Arbëri

Marrëveshja Kosovë-Serbi vështirë të arrihet para vitit 2023

Prishtinë, 28 shkurt - Pa negociata thelbësore diplomatike mes Kosovës dhe Serbisë, nën lehtësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, konsiderohet vështirë e arritshme një marrëveshje finale.

Kështu kanë vlerësuar njohës të këtij procesi në prag të vizitës së emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajcak. Diplomati sllovak për tri ditë do të qëndrojë në Prishtinë, ku do të ketë takime me përfaqësues të institucioneve dhe partive.

Analisti gjerman Bodo Weber e sheh të domosdoshëm rivendosjen e një dialogu, ku diskutohet për çështje përmbajtjesore.

“Marrë parasysh se negociatat për marrëveshjen gjithëpërfshirëse në përgjithësi në katër vjetët e fundit kanë shkuar në drejtim të gabuar dhe kanë komplikuar marrëdhëniet mes Brukselit, Uashingtonit dhe Prishtinës, është e domosdoshme një rivendosje e dialogut. Duhet të ketë një bashkëpunim të ngushtë transatlantik dhe të sigurohemi që të vendosen parimet bazë ku statusi i Kosovës nuk është i negociueshëm. Pra, të kuptohet se ky është dialog që Serbia të shkojë drejt njohjes së shtetit të Kosovës dhe të ndodhë integrimi i plotë i serbëve në institucionet e Kosovës”, ka thënë Weber për KOHËN.

Ndërkaq vizita e Ljaçakut ende pa u formuar institucionet, sipas analistit gjerman, tregon urgjencën dhe reagimin e BE-së ndaj koalicionit të ri për angazhimet që e presin në kuadër të dialogut.

Shasha: Vizitë me dy kuptime

Ndërkaq Demush Shasha nga Instituti Epik vlerëson se vizita e Lajçakut do të këtë karakter informues në dy kuptime.

“E para, z. Lajçak do të informohet nga gjithë spektri politik rreth këndvështrimeve të tyre sa i përket procesit zgjedhor dhe perspektivës në ngritjen e institucioneve të reja. Dhe e dyta, z. Lajçak do t’i informojë palët për këndvështrimet e tij përkitazi me dinamikën dhe thelbin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Pra, me pak fjalë, konsideroj se do të jetë mundësi e mirë që palët të shkëmbejnë mendimet për perspektivën e dialogut”, ka theksuar Sasha.

special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, që prej marrjes së mandatit para një viti ka shprehur synimin që t’i çojë palët drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme. Por nuk e ka përmendur se ajo do ta ketë edhe njohjen reciproke të cilën e kërkon pala kosovare.

Po ashtu, Gjermania dhe Franca nëpërmjet ambasadorëve në Prishtinë kanë konfirmuar gatishmërinë ta përkrahin vazhdimin e dialogu, që ndihmon në integrimin evropian të të dyja vendeve.

E, pretendenti për formimin e qeverisë së re, Albin Kurti, në disa raste e ka përsëritur se dialogu është prioriteti numër katër- pas punësimit, drejtësisë dhe pandemisë COVID 19.

Shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Tomas Szunyog, e sheh si pozitiv këtë deklarim të Kurtit.

“Unë e kuptoj që ka një zhvillim pozitiv në ato deklarata, nga të mos qenit aspak prioritet, në të qenit prioritet numër gjashtë, tani është prioritet i katërt, kështu që unë mendoj se po shohim shenja të mira, pasi dialogu është i rëndësishëm jo vetëm për Kosovën, por edhe për të gjithë rajonin”, ka theksuar ai.

Sa i përket hierarkisë së rëndësisë së dialogut, Shasha konsideron se diskutimet e tilla nuk kanë ndonjë dobi praktike.

“Dialogu ka qenë, është, dhe do të jetë prioritet i çdo qeverie. A është i pari apo i katërti është më shumë semantikë e parëndësishme politike. Sidoqoftë, unë pres që Qeveria e ardhshme, për dallim nga qeveritë e mëparshme, do të bëjë përparime në të dy drejtime: (1) atë të reformave të brendshme dhe (2) dialogut për normalizimin e marrëdhënieve”, ka thënë ai.

Kurti, po ashtu, ka theksuar nevojën që fillimisht të diskutohet me serbët e Kosovës.

“Kjo është diçka që ka munguar për vite të tëra. Por konsideroj se është pjesë e një qëndrimi dogmatik që në aspektin teorik nga pozicioni shtetëror do të ishte mirë të merresh me qytetarët e tu, por e dimë se serbët janë në disavantazh, nuk janë vetja e tyre, janë të varur nga Beogradi. Do të ishte sukses nëse arrihet të çlirohen serbët nga ky ndikim”, ka theksuar Bodo Weber.

Dialogu nën mandatin e Lajçakut

Nën mandatin e Lajçakut janë mbajtur vetëm dy takime të nivelit të lartë politik mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Janë mbajtur edhe disa takime në nivel të grupeve teknike ku deri më tani, siç është thënë, ka dakordim për çështjen e të pagjeturve, por nuk janë zbardhur detajet e marrëveshjes, me arsyen se edhe ajo do të jetë pjesë e marrëveshjes finale.

