6 perditesime
16:32

Nis rinumërimi i 494 vendvotimeve

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka nisur numërimi i 494 vendvotimeve.

Kjo është vendosur në mbledhjen e sotme të KQZ-së, për shkak siç kanë thënë ata të problemeve të auditimit.

KQZ-ja ka ndarë në kategori vendvotimet që do të rinumërohen, për arsye të mospërputhjeve të formularëve të rezultateve.

Kategoritë në vijim:

1. Gabimi në bartjen e votës, pasi janë bartur votat gabimisht në subjektet politike dhe nuk kanë arritur ta kalojnë auditimin
2. Gabimi në bartjen në formularët e rezultateve të kandidatëve, për shkak që numri i votave ishte i paqartë
3. Kandidati ka më shumë vota sesa subjekti politik
4. Kur subjekti ka vota, ndërsa kandidati nuk ka vota dhe anasjelltas.

16:32

Nis rinumërimi i 494 vendvotimeve

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka nisur numërimi i 494 vendvotimeve.

Kjo është vendosur në mbledhjen e sotme të KQZ-së, për shkak siç kanë thënë ata të problemeve të auditimit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se këto vendvotime u takojnë komunave të ndryshme.

Ndërkaq sipas tij, arsyet e rinumërimit të këtyre vendvotimeve mund të kategorizohen në katër grupe kryesore:

1. Gjatë procesimit të formularëve të rezultateve të subjekteve politike dhe kandidatëve 35 vendvotime nuk kanë mundur të procesohen si të rregullta për shkak se gjatë auditimit është vërejtur se nuk janë bartur saktë votat e subjekteve politike në formularin e rezultateve.

2. Gjatë procesimit të formularëve të rezultateve të kandidatëve 6 vendvotime nuk kanë mundur të procesohen si të rregullta për shkak të problemeve teknike. Këta formularë janë plotësuar në mënyrë të paqartë dhe nuk mund të lexohen me saktësi.

3. Në formularët e rezultateve të kandidatëve, në 370 vendvotime, është vërejtur se kandidati ka më shumë vota se subjekti politik dhe në raste të caktuara të gjithë kandidatët kanë më shumë vota se subjekti politik.

4. Në 83 vendvotime, gjatë krahasimit të votave të subjekteve politike me votat e kandidatëve, rezulton se te të gjitha këto raste subjekti nuk ka vota, ndërsa kandidati apo kandidatët kanë vota dhe anasjalltas.

Ai ka thënë se në përgjithësi, numri i vendvotimeve të rinumëruara deri më tani me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përfshirë dhe 12 vendvotimet e rinumëruara javën e kaluar, është: 506 vendvotime.

“Në anën tjetër, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar punën Shërbimi Votues, i cili po bën vlerësimin e rreth 43 mijë e 500 pakove të supozuara me fletëvotime, të cilat janë pranuar gjatë periudhës së votimit përmes postës. Përmes këtij procesi do të mund të saktësojmë numrin e fletëvotimeve të cilat kanë ardhur nga jashtë vendit”, ka thënë ai.

Elezi ka shtuar se deri më tani janë hapur 19 mijë e 168 pako të supozuara me fletëvotime që i janë nënshtruar procesit të vlerësimit, e që brenda një pakoje mund të ketë më shumë se një zarf me fletëvotim.

“Pas vlerësimit janë aprovuar 22 mijë e 326 zarfe me fletëvotime, ndërsa janë refuzur 9 mijë e 49 zarfe me fletëvotime. Arsyet e refuzimit të tyre janë të ndryshme. Disa prej këtyre pakove janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosoës; disa të tjera për shkak se janë dërguar nga persona që janë refuzuar në periudhën e aplikimit. Po ashtu, në disa raste pakot janë dërguar nga votues të paidentifikuar (votim grupor); apo se në pakon që kanë dërguar kanë bashkangjitur dokumente jo-valide”, ka shtuar tutje ai.

14:42

Kurteshi e quan injorante Dakën: Nuk di ta bëjë dallimin mes kryetares e kryesueses

Anëtari i Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi, e ka quajtur kryesuesen e KQZ-zë, Valdete Daka, injorante. Ai ka thënë se Daka nuk di ta bëjë dallimin mes kryetares e kryesueses.

Kurteshi reagoi pasi Daka tha se është titullare e KQZ-së dhe se informatën nga Prokuroria Speciale e ka pranuar si titullar e KQZ-së.

Kurteshi ka folur pasi anëtarët e tjerë të KQZ-së janë larguar nga mbledhja, ndërsa me të ishte vetëm Alim Rama i Vetëvendosjes.

