Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Me planin e vaksinimit kundër COVID-19 synohet të vaksinohen 1.26 milionë banorë

Sipas planit për vaksinim kundër COVID-19 në Kosovë, të zhvilluar nga Komiteti për Imunizim kundër COVID-19 dhe nga grupi punues i themeluar nga MSH-ja, parashihet që në fazën e parë të vaksinohet vetëm tre për qind e popullatës, ku do të hyjnë punonjësit shëndetësorë dhe të moshuarit.

Në fazën e parë, që pritet të kryhet vaksinimi me anë të vaksinave që do të vijnë nga programi COVAX, do të vaksinohen në total rreth 54 mijë persona.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në fazën e dytë, është paraparë të vaksinohen 17 për qind e popullatës, apo rreth 306 mijë persona, edhe kjo me ndihmën e vaksinave të COVAX-it.

Ndërkohë në fazën e tretë, sipas planit të hartuar, pritet të vaksinohen edhe 50 për qind e popullatës apo rreth 900 mijë persona.

Në total sipas planit, pritet të vaksinohet 70 për qind e popullatës, apo në total 1.26 milionë banorë, e që do të duhen sipas llogarive të komitetit 2.66 milionë doza të vaksinave.

Për vaksinim kundër COVID-19, Qeveria e Kosovës ka ndarë 40 milionë euro. Në planifikim është thënë se duhet bërë zëvendësimi i pajisjeve aktuale të zinxhirit të ftohjes, pasi ajo që e ka Kosova është 20 vjet e vjetër dhe nuk i përmbush kriteret e OBSh-së për ruajtjen e vaksinave. Zëvendësimi është vlerësuar se kushton mbi 2.2 milionë dollarë.

Komiteti ka treguar edhe variantet, varësisht se çfarë vaksine përdoret në fazën e tretë. Nëse përdoret në fazën e tretë të vaksinimit vaksina e AstraZenecas, që mund të ruhet në temperatura 2 deri 8 gradë Celsius, atëherë kostoja do të jetë më e ulët, 5.147.157 dollarë. Nëse përdoret vaksina e Modernas, kostoja do të jetë 42.305.400 dollarë. Kjo vaksinë duhet të ruhet në temperaturë minus 20 gradë Celsius. E nëse përdoret vaksina e Pfizer/BioNTech, atëherë kostoja do të arrijë në 34.549.410. Kjo vaksinë duhet të ruhet në temperatura minus 70 gradë Celsius.

Kosova është vendi i vetëm në rajon që nuk ka mbërritur asnjë dozë e vaksinës. Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë më herët se vaksina do të vijë gjatë muajit shkurt, ndërkohë që të hënën tha se po punohet në këtë drejtim.