Arbëri

Buzhala: Konsumatorët do të paguajnë më pak për energji elektrike deri në maj

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka shpjeguar arsyet pse është paguar më pak për energji elektrike nga konsumatorët gjatë muajit janar.

Buzhala ka thënë se arsyeja është shkaku i Pakos së Rimëkëmbjes të miratuar në Kuvend, ku Qeveria e ka paraparë që nga muaji janar deri në maj të subvencionohen prodhuesit e energjisë së ripërtritshme. Ai ka thënë se është ndarë shumë 16 milionë euro për këtë, dhe se kjo do të vërehet në fatura të konsumatorëve që do të jenë më të ulëta.

“Qeveria e ka paraparë në Ligjin për Rimëkëmbje, të miratuar para disa muajve, që të subvencionohen prodhuesit e energjisë së riprëtritshme, shumë deri 16 milionë euro, që do të ndahet për ta nga muaji janar deri në maj. Dua të cek se kjo ndikon direkt në fatura të konsumatorëve. Energjia që prodhojnë këta prodhues, ajo pjesë zbritet. PO flasim një zbritje që shkon në 0.0061 euro, do të thotë për 1000 kË i bie zbritje 6.1 euro, për secilin konsumator”, ka thënë Buzhala në emisionin SOT të KTV-së. “Kjo zbritje ka filluar nga faturat e janarit e do të vazhdojë deri në faturat e majit”.

Buzhala ka treguar edhe për vështirësitë me të cilat është përballuar KEDS-i gjatë përmbytjeve në Kosovë.

“Kushtet atmosferike ndikojnë në secilin rrjet elektrik të botës, edhe rrjeti i jonë është prekur. E tërë infrastruktura ka qenë e dëmtuar dhe jo vetëm ajo elektrike, por edhe ajo përcjellëse rrugore. Është prekur më së shumti rajoni i Dukagjinit, përkatësisht, Peja, Deçani e edhe Istogu. E kishte dëmtime mjaft edhe në Gjakovë. Dërguam dhjetëra ekipe atje, dhe ekipe nga zona tjera, që të kemi riparim sa më të shpejt të dëmeve e të kthehet energjia elektrike”, ka thënë Buzhala, duke treguar se kushtet atmosferike kanë ndikuar që të ketë problem me energji elektrike edhe në një shtet siç është Teksasi. “Kemi pasur qindra punonjës duke punuar ditë e natë në atë zonë, kanë rregulluar shtylla të rrëzuara, përçues të këputur. Ne jemi fokusuar në prishje më të mëdha, që kanë prekur më tepër konsumatorë, të cilat janë rregulluar për një apo dy ditë, e më pas në prishje që kanë prekur numër më të vogël të konsumatorëve e deri te rastet që janë prekur konsumatorët individual”.

Buzhala ka folur edhe për projektin për rrjetin nëntokësor. Ka thënë se ky projekt në Prishtinë pritet të përfundohet gjatë këtij viti, pasi ka pasur vonesa shkaku i pandemisë. Ndërsa parashihet një gjë e tillë të përfundohet edhe në rajonin e Dukagjinit së shpejti, gjë që më pas ndikimi i kushteve atmosferike në rrjetin e energjisë elektrike thuase do të ishte zero.