577 vjet më parë u bë bashkimi i parë politik-ushtarak mbarëshqiptar që njihet në historinë shqiptare. E njohur në histori si “Besëlidhja e Lezhës”, kjo aleancë e gjerë u krijua me vendim të Kuvendit që u mbajt në qytetin e Lezhës më 2 mars 1444, nën kryesimin dhe nismën e Skënderbeut.
Në urgjencën e mobilizimit antiosman pas çlirimit të një sërë krahinash në trevat lindore shqiptare, në këtë Kuvend morën pjesë sundimtarë të dyerve kryesore të fisnikërisë shqiptare ashtu sikurse edhe krerë të bashkësive të lira krahinore si: Gjergj Arianiti, Andrea Topia, Nikollë Pal Dukagjini, Theodor Korona Muzaka, Lekë Zaharia, Lekë Dushmani, Gjergj Stres Balsha, Pjetër Spani si dhe përfaqësues nga tokat e Malit të Zi të Sotëm.
Mes tyre ishte edhe Stefan Cernojeviqi-Gjurashi, i cili me kauzën e Lezhës e lidhnin jo vetëm marrëdhëniet farefisnore, por edhe interesat e luftës së përbashkët.
Në këtë Kuvend, që u mbajt në katedralen e Shën Nikollës, erdhi edhe vendimi I rëndësishëm për krijimin e ushtrisë së përbashkët në krye të së cilës Skënderbeu u emërua si komandant i përgjithshëm i saj.
Për të përballuar shpenzimet jo të pakta të luftës, Kuvendi vendosi edhe krijimin e arkës së përbashkët me fondet që i jepte secili anëtar i Besëlidhjes sipas një kuote të caktuar nga ana e Kuvendit.
Me autoritetin e të “parit ndër të barabartët”, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu arriti për herë të parë në historinë e arbërve të krijonte një entitet shtetëror që bashkoi në flamurin antiosman fisnikërinë, fshatarësinë dhe njerëzit e bashkësive të lira krahinore.