Arbëri

Vendi mund të hyjë në krizë institucionale për shkak të presidentit, vlerësojnë analistët

(Ekonomia Online) - Vendi mund të zhytet në një krizë institucionale në mungesë të një presidenti konsensual, krejt kjo për faktin se partitë politike nuk janë të gatshme për bashkëpunim, vlerësojnë analistët politikë në vend.

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, vlerëson se partitë politike duhet ta bëjnë kuorumin për zgjedhjen e presidentit të ri, sepse vendi nuk e ka luksin të shkojë edhe një herë në zgjedhje, thotë ajo.

“Partitë politike në fakt duhet të qëndrojnë në Kuvend dhe të bëjnë kuorumin në mënyrë që të zgjidhen të gjitha institucionet. Vendi ynë nuk e ka luksin që të shkojë në zgjedhje të reja veç më ishim dhe ishim në zgjedhje paraprake vetëm një vit më para. Kosovës i duhet qëndrueshmëri i duhen institucione stabile dhe qytetarëve i duhet në fakt që të ketë një vazhdimësi”.

Por sipas Krasniqit partitë politike kosovare po hezitojnë të ja bëjnë kuorumin njëra-tjetrës, andaj ekziston mundësia që të kemi një krizë institucionale e cila mund ta dërgoj vendin në zgjedhje të reja.

“E para është që ne duhet të formojmë Kuvendin, certifikimi i rezultateve ende nuk ka ndodhur, pas konstituimit të Kuvendit është formimi i Qeverisë. Duhet të shohim ende se partia e parë sa vota ka fituar dhe sa do të shkojë, çfarë matematikash do të ketë, koalicionet para formimit të qeverisë apo do të mundet Vetëvendosje dhe Lista Vjosa ta formojnë vetëm Qeverinë, pra i kanë 61 vota apo do të duhet të kenë një koalicion me partitë e tjera dhe më pas është çështja e presidentit”.

“Nëse nuk ka një dakordim mes partive politike për të pasur një kuorum të dy të tretave në Kuvend atëherë që patjetër do të kemi një krizë institucionale e cila mund të na dërgojë në zgjedhje të reja”, tha ajo.

Edhe Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka thënë se është mirë që partitë politike të bien dakord për zgjedhjen presidentit.

“Ne kemi pasur kësaj radhe një fitore të qartë të një subjekti politik edhe mendoj që ai subjekt politik duhet ta marr përgjegjësinë për qeverisje, këtë radhë edhe për presidentin. Zonja Osmani si kandidate e ka propozuar Lëvizja Vetëvendosje se çka do të bëjnë partitë politike nuk e di, por besoj se ato do të rrijnë për shkak se nuk është mirë që vendi prapë të shkojë në zgjedhje sepse kam përshtypjen që nuk ka hapësirë për ndonjë kompromis për një Qeveri koalicioni, ose për një president tjetër”, tha Murati.

Murati ka thënë se për të mirën e vendit duhet të formohen institucionet që vendi mos të shkohej sërish në zgjedhje. Për të mirë e vendit, thotë ai, është më mirë të mos shkohet në zgjedhje të reja.

Ndërsa menaxheri i programeve në Demokracia Plus, Albert Krasniqi, ka thënë se është momenti që partitë politike të zgjedhin një president konsesual.

“Të gjitha partitë politike duhet të tregohen konstruktive sa i përket zgjedhjes së presidentit. Konsideroj që ky është një momentum shumë i volitshëm për të pasur një president konsesual, i cili nuk imponohet nga një subjekt politik”, tha ai.

Sipas Krasniqit presidenti do të duhej të ishte propozim që vjen prej opozitës për shkak se kështu do të mund të balancohej pushteti.

“Një kryeministër që ka kontroll edhe kryetarin e Kuvendit edhe shumicën parlamentare, por edhe mbi presidentin do të mund të mos kishte balancim të mirë të pushteteve. Kështu që nëse presidenti do të jetë prej një propozimi të opozitës atëherë edhe balancimi do të ishte më i mirë”, ka përfunduar Krasniqi.