Arbëri

Spahija: Organet e drejtësisë të veprojnë shpejtë me dëshmitarët në rastin “Subvencionet 2021”

Florent Spahija nga KDI ka thënë se Prokuroria e Shtetit është aktivizuar dhe se po lufton korrupsionin në vend me rastin e subvencioneve.

Ai thotë se korrupsioni në Kosovë është i thellë, ndërsa shprehet se gjyqësori duhet të veprojë shumë shpejt me të dyshuarit dhe dëshmitarët e rastit.

“Arrestimet dje dhe sot është goxha e nevojshme që këta persona të arrestuar të tregojnë të vërtetën dhe ata persona që kanë shfaqur dëshirën të bashkëpunojnë është për tu përshëndetur. Në raste të tilla kur ka shumë bashkëpunëtor prokurorët duhet të punojnë shumë shpejt dhe të marrin deklaratat e tyre dhe të mos humbin ato deklarata sepse nëse kalon kohë e gjatë dinë dhe të ndryshojnë”, ka deklaruar ai në Interaktiv.

Spahija tha se deklaratat në Gjykatë duhet të regjistrohen me kamerë pasi, sipas tij, ato me shkrim pas disa vitesh mund të ndryshohen. Arrestimet që nisën dje e që vazhduan edhe të enjten lidhur me rastin e subvencioneve, ai i quan mesazh të mirë për njerëzit që t’ua kthejë besimin tek organet e drejtësisë.

“Nuk është rast aty për aty, por pas hetimeve të gjata. Nëse prokuroria ka mbledhur prova gjykata nuk ka si të vendosë ndryshe nga provat. Gjykata kërkon dhe vlerëson secilën provë, e rëndësishme është shpejtësia dhe efikasiteti i prokurorit dhe gjyqësorit. Dëshmitarët që merren duhet të regjistrohen me kamerë. Marrja e deklaratave me shkrim shpesh po konsiderohet problematike pasi pas disa vitesh ndryshohen nga dëshmitarët dhe rastet po bien para gjykatës. Nëse veprojnë shpejt do ishte shumë mirë dhe që të kthehet besim i publikut tek gjyqësori. Do ishte mesazh i mirë për njerëzit që vazhdojnë të korruptohen si dhe njerëzit si bujqit në këtë rast që të vetëdijesohen. Prokurorët duhet të jenë vigjilent dhe të mendojnë në shumë aspekte që në fund rezultati të jetë dënimi i këtyre personave”, ka shtuar ai.