Arbëri

Osmani: Presim që certifikimi i rezultateve të ndodhë sa më shpejt

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, përmes një statusi në Facebook, ka thënë se presin që certifikimi i rezultateve të ndodhë sa më shpejtë dhe të respektohen të gjitha procedurat ligjore në këtë proces, në mënyrë që konstituimi i institucioneve të ndodhë sa më parë.

Ajo ka thënë se gjatë këtyre ditëve ka takuar ambasadorë të shumtë të akredituar në Kosovë, me ç’rast është vlerësuar lart pjesëmarrja e madhe e qytetarëve të Kosovës në procesin zgjedhor të 14 shkurtit si dhe vullneti i tyre i qartë për ndryshim.

Osmani më tej ka shkruar se prioritetet e tyre do të jenë zgjidhja e problemeve me të cilat ballafaqohen qytetarët tanë për çdo ditë, duke mbrojtur, në të njëjtën kohë, interesat e vendit tonë edhe jashtë kufijve e duke ndërtuar një imazh për shtetin me të cilin do të ndihen krenarë të gjithë qytetarët tanë por edhe aleatët tanë.

“Gjatë këtyre ditëve kam takuar ambasadorët e QUINT-it (SHBA, Gjermani, Mbretëri e Bashkuar, Francë, Itali) si dhe atë të Bashkimit Evropian. Në të gjitha këto takime, është vlerësuar lart pjesëmarrja e madhe e qytetarëve të Kosovës në procesin zgjedhor të 14 shkurtit si dhe vullneti i tyre i qartë për ndryshim. Qytetarët e kanë ndërtuar rrugën tonë përpara, nga e cila nuk do të devijojmë në asnjë moment e në asnjë rrethanë. Përgjatë viteve në vijim, prioritetet tona të do të jenë zgjidhja e problemeve me të cilat ballafaqohen qytetarët tanë për çdo ditë, duke mbrojtur, në të njëjtën kohë, interesat e vendit tonë edhe jashtë kufijve e duke ndërtuar një imazh për shtetin me të cilin do të ndihen krenarë të gjithë qytetarët tanë por edhe aleatët tanë. Presim që certifikimi i rezultateve të ndodhë sa më shpejtë dhe të respektohen të gjitha procedurat ligjore në këtë proces, në mënyrë që konstituimi i institucioneve të ndodhë sa më parë”, ka shkruar Osmani në Facebook.