20 punëtorë të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” janë larguar nga puna dje dhe sot.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Aeroportit, Bashkim Latifi, thotë se largimet janë të montuara dhe që të gjitha vijnë si pasojë e grevave që punëtorët e aeroportit kanë pasur vazhdimisht për shkak të pakënaqësisë.
Ai i ka thënë KOHËS se 19 punëtorëve nuk iu është vazhduar kontrata e punës dhe nuk iu është dhënë ndonjë arsyetim lidhur me këtë.
Ndër të larguarit është edhe vetë Latifi.
Ndërkaq, në vendimin e menaxhmentit të Aeroportit thuhet se Latifi është larguar për shkak të shkeljeve të lehta dhe të rënda disiplinore.
“Bashkim Latifi punonjës i LIMAK Kosova në pozitën operator në XRay, i ndërpritet kontrata e punës pa periudhën e njoftimit për kryerje të shkeljeve të lehta disiplinore - duke e lënë vendin e punës të pambikëqyrur, pa arsye gjatë orarit të rregullt të punës, neglizhim të detyrave që reflektojnë në performancën e punës dhe dështimi për të zbatuar udhëzimet e punës të dhënë nga drejtori, ka kryer shkelje të rëndë disiplinore - dështim në kryerjen e detyrave të punës, performaca e dobët në nivelin sasior dhe cilësor si dhe vepra të tjera të përcaktuara me Ligjin e Punës, Rregulloren e Personelit dhe kontratën e punës të procedurës disiplinore...”, thuhet në vendim.
Në vendimin për mosvazhdimin e kontratës së një punëtoreje, nuk jepen detaje lidhur me arsyen për një gjë të tillë.
“Përmes kësaj shkrese ju njoftojmë se më datë 03.04.2021 përfundon kontrata juaj për punë me kohë të caktuar. Kjo letër është për t’ju konfirmuar se LIMAK Kosovo International Airport nuk e ripërtërin marrëdhënien tuaj të punësimit pas kësaj date. Andaj në përputhje me Nenin 67 pika 1.3 e Ligjit të Punës nr.03/L-212 ju njoftojmë se pas datës 3.4.2021 konsiderohet se kontrata juaj është ndërprerë sipas fuqisë ligjore”, thuhet nw vendim.
Po ashtu në njoftim thuhet se punonjëse në fjalë nuk është e obliguar të punojë që nga data e njoftimit, që është e mërkurë 3 mars 2021.
{gallery}