Por njohësi i integrimeve, Shasha, nuk pret progres të ndjeshëm në dialogun Kosovë – Serbi në një afat shkurtër kohor. Këtë kryesisht e sheh për shkak të zgjedhjeve të parapara në Serbi, në prill të vitit të ardhshëm. Në afat të mesëm Shasha konsideron se të dyja palët, nën lehtësimin e BE-së dhe me mbështetjen e SHBA-së, duhet të angazhohen në negociata thelbësore diplomatike.

“Një qasje e tillë do të kërkonte që përmes një pune intensive diplomatike të identifikohen disa skenarë të mundshëm që do të mund të ishin pjesë thelbësore e marrëveshjes së ardhshme Kosovë – Serbi. Vetëm pas arritjes së një dakordimi parimor se çfarë do të mund të ishte thelbi i marrëveshjes së ardhshme Kosovë – Serbi, liderët e dy vendeve do të mund të fillonin një diskutim gjithëpërfshirës shoqëror për rëndësinë e marrëveshjes në mes dy vendeve dhe arritjen e konsensusit për kompromiset në të dyja anët e kufirit”, ka theksuar Shasha.

Sipas tij, një qasje e këtillë thjesht kërkon kohë, transparencë dhe dialog, prandaj rrjedhimisht nuk i kam pritjet ambicioze për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse në një afat të shkurtër kohor.

“Në kuptimin kohor, skenari më optimist që unë shoh është që të ketë dialog të ngjeshur diplomatik gjatë vitit 2021-2022, i cili do të mund të shtronte rrugë për marrëveshje gjithëpërfshirëse në 2022-2023 – pas zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në Serbi”, ka potencuar ai.

Kundërthëniet rreth Asociacionit

Kundërthëniet rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe kanë zbehur entuziazmin e palëve. Edhe pse kjo zyrtarisht u mohua, negociatat ngecën kur në rend dite Serbia kërkoi që të futej Asociacioni. Kjo u refuzua nga Qeveria Hoti, me arsyen se kjo temë nuk mund të rihapet në tryezën e negociatave.

Sa i përket çështjes së Asociacionit, Shasha konsideron se Qeveria e ardhshme duhet të shqyrtojë ngritjen e tij, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Në këtë drejtim, konsideroj se zgjidhja mund të gjendet në kuadër të kompetencave të Asociacionit të cilat i ka paraparë edhe Pakoja e Ahtisarit, siç janë çështjet e kulturës, artit, shkencës dhe arsimit (neni 4 i Pakos së Ahtisarit), në harmoni me Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale. Po ashtu, duhet shqyrtuar materializimin e bashkëpunimit të komunave me shumicë serbe me shtetin dhe institucionet e Serbisë, nën koordinimin e Ministrisë për Administrimin e Pushtetit Lokal (neni 10 i Pakos së Ahtisarit). Pjesë e rëndësishme e këtij bashkëpunimi është edhe dakordimi i transparencës së financimit të shtetit serb të komunave serbe në Kosovë (neni 11 i Pakos së Ahtisarit)”, ka deklaruar Shasha.

Në vizitën e fundit në Prishtinë dhe Beograd vitin e kaluar, përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajçak, e kishte bërë të qartë se nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve pa zbatimin e Marrëveshjes për Asociacionin.

Madje reagime të forta nxiti deklarata e tij dhënë nga Beogradi se Kosova duhet ta ndryshojë Kushtetutën për llogari të Asociacionit. Më pas Zyra e Lajçakut u sqarua duke thënë se marrëveshjet ndërkombëtare implikojnë për të dyja vendet ndryshime ligjore dhe kushtetuese.

Kosova dialogon me Serbinë prej vitit 2011 dhe janë rreth 33 marrëveshje. Por shumë prej tyre ende nuk kanë gjetur zbatim në terren, përfshirë atë për lëvizjen e lirë në veri dhe hapjen e urës mbi lumin Ibër. Problem ka dalë edhe përcaktimi i kufirit administrativ mes Komunës së Mitrovicës së Jugut dhe asaj të Veriut, që është pjesë e pakos së marrëveshjes për lëvizjen e lirë. Edhe pse me Ligjin për kufijtë administrativë, Suhodolli i përshkruhet Mitrovicës Jugore, udhëheqja komunale e veriut pretendon se kjo lagje duhet t’u takojë atyre.

Edhe në fushën e arsimit Serbia nuk ka treguar gatishmëri për t’i ndihmuar studentët, përmes zbatimit të Marrëveshjes për pranimin reciprok të diplomave midis dy shteteve. Që nga viti 2011, kur u arrit kjo marrëveshje dhe më vonë u zgjerua në janar të vitit 2016, ajo kurrë nuk është zbatuar nga Serbia.

Reciprociteti ka munguar edhe në zbatimin e Marrëveshjes për targat. Derisa Serbia i ka detyruar kosovarët të përdorin targa të përkohshme, Kosova deri tani nuk e ka aplikuar një masë të tillë.