2 perditesime
23:34

Qorrolli tregon arsyet pse u ndëshkua LDK-ja në zgjedhjet e 14 shkurtit

Juristi Vigan Qorrolli në Interaktiv të KTV-së ka treguar për arsyet që e kanë penalizuar LDK-në në zgjedhjet e 14 shkurtit, ku ka regjistruar rezultatin më të dobët ndonjëherë në histori.

Ai ka thënë se largimi i Vjosa Osmanit e ka penalizuar LDK-në, por se dy arsye janë kryesore, e para uljet e ngritjet e saj në qeveritë e deritashme, dhe së dyti nata e 25 marsit, kur u rrëzua Qeveria Kurti 1 në kohë pandemie.

“Nëse zonja Osmani e ka dëmtuar në atë masë LDK-në duke e vënë në rezultatin më të ulët elektoral që nga themelimi i saj, në këtë drejtim sot kishte një reflektim. Më pëlqeu një reagim i një ministri në detyrë i LDK-së, që tha megjithatë LDK-ja nuk e ka kuptuar ende shkallën e humbjes. Është e vërtetë që LDK-ja duket se është më e traumatizuara në këtë drejtim. Patjetër ka ndikuar faktori Osmani, por kam dy argumente për humbje, apo saktësisht për rënien e madhe të LDK-së. Dimë që LDK-ja nuk ka fituar zgjedhje qe 15 vjet. Duke qeverisur si e dyta apo e treta në zgjedhje, me ato plasaritje e dashuri me PDK-në që nuk arrinte t’i justifikonte para publikut se pse po qeverisë me një parti që nuk rresht së akuzuari për korrupsion dhe keqqeverisje. Së dyti ishte nata e 25 marsit, është çelësi i argumentit, ku u mblodhën gjitha partitë me mbi 80 vota dhe rrëzuan një Qeveri të ligjshme në kohë pandemie, kur qytetarët frikësoheshin për jetë. LDK-ja e rrëzoi qeverinë tha anti-amerikanizëm e nuk arriti ta justifikonte këtë para publikut. E më 3 qershor e bëri një qeveri me partitë që tradicionalisht i akuzonte, e u fut në qeveri që u shpall nulle në fund nga Kushtetuesja”, ka thënë Qorrolli.


Çështja e presidentit sipas Qorollit

Vigan Qorrolli ka sqaruar edhe çështjen e zgjedhjes së presidentit. Sipas tij, Vjosa Osmani ka avantazh për këtë post, por shton se as Ramush Haradinaj nuk duhet të neglizhohet si kandidat i fortë.

“Osmani ka avantazh shumë për këtë. Ka gjithë barrën VV-ja për ta bërë presidente atë. Do ta shohim koniunkturën nëse merr 60 vota dhe si ka filluar lufta me Listën serbe nuk e di nëse do ta votoj ajo. LDK-ja ende nuk ka qëndrim të prerë. Nuk pres që të qëndrojnë në sallë. Kemi planin e dytë, Haradinaj që është kandidat që nuk duhet hedhur poshtë. Është kandidaturë e fortë. Nuk di nëse VV-ja ka plan për at bërë atë president”, tha Qorrolli.

Ai shton se Kuvendi mund të shpërndahet nëse brenda afatit kushtetues nuk zgjidhet presidenti.

“Nëse më 5 prill Kuvendi nuk fillon procedurat për zgjedhjen e presidentit, aktivizohet neni i Kushtetutës që fillon të aktivizohet një afat i ri 60 ditësh që nëse nuk zgjedhjet atëherë shpërndahet Kuvendi”, ka thënë ai.

 

23:19

Qorrolli flet për frikësimin e serbëve nga Lista Serbe si metodë funksionimi

Juristi Vigan Qorrolli thotë se Lista Serbe po përdor dhunën fizike si mjet propagande për të arritur qëllimet e saj.

Ai në një intervistë në Interaktiv të KTV-së tha Lista Serbe me ndihmën e Beogradit ka arritur të frikësojë serbët, jo vetëm në veri, por edhe në komunat tjera në gjithë Kosovën.

“Lista Srpska, jo vetëm në veri, ka intimiduar votuesit në të gjitha komunat ku ka serbë, sepse ato komuna së pari i kontrollon dhe pastaj në mungesë të pluralizimit brenda komunitetit serb, i intimidon njerëzit. Dhe kjo shkoi deri aty sa u rrah fizikisht i biri Nenad Rashiqit. Kjo ka të bëjë me dhunën politikë si mjet propagande, me bekimin e Beogradit”, ka thënë Qorrolli.

Ai ka nënvizuar se pas gjithë kësaj që ka bërë Lista Serbe në zgjedhjet e fundit, ku është folur edhe për dyshimin e manipulimit të votave të pakicave tjera, duhet të ketë ndryshime kushtetuese.

“Fatkeqësisht edhe këto ndryshime nuk mund të bëhen pa votat e deputetëve serbë”, tha ai.

23:17

Qorrolli flet për dyshimet e manipulimit të votave nga Lista Serbe

Juristi Vigan Qorrolli në Interaktiv të KTV-së ka folur mbi dyshimet e ngritura për manipulim të votave nga Lista Serbe në zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë. Dyshimet u ngritën nga komunitetet pakicë në vend, kryesisht ai boshnjak dhe egjiptian se Lista Serbe kishte manipuluar përmes Iniciativës Rome, një strukturë e re, për ta fuqizuar rolin e tyre në Kuvend.

Qorrolli thotë se kjo është bërë me direktivë të Listës Serbe, sipas tij, ashtu siç ishte futur fillimisht në Kuvend duke përjashtuar partitë tjera nga i njëjti komunitet.

“Kjo është bërë me direktiva të Listës serbe, që unë e quaj një lloj të djallit kushtetues brenda sistemit tonë politik, u krijua tek me marrëveshjen e Brukselit, me direktivën e Vuçiqit dhe arriti të futet në kuvend pa asnjë therrë në këmbë duke i përjashtuar partitë e tjera pakicë tradicionale”, tha ai.

Qorrolli thotë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të vërtetojë nëse votat të cilat i kanë shkuar Iniciativës Rome nga qytete ku numri i këtij komuniteti është shumë i vogël ose që nuk ka asnjë të tillë, janë të vërteta dhe nëse ato prodhojnë legjitimitet.

Ai thotë se partitë tjera ashtu edhe individët e pakënaqur me këtë situatë mund të arrijnë deri në Gjykatën Kushtetuese me ankesë.

Qorrolli insiston se duhet të vërtetohet nëse këto vota kanë karakter përfaqësimi.