Arbëri

Policia ende pa sigurime shëndetësore, për 8 mijë pjesëtarë duhen 4 milionë euro në vit

Prishtinë, 28 shkurt (Ekonomia Online) - Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Shaban Tasholli, tregoi se u infektua me Covid-19 gjatë orarit të punës. Shërimi i tij i kushtoi afro 2 mijë euro. Në mungesë të një sigurimi shëndetësor për pjesëtarët e Policisë së Kosovës, Tasholli, u detyrua që të paguajë vetë për shërimin e tij.

Tasholli ka thënë në një intervistë për EO se vetëm me 210 euro e ka ndihmuar Drejtoria e Shëndetësisë për shërimin e tij ndërsa të gjitha shpenzimet i ka paguar vetë.

“Tani në këtë rast duhet të lidhem nga vetvetja sepse kam qenë 2 javë ditë në spital. Kam pasur shpenzime, më kanë paguar Drejtoria e Shëndetësisë vetëm 210 euro barna ndërsa shpenzimet i kam pasur afër 2.000 euro”, tregoi Tasholli.

Siç thotë Tasholli me rrogën bazë që kanë policët prej 390 euro është e pamundur t’i mbulojnë shpenzimet e tyre në rast të problemeve shëndetësore.

secilën palë zgjedhje, partitë politike premtojnë për sigurim shëndetësorë jetësor të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende. Mirëpo për Tashollin, sigurimi shëndetësorë për policët është e mundshme të ndodhë dhe ai shpreson që të startojë në vitin 2022.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Sami Mazreku, për EO ka thënë se ndër takimet e para të tij zyrtare ka qenë me Policinë e Kosovës ku temë diskutimi ishte që ata të pajisen me sigurime shëndetësore. Mes tjerash, Mazreku shtoi se kanë dërguar propozime për 8 mijë policë, ku kostoja është rreth 4 milionë euro.

“Ajo çka kemi bërë ne që anën teknike procedural, zyrtare dhe profesionale e kemi bërë. Kemi mbajtur disa takime dhe kemi dërguar propozime konkrete dhe kostoja nuk ka qenë e lartë pa marrë parasysh që bëhet fjalë për rreth 8 mijë policë dhe një kosto përreth 4 milionë euro nëse ka qenë shuma për dy polisa të sigurimeve për 8 mijë policë. Propozimi ynë ka qenë meqenëse ligji për sigurimin shëndetësor nuk po zbatohet kemi propozuar që të bëjmë zgjidhje alternative që çdo vit të ndajmë fonde për Policinë e Kosovës derisa ligji të hyjë në fuqi. Është diçka që Kosova është e vonuar dhe policia është e vetmja që nuk ka sigurime shëndetësore dhe jetësore”, u shpreh Mazreku.