Arbëri

Pas zgjedhjeve, rritet numri i personave që kërkojnë të testohen për COVID-19

Oborri i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, tash e një vit është bërë adresa e shumë qytetarëve. Në këtë Institut, ku ditëve të fundit është shtuar fluksi i të interesuarve, testohen mostrat për COVID-19 dhe kjo bëhet falas.

Në një tendë, që gjendet në hyrje të Institutit, fillimisht merren mostrat e qytetarëve, të cilët nëse nuk kanë udhëzim duhet ta plotësojnë një formular. Ato mostra më pas dërgohen në laboratorin e këtij Instituti, ku edhe procedohet me testim.

Sfiduese po e vlerësojnë punën këtu punëtorët e këtij laboratori, derisa thonë se vazhdimisht ka kërkesa nga qytetarët për t’u testuar.

“Puna vazhdon me një trend qysh nga fillimi pandemisë ne kemi një fluks të personave që janë duke u testuar jemi te pajisur me aparatura e teste çdo gjë është në rregull. Ne nuk po dorëzohemi po ja dalim edhe përkundër sfidave e të rrezikut”, ka thënë Afërdita Kuqi-Hyseni, doktoreshë e Mikrobiologjisë.

E drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, duke thënë se presin rritje të rasteve të reja në ditët në vazhdim, si shkak i grumbullimeve gjatë zgjedhjeve, thotë se janë duke punuar me kapacitete të plota.

“Sipas prognozës së IKSHPK presim një rritje të rasteve për shkak të grumbullimit dhe mos përmbajtjes së maskave por në përgjithësi qytetarët janë vetëdijesuar po i mbajnë maskat dhe është ndër sukseset dhe kur kemi parasysh që në rajon është situate më alarmante”, ka deklaruar ai.

Megjithatë, jo të gjithë ndahen të kënaqur me shërbimet. Qytetarët të cilët prisnin para Institutit, duke mos respektuar vetë masat anti-COVID, ankoheshin për vonesa në shërbime.

Rritje të numrit të personave që po testohen është vërejtur edhe në komunën e Pejës dhe atë të Prizrenit, Nga IKSHPK-ja, dega në Prizren përmes telefoni shkurt kanë thënë se ka rritje të personave nga diaspora që po kërkojnë të testohen për të udhëtuar.

Pas sjelljes së aparaturave për detektimin e COVID-19, edhe qendrat rajonale në disa komuna në Kosovë kanë filluar me testimin e mostrave. Sipas drejtorit të IKSHPK-së, nga kjo e premte ka filluar punën edhe Komuna e Ferizajt, dhe se, sipas tij, kjo ka lehtësuar dhe ka rritur kapacitetet.