Arbëri

Demaçi – frymëzuesi i rezistencës që u sakrifikua për çlirim

Descriptive Text

“Jo atyre që janë trima të ngrejnë gishtin e krimit, por atyre që janë burra të shtrijnë dorën e pajtimit”, ishte porosia në krye të romanit të parë të botuar në gjuhën shqipe në Kosovë. Ishte viti 1958, kur gazetari 22-vjeçar i “Rilindjes” do të arrestohej për “Gjarpijt e gjakut”, novela që protestonte kundër zakonit të gjakmarrjes, vëllavrasjeve dhe shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi. Si njeriu që mbajti më së shumti burg në Evropën e pasluftës së Dytë Botërore, ditëlindja e 85-të e Adem Demaçit ka bërë tok bashkëveprimtarë, bashkëvuajtës e miq. Për ta, “gjithnjë e më shumë po ndihet mungesa e tij”

Prishtinë, 26 shkurt – 85 vjet më parë, në një nga shtëpitë me qerpiç të Prishtinës së vjetër, familjes Demaçi iu shtua vatra me një djalë. Ishte pikërisht viti kur në Gjirokastër lindi Ismail Kadare, në Plavë Rexhep Qosja e në Lushnjë Vath Koreshi, por fati i rezervoi diçka të jashtëzakonshme djaloshit të imët me emrin Adem. Ai u bë historia e pazakontë e veprimtarit dhe intelektualit që guxoi t’i kundërvihej Jugosllavisë kur ishte në kulmin e fuqisë e të shihte edhe shkatërrimin e saj.

Me 28 vjetët e kaluar në burgjet e Jugosllavisë, Adem Demaçi do të bëhej një nga disidentët më të njohur në Evropë, integriteti i të cilit u çmua nga Parlamenti Evropian, kur më 1991 ia ndau çmimin “Sakharov” për kundërshtimin e tij “ndaj një regjimi autoritar e jotolerant”.

Autori i romanit të parë në shqip “Gjarpijt e gjakut” – vepër e cila qarkulloi dorë më dorë nga shqiptarë liridashës – do të jetonte përherë në kundërshtim me politikat e Jugosllavisë kundrejt shqiptarëve: në vitet ’50 iu kundërvu procesit të shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi, në vitet ’60 kërkoi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, kurse në vitet ’70 u shndërrua në frymëzimin e të burgosurve politikë shqiptarë që kishin mbushur burgjet e shtetit të sllavëve të jugut.

Emri që ngjallte shpresë edhe nga burgu

Edhe nga burgu emri i tij ngjallte shpresë tek studentët që kërkonin republikë.

I përthyer mes vlerësimeve dhe evokimeve, personaliteti i Demaçit është shkoqitur në dimensione të shumta nga bashkëveprimtarë, bashkëvuajtës e miq që iu bashkuan përpjekjes së tij.

Në shënim të ditëlindjes së tij të 85-të, Këshilli Organizues i “Pranverës shqiptare 1981” të premten ka organizuar një tryezë përkujtimore në mjediset e Institutit Albanologjik në Prishtinë.

Në fjalën e hapjes kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politikë, Hydajet Hyseni, e ka cilësuar Demaçin si vazhdues të denjë të plejadave atdhetare që nga Rilindja. Duke iu drejtuar të pranishmëve, ai ka thënë se “baca Adem” i bën sërish bashkë miqtë e tij edhe pa praninë e vet fizike.

“Në këtë përvjetor baca Adem Demaçi vjen si mungesë e dhimbshme e pranisë, por njëkohësisht edhe si prani domethënëse e mungesës së Demaçit”, ka thënë mes të tjerash Hyseni. “Ndihet gjithandej mungesa dhe boshllëku i pazëvendësueshëm, si dhe pasojat e mungesës së tij, e kjo bën që Demaçi të ndihet gjithnjë i pranishëm dhe real”.

Image
Në shënim të ditëlindjes së 85-të të Adem Demaçit, Këshilli Organizues i “Pranverës shqiptare 1981” të premten ka organizuar një tryezë përkujtimore në mjediset e Institutit Albanologjik në Prishtinë

I pranishëm në tryezë ishte edhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili nëpërmjet një fjale të shkurtër e ka vlerësuar Demaçin si heroin e rezistencës shqiptare.

“Edhe nga hekurat ku ishte, Adem Demaçi ishte frymëzim i gjallë për ne”, ka thënë Ahmeti, teksa ka kujtuar kohën kur vepra e tij “Gjarpijt e gjakut” qarkullonte nga dhoma në dhomë nëpër konviktet e studentëve.

“Prej tij mësuam për rezistencën, transparencën, por edhe mësuam që të mos ishim oportunistë e servilë”, ka shtuar kreu i BDI-së.

Idealisti për çlirimin e Kosovës

Në vazhdim profesori i letërsisë dhe shkrimtari Agim Vinca ka lexuar pjesë nga kumtesa e tij “Adem Demaçi shkrimtar”. Sipas tij, Demaçi si idealist i vërtetë ëndërronte për çlirimin e Kosovës nga zgjedha serbe dhe bashkimin e saj me Shqipërinë.

“Për hir të kësaj ëndrre Adem Demaçi i sakrifikoi talentin dhe karrierën e tij prej shkrimtari të dorës së parë. Kur ra në burg për herë të parë, në vitin 1958, me akuzën për ‘agjitacion e propagandë’, Ademi ishte emër i njohur në letrat shqipe në Kosovë”, ka thënë Vinca.

