Historiani serb Milan Protiq, njëherit edhe ish-ambasador i Jugosllavisë në SHBA, ka thënë se Kosova është e pavarur, pasi ka territor, popull e Qeveri të pavarur nga Serbia.
Protiq në intervistë për “Nova.rs” ka thënë se humbja e Kosovës është çmimi i politikave të Titos dhe Millosheviqit. Ai ka shtuar se tash çështja më nuk është nëse do të shpëtohet Kosova, por nëse do të mund të shpëtohet Serbia.
“Për sa na përket ne, Kosova, për fat të keq, është e humbur. Pavarësisht nga fakti se ajo nuk ka njohje ndërkombëtare në formën e saj të re, e as vend të saj në organizata ndërkombëtare, atje ekziston një territor, popull e Qeveri, që është e pavarur nga Serbia. Ky është çmimi i politikave të Titos dhe Millosheviqit. Kjo është ajo që e paguajmë sot. Tito lejoi dhe mundësoi krijimin e një territori të kufizuar të Kosovës, duke krijuar një zonë autonome dhe më pas një provincë. Edhe atëherë, Kosova u nda praktikisht dhe thelbësisht nga Serbia, dhe i gjithë pushteti iu dha shqiptarëve atje. Tashmë ishte e qartë se ishte ndarë nga Serbia dhe nuk do të kthehej në kornizën e saj”, ka thënë Protiq, i cili kishte qenë edhe ambasador i Serbisë në Zvicër për pesë vite e gjysmë nga 2009 deri më 2014. “Atëherë u përpos Millosheviqi ta kthente me forcë, por nuk ia doli, gjë që u bë një argument shtesë kundër të drejtës së Serbisë që ta vazhdojë ta trajtojë Kosovën si territor të saj”.
Protiq ka thënë se Kosova është bërë problem i vështirë e i pazgjidhshëm për Serbinë.
“Kombet e tjera gjithashtu humbën pjesët e tyre të rëndësishme dhe ne vetë kemi jetuar pa atë Kosovë për shumë shekuj. Ajo u kthye tek ne në vitin 1912, por ne kurrë nuk patëm asnjë shans për ta integruar atë plotësisht. Kjo është arsyeja pse Kosova ka mbetur përvoja jonë e së kaluarës dhe identitetit kombëtar, dhe jo thjeshtë një territor. Kosova po ashtu është bërë një problem i vështirë dhe i pazgjidhshëm për ne. Ne, si popull dhe shtet, vetëm humbim në atë luftë që është humbur paraprakisht. Çështja nuk është më nëse do ta shpëtojmë Kosovën, por nëse do ta shpëtojmë Serbinë. Na nuk kemi njerëz as për këtë territor. Prandaj problemi bëhet shumë më i thellë se vetë çështja e Kosovës”, ka thënë Protiq, që ka përmendur edhe veriun e Mitrovicës, duke thënë se është kthyer në vatër të krimit e dhunës. “Ne i mbajmë njerëzit tanë atje, ata fëmijë të pafat, në tela me gjemba disi pengje të idesë serbe”.
Protiq më herët kishte thënë se një president i mirë i Serbisë do të ishte dikush i ngjashëm me akademiku Vladimir Kostiq.
Kreu i Akademisë së Shkencave dhe Arteve në Serbi, Kostiq, kishte thënë se Kosova nuk është e Serbisë dhe duhet të kuptohet sa më parë që është e mundur.
“Me këtë mendim Kostiq tregoi se është njeri që mendon me kokë dhe se arrin në përfundimet e tij në mënyrë të pavarur, pavarësisht si reagon mjedisi ndaj tij dhe të gjitha paragjykimeve në publik. Të gjithë e dimë që është e vërtetë, por shumë nuk duan ta dëgjojnë, por fusin kokën në rërë, sepse nuk përballen me faktet”, ka thënë Protiq, që një periudhë ishte edhe kryebashkiak i Beogradit.