Arbëri

Në Istog kërkohet shkarkimi i kryetarit të Degës së PDK-së pas dështimit në zgjedhje

Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Istog, ka dalë e katërta në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit. Nga votat e rregullta, PDK-ja në këtë komunë ka marrë 9.54 për qind apo 1.634 vota. Disa anëtarë të kësaj partie këtë rezultat po e cilësojnë si dështim, derisa fajtor po e lënë kryetarin e kësaj dege, Lulzim Shoshin.

Udhëheqësi i grupit të asamblistëve të PDK-së në Istog, Arben Kabashi, i ka thënë KOHËS se shumica e Këshillit Drejtues të kësaj partie ne Istog janë pro shkarkimit të Shoshit nga posti i kryetarit.

“Deri më tani as një hap nuk është marrë nga PDK-ja dega në Istog. Qëndrimin tim e kam dhënë nëpërmjet thirrjes publike. Po shohim shumë thirrje të strukturave pothuajse në tërësi të Komunës së Istogut për dorëheqje dhe ristrukturim të degës. Ky hov i kryetarëve të nëndegës dhe anëtarëve të Këshillit drejtues të PDK-së nuk ka të ndalur”, ka deklaruar Kabashi.

Ai ka shtuar se në rast se Shoshi nuk reflekton, Këshilli Drejtues do merr vendim për largimin e tij nga kjo pozitë dhe ristrukturimin e degës.

Në anën tjetër, kryetari i PDK-së dega në Istog, Lulzim Shoshi, ka thënë se nuk e ka ndërmend të largohet nga posti. Ai ka shtuar se kjo as nuk diskutohet.

“Jo, nuk është temë largimi. Ne do të mblidhemi si shtab dhe do e diskutojmë çështjen e rezultatit të 14 shkurtit. Ka pasur vazhdimisht zëra të tillë për shkarkimin tim nga kreu i PDK-së mirëpo nuk e kam menduar asnjëherë”, ka thënë Shoshi për KOHËN.

Një kërkesë për largimin e Shoshit e ka bërë publikisht anëtari i Këshillit Drejtues, dega në Istog, Lulzim Jahaj. Ai ka shkruar në Facebook se kryetari Shoshi dhe e tërë Kryesia duhet të jap dorëheqje.

“Zgjedhjet e fundit në vend, na treguan saktësisht se ku jemi edhe pse ende askush nuk ka marrë përgjegjësi. PDK si partia më e fuqishme në vend ka pasur dhe mund ta këtë potencialin si asnjë parti tjetër vetëm se personat përgjegjës duhet të japin dorëheqje dhe kërkojnë falje që nuk e kanë dhënë maksimumin në këto zgjedhje dhe kanë pritur që rezultati të jetë i tillë”, ka shkruar Jahaj.

Ai ka thënë se reflektimi i kësaj partie duhet të fillojë nga Qendra e PDK-së dhe nga kandidati i partisë për kryeministër, Enver Hoxhaj.

“Reflektimi ndaj situatës se krijuar pas rezultatit të zgjedhjeve të 14 shkurtit duhet të filloj që nga Qendra e PDK-së, nga kandidati për kryeministër Enver Hoxhaj më kryesi duke u pasuar nga gjitha degët e PDK- së në nivel vendi”, ka thënë ai.

Në zgjedhjet parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 43.81 për qind apo 7.505 vota.

Edhe në zgjedhjet e 2019-s, PDK-ja në Istog kishte dalë në pozitën e katërt, por atëherë kishte marrë më shumë vota - 2.324.