Arbëri

GAP: Kryetarët e komunave kanë plotësuar më pak se gjysmën e premtimeve të bëra

Descriptive Text

Instituti GAP ka publikuar vlerësimin më të fundit rreth përmbushjes së premtimeve të kryetarëve të komunave nga zgjedhjet lokale të vitit 2017.

Në këtë monitorim janë përfshirë realizimi i premtimeve deri në dhjetor të vitit 2020.

“Nga gjithsej 869 premtime të evidentuara nga Instituti GAP në 25 komuna të ndryshme të Kosovës, deri në muajin dhjetor 2020 janë përmbushur 411 premtime, 186 premtime janë realizuar pjesërisht, 158 premtime kanë filluar të përmbushen, ndërsa për 114 premtime nuk është evidentuar ndonjë nismë në përmbushjen e tyre. Shikuar sipas përqindjes, nga 869 premtimet e dhëna, deri në dhjetor të 2020 janë përmbushur vetëm 47% e premtimeve. Pjesa më e madhe e premtimeve janë përmbushur në fushën e mirëqenies sociale 74%, pastaj renditen fusha e administratës 58%, në fushën e ekonomisë 57%, në fushën e bujqësisë 56%, në fushën e shëndetësisë 50%, në fushën e shërbimeve publike 47% dhe në fushën e infrastrukturës 45%”, thuhet në raportin e GAP.

Fusha ku më së paku janë përmbushur premtimet janë fusha e urbanizimit, arsimit dhe ajo e kulturës.

Në këtë përditësim nuk është përfshirë komuna e Podujevës, që pati zgjedhje të jashtëzakonshme në nëntor.

“Komunat që nuk është përfshirë kësaj here në përditësim është ajo e Podujevës ku në fund të nëntorit të 2020 janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar komune. GAP ka monitoruar premtimet e kandidatëve për kryetar komune dhe ka evidentuar se kryetari aktual i kësaj komune ka dhënë 44 premtime në fusha të ndryshme. Instituti GAP bën monitorimin e përmbushjes së premtimeve në 26 nga 38 komunat, ngase 12 nga kryetarët aktual nuk kanë zhvilluar fushatë zgjedhore më 2017 (Skenderaj, Mamusha dhe komunat me shumicë serbe)”, thuhet nga GAP.