave”, tha ai duke shtuar që ata që i përsërisin gabimet në moszbatim të masave t’u shqiptohet masa më të rrepta.
Ibrahimi u shpreh tutje se në takim është konkluduar se trupat inspektues përbëhet nga tri palë dhe nëse një nga to nuk i zbaton urdhrat që jepen lidhur me COVID-19, tjetra palë do ta ndëshkojë.
“Kemi konkluduar që trupat inspektuat të përbëhen nga niveli lokal, qendror dhe Policia e Kosovës. Nëse një palë nuk i zbaton urdhrat nga niveli qendror në zbatimin e masave, është pala tjetër që mund ta shqiptoj dënimin”, tha ai.
Sipas Ibrahimit, “duhet të punojmë që masat aktuale të zbatohen në përpikëri”.
Reagimin e gastronomëve dhe paralajmërimin e tyre për protestë me arsyetimin se masa të reja do hynë në fuqi, ai thotë se nuk di për rrjedhjen e informacionit tek ta dhe mohon të jetë diskutuar rreth masave me kufizime të reja.
Ibrahimi tha se komunat e mëdha i kanë ndihmuar ato më të vogla në menaxhimin e COVID-19.