“Rezistenca e sistemit të vjetër është shumë e madhe. I hapëm çështjet dhe u pa çfarë përgjigjen jepen. Ka zvarritje në QNR, fshehje të informatave në Sekretariat, ka urdhra nga Sekretariati e KQZ-ja që në QNR të mos u jepen informata anëtarëve të KQZ-së. Mua personalisht më është thënë në QNR se nuk mund të jap këtë informatë pasi kryeshefi ka vendosur kështu. Kryeshefi vendos cilat informata i merr anëtari i KQZ-së. Ky është sistemi i vjetër i kriminalizuar. Kryeshefi nuk është zgjedhur rastësisht ashtu siç është zgjedh. Edhe kjo kryesuese që i thotë vetes kryetare, nuk është kryetare. Është injorante, nuk e di me dallu çfarë është kryetare e çfarë kryesuese, rolin e funksionin e dy koncepteve nuk i di. 14 shkurti ka ngjarë, ka ngjarë ndryshimi. Ndryshimi po vjen”, ka thënë Kurteshi.

14:32

Daka: Prokuroria Speciale ka bërë hetim për disa vota nga diaspora

Kryesuesja e KQZ-së, Valdete Daka, ka konfirmuar se Prokuroria Speciale ka bërë një hetim për disa vota nga diaspora, por ajo ka thënë se përderisa Prokuroria nuk del me njoftim vet, ajo nuk mund të përzihet në hetime.

“Prokuroria ka bërë një hetim për disa vota nga diaspora por përderisa Prokuroria nuk del me një njoftim unë nuk kam të drejtë të përzihem në hetime të cilat janë duke u zhvilluar. Dhe, po Sami, kam urdhërin që më është dorëzuar mua por prokuroria po të gjente të arsyeshme do tua dorëzonte edhe juve, me pas dashte me e bo publike do ta bënte”, ka thënë Daka.

Kjo ka ngjallë në reagime të anëtarit të VV-së në KQZ, Sami Kurteshi, që ka pyetur pse nuk është ndarë ky njoftim me anëtarët tjerë të KQZ-së.

Mirëpo, Daka ka thënë se njoftimi i ka ardhur asaj si titullare e KQZ-së.

E ky fakt ka nxitur reagim nga Kurteshi dhe anëtari tjetër i VV-së në KQZ, Alim Rama.

“Kur është çështja e përgjegjësi je duke thënë se si kolegjium marrim vendime. E për çështje tjera po je titullare”, ka thënë Kurteshi.

Ndërsa Daka i është kundërpërgjigjur duke thënë se Prokuroria Speciale ka informata se një subjekt i caktuar ka diçka, dhe se si përfaqësuese jopartiake ajo nuk mund ta ndajë këtë informatë. Duhet ta bëjë Prokuroria Speciale këtë.

Daka dhe anëtarët e tjerë të KQZ-së, me përjashtim të Kurteshit e Ramës, u larguan nga mbledhja, ndërsa Kurteshi vazhdoi të flasë.

 

14:12

494 vendvotime do të rinumërohen

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen që po mbahet aktualisht ka vendosur për rinumërimin e 494 vendvotimeve, kryesisht për shkak të problemeve të auditimit.

Kjo do bëhet për shkak të problemeve të auditimit.

Rinumërimi i votave nis sot në orën 16:00 në Qendën e Numërimit dhe Rezultateve.

KQZ-ja ka ndarë në kategori vendvotimet që do të rinumërohen, për arsye të mospërputhjeve të formularëve të rezultateve.

Kategoritë në vijim:

1. Gabimi në bartjen e votës, pasi janë bartur votat gabimisht në subjeket politike dhe nuk kanë arritur ta kalojnë auditimin
2. Gabimi në bartjen në formularët e rezultateve të kandidatëve, për shkak që numri i votave ishte i paqartë
3. Kandidati ka më shumë vota sesa subjekti politik
4. Kur subjekti ka vota, ndërsa kandidati nuk ka vota dhe anasjelltas.

13:47

Kurteshi kritikon QNR-në për mungesë pune, Ahmetaj reagon, thotë të mos bëhet presion

Anëtari i Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi, ka ngritur disa çështje në mbledhje, përfshirë çështjen e votave nga diaspora, saktësisht të refuzimit të mbi 9000 prej tyre.

Kurteshi ka kërkuar të formohet një komision nga KQZ-ja për të verifikuar secilën prej këtyre votave e për të parë se cilat janë arsyet e refuzimit.

Kurteshi po ashtu ka thënë se pasi auditimi ka rekomanduar rinumërimin e votave gjatë ditës së mërkure, pse nuk është bërë kjo më herët për të zvogëluar numrin e vendovotimeve që duhet numëruar.

Kurteshi po ashtu ka thënë se ka nëpër postë pako me vota e që KQZ-ja duhet t’i marrë ato, e nëse do të numërohen ato do të jenë subjekt gjyqësor.

Kurteshi po ashtu ka pyetur pse nuk janë numëruar votat me kusht.

“Votat me kusht janë përfunduar, janë krahasuar me listat e votuesve të regjistruar, pse për to nuk merret vendim me u numëru. Cila është arsyeja që QNR pret. Qe tri ditë e kam parë personalisht se pushojnë, mos ka ndonjë arsye që ne nuk e dimë. Jam njoftuar nga Prokuroria që ka një hetim të caktuar për çështjen e plikove, pse nuk jam informuar për këtë”, ka pyetur Kurteshi.

