Arbëri

Rugova konsideron se lidershipi i LDK-së po mundohet të imponojë zgjedhjen e kryetarit të ri

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, ka thënë se me caktimin e Kuvendit zgjedhor për zgjedhjen e kryesisë së re të LDK-së pa mbajtur fare mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, lidershipi i LDK-së po mundohet të “fusë duart në procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri”.

LDK-ja dje njoftoi se më 14 mars do të mbajë Kuvendin zgjedhor për të zgjedhur kryesinë e re, pas dorëheqjes së kreut Isa Mustafa, si pasojë e rezultatit të dobët në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Këtë veprim e konsideroj si të ngutshëm sepse është dashur të ketë mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm, të bëjë debat të brendshëm, të bëjë përgatitjet e brendshme dhe Kuvendi qendror më pas të zgjedhë kryetarin”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Sipas tij, në Këshillin e Përgjithshëm duhet të pritet për propozimet për plotësim-ndryshimin në statut të LDK-së, për të përmirësuar garën për kryetar.

“Ky lidership po mundohet të imponojë zgjedhjen e kryetarit të ri. S’e kuptoj pse ky lidership nuk e fton mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së. Ai është forumi më i lartë partiak mes dy kuvendeve. Është dashur të bëjmë analizë pse kemi ardhur deri këtu. Dilema ime është që hezitimi i tyre që të thirret kjo mbledhje konsiston me atë që këta njerëz që kanë sjellë partinë në rezultat të paparashikueshëm, po tentojnë t’i bëjnë ‘reformat’. S’mundet ky lidership që e ka sjellë në këtë derexhe partinë, ta reformojë, ristrukturojë partinë sepse këta janë përgjegjës kryesorë për këtë debakël”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, lidershipi i LDK-së po mundohet “të blejë kohë për të bërë riciklime”.