Arbëri

Serbia në pritje të pjesës së dytë “të urimit” nga SHBA-ja e BE-ja për Ditën Shtetërore

Gazeta serbe “Veçernje Novosti” shkruan se institucionet më të larta të Serbisë janë në pritje, siç është thënë të pjesës së dytë të letrës uruese për Ditën Shtetërore, që u festua më 15 shkurt.

Sipas mediave serbe do të jetë një “Non-paper”, letër jozyrtare ku shprehet qëndrimi për një çështje të caktuar, e në atë për Serbinë do të jetë qëndrimi i SHBA-së dhe BE-së se duhet të njihet pavarësia e Kosovës.

“Veçerenje Novosti” shkruan se zyrtarët në Serbi janë të njohur me këtë dokument joformal dhe se vizita e emisarit special të BE-së për dialogun, në Beograd, është paralajmërim për këtë.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, i kishte nisur presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, letër për Ditën Shtetërore, në të cilën kishte shprehur besimin se do të punohet në atë drejtim që të njihet pavarësia e Kosovës. Për këtë, mediat serbe letrën joformale, e kanë quajtur “pjesa e dytë e urimit”.

Kohëve të fundit, Vuçiq në disa raste ka thënë se do të shtohet presioni ndaj Serbisë për të njohur pavarësinë e Kosovës. Kjo është parë si përgatitje e opinionit në këtë vend.