Arbëri

KQZ: Janë rinumëruar 70% e 552 vendvotimeve, procesi drejt fundit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka deklaruar se procesi i rinumërimit të votave dhe vlerësimit të pakove nga diaspora është në përfundim.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar se deri më tani janë rinumëruar 70 për qind apo 377 vendvotime, nga 552 sa është numri i tyre. Ai ka thënë se rinumërimi mund të përfundojë të shtunën.

Për pakot e supozuara me fletëvotime, Elezi ka thënë se deri tani janë hapur 41.236 pako, ku janë aprovuar 48.728 zarfe ndërsa janë refuzuar 18.876 të tjera.

“Arsyet e refuzimit janë të ndryshme ku i kemi ndarë në pesë grupe. 8.417 kanë ardhur nga persona që s’janë regjistruar për votim, 6.113 janë që s’kanë arritur të regjistrohen për aplikim, 1.268 janë votues që kanë dërguar fletëvotime nga dy herë, 2.249 zarfe kanë ardhur nga votues të paidentifikuar dhe 821 zarfe kanë ardhur nga votues me dokumente jovalide.

“Pas përfundimit të procedurave, KQZ-ja mund të bëjë shpalljen e rezultateve përfundimtare”, ka thënë ai para mediave.