Arbëri

MPJ: Rusia gjithmonë është përpjekur të pengojë arritjen e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të Ministrisë së Jashtme ruse e cila i konsideron partitë shqiptare si nacionaliste.

MPJ-ja, përmes një komunikate për media konsideron se të gjitha partitë shqiptare në Kosovë kanë orientim të qartë pro-perëndimor dhe Euro-Atlantik.

Përmes kësaj komunikate, MPJ-ja përmend siç thuhet ndërhyrjet e vazhdueshme të Rusisë në proceset e ndryshme në të cilat ka kaluar Kosova që nga shpallja e Pavarësisë.

Sipas MPJ-së, Rusia gjithmonë është përpjekur të pengojë arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës e Serbisë.

“Javën e kaluar, Republika e Kosovës ka shënuar 13 vjetorin e mëvetësisë së saj. Edhe pse Rusia ka qenë e përfshirë në procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës bashkë me 5 vende të tjera të Grupit të Kontaktit, në fund prishi konsensusin duke kërcënuar me VETO çdo rezolutë në KS të OKB që do të mundësonte krijimin e shtetit të Kosovës. Më 2010 Rusia sërish doli kundër opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, edhe pse Serbia, me mbështetjen e Rusisë kishte insistuar përmes Asamblesë së Përgjithshme të OKB për një opinion nga GJND”, thuhet në reagimin e MPJ-së.

Më tutje thuhet se për interesat e saj, Rusia është përpjekur ta përdorë rastin e Kosovës për ta krahasuar me raste të tjera në botë, si në Gjeorgji dhe Ukrainë dhe kriza të tjera në Kaukaz dhe gjetiu, por siç thuhet, në secilin rast ka dështuar.

“Pavarësisht ndryshimeve politike demokratike, Kosova gëzon koncensusin e gjerë për përkushtimin për dialog për njohje reciproke me Serbinë, mbi parime të përcaktuara të respektimit të integritetit territorial, rendit kushtetues, dhe karakterit unitar të saj, në afat kohor të kornizuar, dhe me epilog të definuar - njohja reciproke si e vetmja zgjidhje që garanton stabilitetin dhe paqen e qëndrueshme në rajon”, përfundon komunikata e MPJ-së.