Edhe drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Hysen Matoshi, teksa ka lexuar pjesë nga kumtesa e tij, ka thënë se dënimet drakonike që Jugosllavia ua shqiptonte shqiptarëve nuk janë një dukuri lehtë e shpjegueshme.

“Kjo sidomos nëse kundrohen jashtë kontekstit të hegjemonisë ideologjike dhe praktikave shoviniste që shtetet sllave zbatuan përgjatë një shekulli e gjysmë”, ka thënë ai.

Në vazhdim kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Shyqri Galica, ka analizuar dimensionin artistik në veprën dokumentare të Demaçit. Sipas tij, pikëpamjet e synimet e veprimtarit të njohur jepen më së miri në veprën e tij letrare e publicistike “ku ndërtohet portreti sintetik i atdhetarit dinjitoz, që synon lirinë, të drejtën për vetëvendosje”.

I pranishëm në tryezë ishte edhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili në adresimin e tij ka thënë se baca Adem i përjetoi tri Jugosllavi, duke qenë i dënuar me gjithsej 28 vjet burg.

“Kur u lirua nga burgu, në prill të vitit 1990, ai tha se po del nga burgu i vogël në burgun e madh”, ka thënë Kurti, teksa ka treguar se për herë të parë e kishte parë Demaçin më 1991, sa kohë ishte nxënës në shkollën “Xhevdet Doda”.

“Është disidenti më i madh evropian pas Luftës së Dytë Botërore dhe të gjithë e kemi njohur si të pathyeshëm e të palodhshëm”, ka shtuar Kurti.

“Jo atyre që janë trima të ngrejnë gishtin e krimit…”

Ndërkohë gjatë ditës Këshilli Organizativ “Pranvera Shqiptare 81”, si dhe ish-të burgosur politikë kanë bërë homazhe pranë varrit të Adem Demaçit në varrezat në “Velani”.

“Jo atyre që janë trima të ngrejnë gishtin e krimit, por atyre që janë burra të shtrijnë dorën e pajtimit”, kjo ishte porosia në krye të romanit të parë të botuar në gjuhën shqipe në Kosovë.

Ishte viti 1958, kur gazetari 22-vjeçar i “Rilindjes” do të arrestohej për “Gjarpijt e gjakut”, novela që protestonte kundër zakonit të gjakmarrjes, vëllavrasjeve dhe shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi. Në procesin gjyqësor të zhvilluar kundër tij në Gjyqin e Qarkut në Prishtinë, në mars të vitit 1959, Demaçi do të bëhej i pari veprimtar që paralajmëroi publikisht rrënimin e Jugosllavisë.

“Nga ky vend po them edhe një herë se nëse Serbia e Jugosllavia nuk heqin dorë nga okupimi i Kosovës, dhe nëse nuk do të lejojë që Kosova të shkëputet nga Jugosllavia e t’i bashkohet Shqipërisë, atëherë nuk do të ketë as paqe, as qetësi, as në Ballkan, as në Jugosllavi, as në Serbi. Nëse Serbia do të vazhdojë këtë politikë ndaj shqiptarëve, një ditë ajo ka për t’u bërë shkaktari që të shpartallohet krejt Jugosllavia dhe në fund do të mbetet edhe pa Kosovën. Kaq”, kishte thënë Demaçi i ri.

I lindur më 26 shkurt të vitit 1936, në një familje të varfër prishtinase, Adem Demaçi mbaroi shkollën fillore në Prishtinë më 1946, ku do ta kryente edhe gjimnazin.
Sëmundja e nënës Nazife e detyroi t'i ndërpriste studimet në Degën e Letërsisë Botërore në Universitetin e Beogradit, ku arriti t'i ndiqte pesë semestra. Me t'u kthyer në Prishtinë, ai u punësua si gazetar në ndërmarrjen botuese "Rilindja". Dhuntia e tij letrare gjeti shprehje në dhjetëra tregime e novela që i botoi në periodikun “Jeta e re”, që asokohe drejtohej nga Esad Mekuli.

Qysh në tregimet e para si “Kthimi” e “Mestani”, letrari i ri prishtinas i kundërvihej shpërnguljes së organizuar të shqiptarëve drejt Turqisë.

Pak pas botimit të romanit të tij të parë “Gjarpijt e gjakut”, Demaçi në nëntor të vitit 1958 do të arrestohej. Pas një procesi të shpejtë gjyqësor, Gjyqi Suprem i Serbisë ia vërtetoi dënimin në tre vjet, të cilët i vuajti në kazamatin e Mitrovicës së Sremit në Vojvodinë.

Ai do të burgosej sërish në vitet 1964-1974 dhe 1975-1990, sa në vitet ‘80 konsiderohej si më i shquari disident politik në Jugosllavi. Pas lirimit nga burgu më 28 prill 1990, Demaçi do të angazhohej në fushën e të drejtave të njeriut, dhe më 1991 u bë kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Më 1991 ai do të nderohej me çmimin “Sakharov” për lirinë e mendimit nga Parlamenti Evropian në Strasburg.

Në kohën e luftës në Kosovë, Adem Demaçi u angazhua si drejtor politik i UÇK-së, ku bëri emër me kundërshtimin e tij kategorik ndaj nënshkrimit të Marrëveshjes së Rambujesë (shkurt 1999). Ndër veprat e tij kryesore letrare janë: “Kur zoti harron” (Prishtinë 1991); “Libër për Vet Mohimin” (Skien 1994), “Tung vargu im” (Prishtinë 2002) dhe “Dashuria kauntike e Filanit” (Prishtinë 2007).

Adem Demaçi vdiq më 26 korrik të vitit 2018.