Arbëri

Kurti: Dialogu me Serbinë nuk do të jetë në top dy prioritetet

Descriptive Text

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se ai nuk mund t’i shndërrojë në përparësi të punës në qeverinë e ardhshme bisedimet me Serbinë. Megjithatë, ka shtuar se nuk i nënçmon ato. Sipas tij, dialogu ka rëndësi, por qytetarët e Kosovës kanë zgjedhur qeverinë e re për të sjellë drejtësi e punësim.

“Në bazë të të gjitha matjeve të opinionit publik në Kosovë, kur i pyet qytetarët se çfarë rëndësie i jepni dialogut me Serbinë, është zakonisht në vendin e gjashtë apo shtatë, unë do të mund ta bëj le të themi një koncesion dhe ta sjell atë në vendin e katërt pas drejtësisë, punësimit dhe pandemisë, por nuk mund ta sjell në top dy prioritetet. Pra, nuk dua ta nënçmoj por edhe nuk mund të them që do të jetë në top dy prioritetet sepse po dalim nga një fitore gjigante e Lëvizjes Vetëvendosje, në të cilën qytetarët na votuan për atë që u duhet atyre më së shumti. Kur kemi parasysh që zgjedhjet u mbajtën me 14 shkurt, pra në vigjilje të 13-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ne jemi të bindur që këto janë ditët kur duhet të flasim shumë më tepër për pavarësinë sesa për Serbinë”, ka thënë ai në një intervistë për “Zërin e Amerikës”.

Duke komentuar letrën e presidentit të ri amerikan, Joe Biden, për atë serb, Aleksandar Vuçiq, ku i kërkoi njohjen e Kosovës, Kurti ka thënë se është optimist që dialogu i ardhshëm me Serbinë do të jetë transformues e jo transaksional.

“Gjithashtu mendoj se do t’i vijë radha edhe dialogut. Ne do ta bëjmë këtë në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por vetëm më duhet ta theksoj se shteti i Kosovës është bukur i dobët, duhet ta forcojmë shtetin dhe edhe dialogu ecën shumë më mirë pastaj. Nuk po them që nuk e kemi parasysh, por duhet vënë theksin drejtësisë dhe punësimit sepse shteti i pavarur i Kosovës kur është shpallur i tillë, 13 vjet më parë, ka qenë evidente se nuk do të njihet nga Serbia dhe do të kundërshtohet nga Serbia, pra ne nuk e kemi shpallur pavarësinë duke besuar që do të na njohë Serbia. Andaj, kjo është një betejë e vazhdueshme politike ku Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati ynë kryesor”, ka shtuar Kurti.

Për premtimet për bashkim kombëtar, Kurti ka thënë se “prioritetet tona do të jenë drejtësia dhe punësimi ndërsa unë nuk ia mbyll derën në të ardhmen as intencës historike të kombit në njërën anë dhe as popullit si vullnet gjithnjë përbrenda kornizave paqësore e demokratike”.

Kurti është shprehur i bindur se s’do të ketë probleme në zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente. Sipas tij, kjo për shkak se “ka reflektim te të gjitha partitë politike për rezultatin e zgjedhjeve”.

“Ky reflektim do të mundësojë edhe reformimin e tyre, por aktualisht besoj se do të sjellë një atmosferë racionale në parlamentin e Republikës së Kosovës, ku ata nuk do ta braktisin sallën kur të zgjidhet presidenti i ri, meqë ne kemi nevojë për konsolidim të institucioneve dhe në të dy fushat për të cilat presidenti duhet të jetë kompetent e me integritet, në atë të politikës së jashtme dhe drejtësisë, kolegia ime dhe presidentja në detyrë është treguar në nivel të lartë secilën herë. Kur kësaj i shtohet fakti që nëse nuk e zgjedhim presidentin e ri duhet të shkojmë në zgjedhje të reja, besoj se do të kontribuojë që përveç se është e logjikshme të zgjidhet presidenti, është edhe në interesin e atyre të cilët do të mund të votojnë kundër”, ka shtuar Kurti.

Tutje Kurti ka thënë se s’ka bazë juridike që atij t’i pamundësohet zgjedhja si kryeministër, pasi paraprakisht nuk iu lejua të kandidonte për deputet për shkak të dënimit në tri vitet e fundit, bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Fituesi i zgjedhjeve të 14 shkurtit, ka thënë se ndër punët e para do të jetë projektligji për diasporën që të votojë në ambasada e konsullata. Ai është zotuar edhe për projektligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe atë anti-mafia. Ka përsëritur se drejtësia dhe punësimi janë top prioritetet e asaj që ka thënë se “do të jetë kabinet i vogël qeveritar”.

Për luftën ndaj pandemisë, Kurti ka thënë se synojnë vaksinimin e rreth 60 për qind të popullatës sivjet.

Kur ka përfunduar vetëm numërimi i votave të rregullta, Kurti dhe VV-ja prijnë me mbi 47 për qind të votave.