4 perditesime
09:15

Lajçaku pret që marrëveshja Kosovë-Serbi të arrihet gjatë qeverisjes së Kurtit

Nuk ka asnjë pengesë që një marrëveshje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi të arrihet gjatë mandatit të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, ka deklaruar në Prishtinë përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Në konferencën e përbashkët me ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, Lajçaku ka përsëritur se procesi i dialogut duhet të mbyllet për disa muaj, e të mos marrë vite kohë

“Duhet t’ju them se sa më shpejtë që Kosova e Serbia të jenë të gatshme, ky proces mund të përfundojë në disa muaj, por s’është çështje vitesh. Nuk i takon BE-së. Është mes Kosovës e Serbisë të caktojnë sa shpejt duhet ta kryejnë këtë. Nëse duan takime mujore, apo javore. S’do të ketë edhe shumë vjet e kohë nëse ka përkushtim. Po mendoj se mund ta kompletojmë këtë proces me marrëveshje gjithëpërfshirëse gjatë mandatit të Kurtit dhe Osmanit. Nuk shoh pengesa në këtë rrugë”, ka thënë Lajçak.

Ai ka thënë se s’ka menduar të ofendojë askënd me hartën në zyrën e tij, e në të cilën kufijtë e Kosovës nuk shënoheshin sikur të shteteve tjera në Ballkan.

Në anën tjetër, Osmani ka shtuar se Kosova më s’mund të bëjë koncesione në dialog dhe se ajo “s’është shportë me pemë e perime ku çdokush merr diçka nga ajo”.

Osmani ka bërë të ditur se Kosova e sheh marrëveshjen për njohje reciproke dhe anëtarësimin në BE si përfitim final nga procesi i dialogut.

Ajo ka shtuar se për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe do të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

09:07

Lajçak: Me Kurtin e Osmanin jemi pajtuar që dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka dhënë disa mesazhe pas takimit me ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani.

Ai përveç urimit për procesin e rregullt të zgjedhjeve të 14 shkurtit, ka përmendur edhe dialogun me Serbinë.

Lajçak ka thënë se Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja janë në një partneritet, dhe me ardhjen e presidentit Joe Biden kjo marrëdhënie është edhe më e afërt duke shtuar se duan të arrijmë qëllimin e njëjtë për Ballkanin Perëndimor

Ai tutje ka shtuar se e mbështetë programin elektoral të Kurtit e Osmanit për krijimin e vendeve të punës e luftimin e krimit e korrupsionit, porse ka thënë se edhe dialogu ka një rol të rëndësishëm.

“Mesazhi katër është se shtetet anëtare të BE-së dhe SHBA-ja presin vazhdimin e dialogut, dialog që përfshin çështje të rëndësishme për secilin qytetarë. Për këtë kisha bisede me Kurtin e Osmanin për të parë se ku jemi në dialog. Përfundimi nga këto takime është se dialogu do të vazhdojë, ka procedura intern por do të vazhdojë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se dialogu nuk është përgjegjësi vetëm e një partie politike, por e të gjithave.

“Unë do ta vazhdojë programin tim me partitë politike dhe do t’u kërkoj mbështetje për procesin e dialogut”, ka thënë ai.

08:58

Osmani Lajçakut: S’lejojmë të negociohet me kufijtë e Kosovës

Vjosa Osmani, ushtruese e detyrës së presidentes, i ka bërë me dije përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav, se në dialog Kosova nuk do të lejojë të negociohet me kufijtë e saj.

“E bëra të qartë në emër të institucioneve të Kosovës dhe në veçanti të institucionit që udhëheq me politikën e jashtme që për ne procesi i dialogut duhet të ketë një ‘reset’, një rishikim i cili do të ndihmojë që Kosova të jetë e përgatitur e të respektojë interesat e veta e të qytetarëve të vet në një proces që duhet të rezultojë me njohje reciproke në kufijtë aktualë të Kosovës”, ka thënë Osmani pas takimit me Lajçakun, teksa ka vazhduar se duhet të respektohen vijat e kuqe, e që për Kosovën është të mos negociohet me kufijtë e saj.

“Nuk lejojmë të negociohet me kufijtë e Kosovës”, ka thënë ajo në konferencën e përbashkët për media.

Ajo ka deklaruar se Kosova më 17 shkurt 2008 ka përmbyllur statusin e saj.

Osmani pas takimit ka deklaruar se në procesin e dialogut, institucionet duhet të kenë koordinim me opozitën, shoqërinë civile dhe mediat.

“Do punojmë me mediat dhe shoqërinë civile që të kemi bashkëpunim në këtë proces. Presim që të ketë koordinim shumë të madh me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pavarësisht që Serbia s’ka kërkuar falje për krimet, Kosova ka qenë pjesë e dialogut”, ka deklaruar Osmani para mediave.

Ajo ka thënë se është koha që Serbia të kërkojë falje për krimet e luftës në Kosovë dhe kërkesa për drejtësi, do të jetë themelore nga ana e Kosovës në Bruksel.

“Kur s’ka drejtësi, s’ka paqe në rajoni tonë. Presim që dialogu të jetë i barabartë nga dyja palët, presim përkrahje nga BE dhe SHBA”, ka shtuar ajo.

Osmani ka potencuar se marrëveshja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë është zgjidhja e vetme që ofron paqe dhe stabilitet në rajon.

08:05

Nis takimi Osmani-Lajçak

Ka nisur takimi mes ushtrueses së detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, dhe përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

08:04

Lajçaku vazhdon vizitën në Kosovë

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do të vazhdojë sot takimet me krerë të Kosovës, në kuadër të vizitës së tij në Ballkan.

Të martën, me fillim prej orës 8:00 ai është paraparë të mbajë takim me ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani.

Lajçaku më vonë gjatë ditës do të takohet edhe me krerë partiakë në vend.

Të hënën, takimin e parë ai e pati me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Lajçaku në Prishtinë do qëndrojë tri ditë. Më pas, Lajçaku do vizitojë Serbinë nga 3 deri më 4 mars dhe gjithashtu do vizitojë Malin e Zi si pjesë e mandatit të tij rajonal, nga 4 deri më 5 mars. Ai ka planifikuar të takohet me udhëheqjen politike të tre partnerëve të Ballkanit Perëndimor, si dhe me përfaqësues të BE-së në terren.