Ashpërsim masash po kërkohet nga institucionet shëndetësore, pas zgjedhjeve në Kosovë, të cilat u pasuan me rritje të dukshme të numrit të të infektuarve me koronavirus ditëve të fundit.
Masat për parandalimin e pandemisë nuk u përfillën pothuajse nga askush gjatë fushatës zgjedhore. E pikërisht tubimet e shumta të fushatës, sipas mjekëve në Gjermani, mund të jenë shkaktari i rritjes së rasteve edhe me mutacionin e ri të koronavirusit, variant të cilin Kosova nuk ka aparatura për ta detektuar.
“Është vërtetuar që varianti britanik ka një infektueshmëri 70 për qind më të lartë, sesa varianti klasik i COVID, kështu që hapat e ngadalta në karakterizimin e popullsisë në Kosovë e Shqipëri, mund të përbëjnë një rrezik shumë të lartë kur e dimë se sa më shumë ngushtë të jetë me njëra tjetrën aq më shpejtë mund të shpërndajë këtë mutacion të ri”, ka thënë për KOHËN, Aurora Dollenberg, mjeke në Gjermani.
Ashpërsimin e masave nuk po e përkrahin qytetarët, të cilët pranojnë se edhe vetë janë duke shpërfillur maskën dhe distancën.
Drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, pavarësisht shifrave të larta të regjistruara ditët e fundit, thotë se situata në Kosovë është e menaxhueshme dhe se masat aktuale mbesin në fuqi.
“Varësisht nga numri i rasteve të reja brenda ditës për një javë që paraqiten në secilën komunë veç e veç dhe nëse eventualisht kemi shtim të rasteve dhe rrezikohen kapacitete spitalore.. ne të presim se si do sillet situata epidemiologjike. Tani për tani situata është e menaxhueshme, tani për tani kemi ende kapacitete spitalore për të trajtuar pacientët dhe vetëm në rast se kemi rritje të vazhdueshme, atëherë me siguri që duhet të propozohen edhe masa të tjera”, ka thënë ai.
Krasniqi tutje ka thënë se duke parë shifrat e rasteve të reja që janë në rritje ditëve të fundit, presin një rritje të të infektuarve me koronavirus.
Në anën tjetër, Aurora Dollenberg, e cila është edhe kryetare e Federatës së mjekëve shqiptarë në Evropë, ka thënë se kanë kërkuar nga Bashkimi Evropian, ta ndihmojë Kosovën dhe trevat shqiptare me sigurimin e vaksinave anti-COVID.
“Ne jemi mbledhur si mjekë në Evropë dhe kemi shkruar një letër shumë kërkuese dhe solidarizuese ndaj Bashkimit Evropian dhe kryetares së saj, dhe kemi pasur reagim shumë pozitiv prej saj, dhe jemi në pritje të zgjidhjeve konkrete, se kur do të vijnë vaksinat për Kosovën dhe për trevat”, ka deklaruar ajo.
Kosova vazhdon të jetë në mesin e vendeve të pakta, që nuk kanë arritur të sigurojnë asnjë dozë të vaksinës anti-COVID. Ndonëse kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, e ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, disa herë kanë premtuar se në muajin shkurt arrijnë dozat e para të vaksinës, kjo ende nuk dihet se kur do të ndodhë.