Arbëri

Arifi me kërkesa për Kurtin, pret përfshirje të Preshevës në dialog dhe jetësim të Fondit Kombëtar të Solidaritetit

Prishtinë, 28 shkurt (KosovaPress) - Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, ka kërkuar nga Qeveria e re e Kosovës, që ta përfshijë Luginën e Preshevës në dialogun Kosovë – Serbi.

Arifi për KosovaPress ka thënë se është shumë e domosdoshme kjo dhe se pret nga Qeveria Kurti 2 ta bëjë një gjë të tillë.

Në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit në Kosovë, ka fituar bindshëm Lëvizja Vetëvendosje, kryetar i së cilës është Albin Kurti.

“Pjesëmarrja e Luginës së Preshevës në dialog është e domosdoshme. Unë pres prej Qeverisë Kurti 2 që ne te jemi pjesëmarrës në këtë dialog. Për neve nuk është me rëndësi në cilin rang të listës së prioriteteve është, me rëndësi është të jemi në dialog. Për Luginën e Preshevës, dialogu ësahtë me rëndësi, sepse të rinjtë dhe të rejat tona të cilat studiojnë në Kosovë dhe dëshirojnë të punësohen në Komunën e Preshevës, është e pamundur, sepse nuk pranohen diplomat”, ka thënë Arifi.

Arifi ka insistuar që të mos ketë shkëmbime të territoreve.

“Ne të bashkangjitemi në bazë të referendumit të Republikës së Kosovës, por me disa kushte. Dhe aty kemi qenë në një vijë me Albinin. Kushti numër 1 është që të mos ketë shkëmbim territoresh. Kushti numër 2 është që ndryshimi i kufijve të mos nënkuptojë parcializimin e Luginës. Dhe mbështetja ndërkombëtare që është kushti numër 3”, thekson Arifi për KosovaPress.

Arifi ka thënë se pret që të jetësohet Fondi Kombëtar i Solidaritetit.

“Paralelisht të forcohet Lugina e Preshevës. Unë pres prej Qeverisë Kurti 2 që të jetësoj, jo vetëm në letër, por edhe në praktikë Fondin Kombëtar të Solidaritet, fond i cili përfshin Komunën e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Një fond i cili ka minimum pesë milionë euro, dhe i cili i prek të gjitha sferat e jetës të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Që me mbet kjo luginë gjallë dhe të mbes një luginë që jep perspektive dhe të mos shndërrohet në një Çamëri të dytë. Fondi Kombëtar është obligim politik të Qeverisë Kurti 2”, deklaron ai.