Arbëri

Xhuxheviq: Ndryshimi i Ligjit për Zgjedhjet e vetmja mënyrë për ta ndaluar manipulimin elektoral

Osman Xhuxheviq nga partia boshnjake “Nasa Iniciativa” thotë se për pakënaqësitë e tyre lidhur me rezultatet e zgjedhjeve të 14 shkurtit ku parti të caktuara të komuniteteve të tjera pakicë morën vota në qytetet ku jetojnë kryesisht vetëm serbë, do t’i drejtohen PZAP-së e Gjykatës Kushtetuese.

Ai thotë se me ligjin që garanton përfaqësim të barabartë dhe efektiv të komuniteteve në Kosovë, në zgjedhjet e fundit nuk është bërë pasi shton se nuk sheh hapësirë të përfaqësimit efektiv të komuniteteve.

“Ceket se duhet të ekzistojë që Republika e Kosovës ka obligim të implementojë masat që mundësojnë përfaqësimin efektiv të komuniteteve. Me konstalacionin zgjedhor që ka ndodhë më 14 shkurt dhe rezultatet e zgjedhjeve, nuk shoh hapësirë për përfaqësim efektiv të komuniteteve sepse shumica e votave që kanë derivuar prej një subjekti politik vijnë prej vendeve që nuk kanë pjesëtarë të atij komuniteti”, tha ai në Express Intervistë.

Xhuxheviq tha se kërkojnë të kenë përfaqësim efektiv të komuniteteve pakicë në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka treguar rrugën ligjore që do të ndjekin për këtë çështje.

“Kemi nënshkruar përfaqësim ligjor me Institutin për Drejtësi që do na përfaqësojë, rrjedhoja e kontestimit të rezultatit dhe zgjedhjeve fillon në PZAP dhe përfundon tek Kushtetuesja. Mënyra për ta ndryshuar këtë është me ndërrimin e ligjit zgjedhor që do ta ndalojë dhe ta kontestojë këtë manipulim elektoral”, tha ai.

Sipas tij, me ndryshimin e ligjit për zgjedhje do të rregullohej çështja e përfaqësimit të komuniteteve, për të cilin ai thotë se aktualisht është “thyer dhe duhet gjetur një rrugë që të mos ndodhë në zgjedhjen e tjera”.

Ai nuk ka dashur të komentojë për emrat të cilët kanë marrë vota në vendet ku nuk ka shumë ose aspak banorë të atij komuniteti, si partia e Adriana Hoxhiqit.

Xhuxheviq thotë se “duam të distancohemi nga etiketimet politike”.

Ai insiston se e vetmja mënyrë për t’i dhënë zgjidhje përfaqësimit efektiv të komuniteteve në ligjvënësin e Kosovës, është ndryshimi i Ligjit për Zgjedhjet.

“Mendoj që ndryshimi i ligjit zgjedhor është mënyra e vetme si të adresohet kjo pyetje në aspektin afatgjatë”, tha ai.

Për ndryshimin e këtij ligji, Xhuxheviq shton se nevojitet vullneti i partive shqiptare për ta adresuar.

“E vetmja mënyrë është që komuniteti shumicë ta merr në dorë këtë problem dhe ta propozojë ndryshimin e ligjit që të mos lejojë një gjë të tillë të ndodhë në të ardhmen”, tha ai.