Ndër tjera Kurteshi ka thënë se ka edhe keqpërdorime sa i përket votave të partive të minoriteteve.

“Ka raste kur në disa komuna dhe vendbanime ku nuk ka pjestarë të kom boshnjak partitë boshnjake kanë marrë vota jashtëzakonisht shumë. KQZ-ja hesht. Vota për vende të garantuara nuk mund të keqpërdoret nga komunitetet shumicë. Ato vota janë të parapara për pjestarët e kom shumicë”, ka shtuar ai.

E Burim Ahmetaj ka kërkuar që QNR-së të mos i bëhet presion.

Kurteshi ka reaguar më pas duke thënë se kjo është çështje për mbulimin e mospunës.

E ndaj tij ka reaguar kryesuesja e KQZ-së, Valdete Data, që i ka thënë Kurteshit të mos bërtasë.

Kurteshi ka thënë se po bën vetëm pyetje dhe se po do përgjigje.

Ahmetaj më pas ka thënë se nuk qëndron fakti se QNR rri kot.

“Janë procesuar të gjitha me kohë dhe nuk kemi shkelje as të afatit e as të kohës. Pse nuk fillon procesin i numërimit të votave me kusht, sepse duhet të bëhen kontrolle. Ka votues që kanë votuar dy herë. Një herë me postë e pastaj me kusht në Kosovë”, ka thënë Ahmetaj.

Anëtari i LDK-së në KQZ, Sami Hamiti, ka thënë se rinumërimi nuk është gjë që po bëhet me dëshirë të KQZ-së apo QNR-së por është bërë për shkak se partitë politike kanë refuzuar po dështuar të plotësojnë listat zgjedhore të kandidatëve të tyre dhe kjo ka sjellë këtë situatë.

Përfaqësuesi i komunitetit Ashkali, Artan Asllani, ka deklaruar se është shqetësuese ajo çfarë po ndodhë me votat e këtij komuniteti.

Ai ka apeluar Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve që të vërtetohet edhe një herë vlefshmëria e votave, duke bërë u bërë thirrje partive pakicë që t’i shfrytëzojnë mundësitë e ankesave.

13:15

Kërkohet rinumërimi i 494 vendvotimeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke mbajtur mbledhje me anëtarët e saj. Kryeshefi i KQZ-së, Burim Ahmetaj, ka bërë kërkesë që të bëhet rinumërimi i 494 vendvotimeve. Kjo thuhet se duhet të bëhet kryesisht për shkak të problemeve të auditimit.

KQZ-ja i ka ndarë në katër kategori vendvotimet të cilat kërkohen të rinumërohen, për arsye të mospërputhjeve të formularëve të rezultateve.

Në vijim janë kategoritë e ndara nga KQZ-ja:

1. Gabimi në bartjen e votës, pasi janë bartur votat gabimisht në subjektet politike dhe nuk kanë arritur ta kalojnë auditimin.
2. Gabimi në bartjen në formularët e rezultateve të kandidatëve, për shkak që numri i votave ishte i paqartë
3. Kandidati ka më shumë vota sesa subjekti politik
4. Kur subjekti ka vota, ndërsa kandidati nuk ka vota dhe anasjelltas.

Kryeshefi i KQZ-së, Burim Ahmetaj, ka deklaruar se Qendra e Numërimit dhe Rezultateve i ka përfunduar të gjitha aktivitetet që kanë të bëjnë me procesimin e materialeve zgjedhor dhe tashmë është bërë regjistrimi i të gjithë votuesve me kusht në databazën e të dhënave.

“Aktivitet tjetër që është duke u zhvilluar është vlerësimi i pakove të supozuara me fletëvotime. Sa i përket formularëve të zgjedhjeve dhe përputhjes së rezultateve, QNR-ja i ka procesuar të gjithë formularët që nuk kanë pasur probleme teknike përpos një numri të vendvotimeve konkretisht formularëve të rezultateve të kandidatëve të cilët nuk kanë mundur ta kalojnë auditimin për shkak të mospërputhjes së votave të subjekteve dhe kandidatëve”, ka thënë ai.


Refuzohen 9.049 zarfe me fletëvotime nga diaspora

Shërbimi votues i KQZ-së është duke vijuar me procesin e vlerësimit të rreth 43 mijë e 500 pakove të supozuara me fletëvotime dhe selektimin e tyre, të cilat janë pranuar gjatë periudhës së votimit përmes postës.

Deri më tani janë hapur 19 mijë e 168 pako të supozuara me fletëvotime që i janë nënshtruar procesit të vlerësimit. Pas vlerësimit, janë aprovuar 22 mijë e 326 zarfe me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar 9 mijë e 49 zarfe me fletëvotime.

Arsyet e refuzimit të tyre janë të ndryshme. Disa prej këtyre pakove janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës; disa të tjera për shkak se janë dërguar nga persona që janë refuzuar në periudhën e aplikimit.

Po ashtu, në disa raste pakot janë dërguar nga votues të paidentifikuar (votim grupor); apo se në pakon që kanë dërguar kanë bashkangjitur dokumente jo-valide.