Arbëri

Kurti ua kthen letrat Erdoganit dhe Netanyahut, nuk e përmend ambasadën

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ua ka kthyer me falënderime letrat e urimit për fitoren në zgjedhje kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan.

Në urimet e tyre, Netanyahu i kishte bërë ftesë Kurtit që të shkonte në Izrael për inaugurim të ambasadës në Jerusalem, e Erdogani i kishte bërë thirrje ta anashkalonte një gjë të tillë, por Kurti në letrat e falënderimit nuk e ka përmendur fare këtë çështje.

Ai i ka shkruar Netanyahut se do ta vizitojë Izraelin në një kohë të përshtatshme, pa e cekur arsyen e vizitës.

“Si kryeministër i ardhshëm i Republikës së Kosovës, do të isha i nderuar t’i adresoja çështjet e komunitetit hebre dhe trashëgimisë së vet në shtetin tonë. Teksa shtetet tona po vendosin marrëdhënie diplomatike, synoj të zgjerojmë e thellojmë bashkëpunimin tonë në të ardhmen. Faleminderit për ftesën që ta vizitoj shtetin tuaj mik, gjë të cilën do ta bëj në një kohë të përshtatshme për të dyja palët”, i ka shkruar Kurti, Netanyahut.

Pa përmendur ambasadën, Kurti ia ka kthyer letrën edhe Erdoganit, të cilin e ka falënderuar për kontributin që Turqia e ka dhënë për Kosovën.

“Jemi shumë falënderues për mbështetjen që populli dhe shteti turk i kanë dhënë Kosovës në kohët vendimtare për shtetin tonë. Kur qeveria jonë të formohet, synoj të zgjerojmë dhe thellojmë raportet tona përmes komunikimit dhe bashkëpunimit të hapur e të sinqertë”, thuhet në letrën shkruar Erdoganit.

Kurti është shprehur se me formimin e qeverisë së tij do ta shqyrtojë hapjen e ambasadës në Jerusalem, megjithatë Butrint Berisha nga Instituti PIPS thotë se vendndodhja e saj është zor e lëvizshme.

“Në momentin që vendosen marrëdhëniet diplomatike dhe merret vendim për hapjen e ambasadës, është shteti pritës ai që e cakton realisht se ku duhet të hapet ambasada. Në këtë, kuptim Kosova nuk mund ta kushtëzojë Izraelin ose cilindo shtet se në cilin qytet dëshiron ta hapë ambasadën”, ka deklaruar Butrint Berisha nga Instituti PIPS.

Gjatë së mërkurës, Koha ka provuar të marrë përgjigje nga Qeveria e Kosovës, se a ka marrë ftesë për inaugurim të ambasadës edhe kryeministri Hoti, njëjtë si fituesi i zgjedhjeve, por ata nuk janë përgjigjur.

Megjithatë, Berisha thotë se letrat drejtuar Kurtit kanë qenë letra urimi, por që janë shfrytëzuar nga Turqia dhe Izraeli për t'i komunikuar qëndrimet dhe interesat e tyre në raport me Kosovën.

“Kjo nuk do të thotë që nuk ka komunikim me Qeverinë në detyrë dhe me kryeministrin, por sidoqoftë mendoj që ka të bëjë me ndërtimin e njëfarë bashkëpunimi dhe një ure me koalicionin që i ka fituar zgjedhjet në Kosovë”, tha Berisha.

Në lidhje me afatet kohore se kur pritet të hapet Ambasada e Kosovës në Jerusalem, “Koha” ka nisur pyetje edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme, por as ata nuk janë përgjigjur.