Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka takuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, të cilin e ka uruar për fitoren e përbashkët me Vjosa Osmanin. Përmes një statusi në Twitter, ambasadori Rohde ka thënë se në këtë takim diskutuan edhe për çështjet aktuale, sfidat dhe mundësitë e intensifikimit të bashkëpunimit.
Për këtë vizitë, njoftoi edhe Lëvizja Vetëvendosje në Facebook, që tregoi se me Rhoden u dakorduan për mirëmbajtjen dhe thellimin e marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimin mes dy shteteve.
“Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, na vizitoi sot, për t’ia uruar kryetarit Kurti fitoren në këto zgjedhje, dhe për të diskutuar për prioritetet e qeverisë së re. Një mandat kaq i fuqishëm për ndryshim na obligon që pa humbur kohë të punojmë në formimin e qeverisë së re. Sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit të lartë dhe krimit të organizuar janë fusha ku do të përqendrohemi krahas zhvillimit ekonomik për krijimin e vendeve të reja të punës, tha kryetari Kurti, i cili në këtë takim ishte i shoqëruar nga asistentja ekzekutive, Valë Gjonbalaj. Bashkë me Rhode u dakorduam t’i mirëmbajmë e thellojmë marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimin midis dy shteteve tona”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.