2 perditesime
11:58

Zemaj paralajmëron masa rigoroze nëse vazhdon trendi i rritjes së rasteve

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se masat në fuqi do të vazhdojnë e do të shihet nëse do të ketë vlerësim të masave në zona të caktuara.

“Do të ketë vlerësim të masave për të parandaluar infeksionin bazuar gjithmonë në situatë edhe të shteteve evropiane dhe nëse kemi rrezikshmëri masat do të shkojnë me rigoroze që do të ketë edhe përkufizim të lëvizjes”, ka thënë Zemaj. "Ka me vazhdu ndalesa për takimet që mund të rrezikojnë shpërndarjen, shkollat të gjitha niveleve të funksionojnë duke ju përmbajtur strikte manualit”.

11:19

Zemaj: Nuk do të marrim vaksina nga Serbia e Rusia, përkundër presioneve

Ka filluar mbledhja e Komitetit për menaxhimin e pandemisë COVID-19.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se është e domosdoshme që në mënyrë të rreptë të respektohen masat nga qytetarët, distanca e të vendosen maskat, pasi ka rritje të rasteve të infektimit.

Zemaj ka thënë se vaksinat anti-COVID nga COVAX pritet të arrijnë këtë muaj, ndërsa ka shtuar se nuk do të marrë vaksina nga Serbia e Rusia, përkundër presionit.

“Jemi për të diskutuar për situatën që tregon se këtë javë ka rritje të rasteve me infektim. Në vlerësim të masave apelojmë tek qytetarët për respektim. Në situatën që ndodhemi është e domosdoshme që në mënyrë të rreptë të respektohen të gjitha masat, distanca e të mbahen masat. Humbja për ne nuk është opsione, shpëtimi i sa më shumë jete do të jetë e përbashkët dhe ne nuk do të ndalemi. Duhet të vazhdojmë me këtë disiplinë deri në pritjen e vaksinës që do të ndihmojë në eliminimin e COVID-19. Ata që kanë pasur të na furnizojnë me vaksina në shkurt e bartën në mars. Jemi të vetëdijshëm edhe për presionin e qytetarëve për vaksina, sidomos të qytetarëve serbë. Nuk do të marrim vaksina nga Serbia e Rusia edhe përkundër presionit nga vendet tjera të rajonit. Kjo na bënë që të avancojmë në sigurimin e vaksinës”, ka thënë Zemaj.

Drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, ka thënë se situata javët e fundit tregon rritje të rasteve 26.6 për qind, ndërsa edhe rritje të rasteve të vdekjes për 23.6 për qind.

“Kemi rritje të rasteve pozitive e po ashtu edhe të vdekje. Kemi pasur edhe rritje të testimeve”, ka thënë Ramadani.


Ai ka thënë se janë në pritje të regensave me të cilët mund të bëjnë detektimin e të gjitha varianteve të reja të COVID-19.

E drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka thënë se situata në spitale paraqitet e menaxhueshme, por me një tendencë rritje.

“Situata në spitale dhe klinika të QKUK-së paraqitet e menaxhueshme, por me një tendencë në rritje në ditët e fundit. Nga mesi i javës së kaluar ka rritje të pacientëve. Mbi 500 persona janë duke marrë trajtim në klinika e spitale”, ka thënë Krasniqi.

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë që të vazhdohet me kategorizimin e komunave në bazë të numrit të infektuarve, pasi e ka parë atë si të suksesshme.


11:49 - Tahiri kritikon largimin e inspektorëve nga pakoja emergjente: Nuk iu afrohen as zjarrfikësit, as mësimdhënësit

Drejtori i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës Adonis Tahiri ka thënë gjatë mbledhjes së Komitetit për menaxhimin e pandemisë me COVID-19 se pasojat e fushatës po shihen tashmë.

“Mendoj që dëmi i shkaktuar nga ajo fushatë e turpshme ende nuk është duke u pa. Përveç dëmit në numra që do të rriten në vazhdimësi është edhe dëmi në humbjen e legjitimitetit për ne si inspektorat e policisë”, është shprehur ai.

Tahiri ka thënë se te kjo situatë kemi ardhur si pasojë e neglizhencës së atyre që vetë i kanë vendos ligjet

“Kisha dashtë me e ngrit si shqetësim, largimin e inspektorëve si komunal e qendror nga pakoja emergjente, kur jemi te pandemia sa e kanë ndryshuar punën e inspektorët, sa janë dëmtuar fizikisht nuk iu afrohen as zjarrfikësit e as mësimdhënësit” ka shtuar Tahiri.


11:52 -  Lenjani: Mbi 20 mijë raste kanë kërkuar ndihmë brenda dy muajve

Drejtori i Klinikës Emergjente të QKUK-së, Basri Lenjani ka thënë se në Klinikën Emegjente kanë kërkuar ndihmië mbi 20 mijë raste gjatë muajve janar dhe shkurt të këtij viti.

“Në klinikën emergjente kanë kërkuar ndihmë mbi 20 mijë raste gjatë janarit e shkurtit. Dhe sipas tij kjo është mbingarkesë dhe problematik e madh”, ka thënë Lenjani.

Gjatë javës së fundit ka filluar të rritet numri i rasteve pozitive me COVID-19 në Kosovë. Vetëm gjatë ditës së djeshme shifra ka arritur në afro 600 sosh.

08:56

Komiteti për COVID-19 mblidhet sot

Komiteti për vlerësimin dhe koordinimin e situatës epidemiologjike lidhur me COVID-19 do të mblidhet sot për të diskutuar lidhur me masat e vendosura për mbrojtjen nga koronavirus.

Takimi i këtij komiteti do të mbahet nën kryesimin e ministrit të detyrë të Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Komiteti pritet të mblidhet në ora 11:00 në objektin e Qeverisë së Kosovës.

“Nën kryesimin e Ministrit në detyrë të Shëndetësisë, z. Armend Zemaj, sot mbahet takimi i radhës i Komitetit për vlerësimin dhe koordinimin e situatës epidemiologjike lidhur me COVID-19. Takimi mbahet në ndërtesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës, salla P-38, duke filluar nga ora 11:00”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Mirëpo gjatë së mërkurës, gastronomët në një konferencë për media kanë paralajmëruar një marsh-proteste në sheshin e Prishtinës për të kundërshtuar masat për mbyllje të bizneseve, për heqjen e dënimeve dhe subvencionimin e pagave si dhe qirave për shkak të pandemisë COVID-19.

Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi tha se rritja e numrit të infektuar me Covid-19 nuk është për fajin e gastronomisë, por për shkak të tubimeve zgjedhore dhe për këtë janë kundër shtrëngimit të masave.

Dje janë regjistruar 568 raste të reja me COVID-19 dhe katër raste të vdekjes.

Kurse që nga 13 marsi kur edhe janë paraqitur dy rastet e para pozitive me COVID-19, numri i të infektuarve me këtë virus ka shkuar në 70.753 nga 315.664 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.620 raste të vdekjes./KSP