Arbëri

9 fermerë u arrestuan për dhënie ryshfeti për subvencione, u liruan pasi pranuan të bashkëpunojnë

Për me pak së 1 muaj e gjysmë 9 fermerë kosovarë dyshohet së kanë dhënë ryshfet për zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë, në mënyrë që të përfitojnë subvencione.

Afera tashmë e njohur si “Subvencioni 2021” ka filluar të hetohet në janarin e këtij viti. Një nga masat që hetuesia ka zbatuar në zbulimin e këtij rasti është vëzhgimi me anë të videoincizimeve e formave të tjera të përcjelljes.

Nëntë fermerët që në bazë të këtyre provave dyshohet së kanë marrë ryshfet janë shoqëruar të enjten në polici, por pas intervistimit, të gjithë janë liruar në procedurë të rregullt.

Arsyeja pse fermerët janë liruar në procedurë të rregullt, siç ka mësuar KOHA, është fakti së kanë pranuar të bashkëpunojnë me hetuesinë dhe kanë treguar së u kanë dhënë ryshfet zyrtarëve të arrestuar të mërkurën.

Zyrtarët e arrestuar dyshohet së kanë marrë ryshfet në vazhdimësi.

Nga burime të saj KOHA ka siguruar dy fotografi që janë bërë në ambientet e Ministrisë së Bujqësisë e ku shihet një zyrtar duke marrë para.

Njëra foto është bërë më datë 3 shkurt në orën 14:34. Një person, fytyra e të cilit nuk vërehet në foto i ofron njërit prej zyrtarëve të arrestuar një shumë të hollash. Në tavolinën, e cila gjendet në këtë ambient, vërehen qartë dokumente me logo të institucioneve.

Në të njëjtën zyrë, KOHA ka siguruar edhe një tjetër foto, ku shihet zyrtari i njëjtë duke marrë para.

Kjo foto është nxjerrë nga videoja e bërë më datë 12 shkurt, rreth orës 15:40. Aty shihet zyrtari duke pranuar 200 euro.

Nga aksioni dyditor janë të arrestuar 12 persona, nga të cilët 11 janë dërguar në paraburgim, ndërsa pjesa tjetër janë lëshuar në procedurë të rregullt.

Të arrestuarit të premten me kërkesë të prokurorit të rastit Rafet Halimi do të dalin para gjyqtarit në seancën për caktimin ose jo të masës së paraburgimit.