Arbëri

Formimi sa më i shpejtë i institucioneve, temë e diskutimit të Osmanit me Szunyogun e Rohden

Descriptive Text

Rëndësia e formimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja ka qenë fokusi i bisedave që të enjten ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani ka zhvilluar me shefin e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, dhe ambasadorin gjerman Jorn Rohde, në takime të ndara.

Siç ka njoftuar presidenca, Osmani është pajtuar me Szunyogun se formimi më i shpejtë i institucioneve të reja, të dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit, do të ndihmonte qasjen efektive në trajtimin e situatës me pandeminë dhe në angazhimin për ringritje ekonomike.

“Në këtë drejtim, theks i veçantë gjatë takimit është vënë në sigurimin sa më të shpejtë të vaksinës. Me këtë rast, u.d. Presidentja Osmani ritheksoi rëndësinë që ka bashkëpunimi sa më konkret me BE-në dhe vendet anëtare të BE-së për sigurimin e vaksinës në një kohë sa më të shkurtër. U.d. Presidentja Osmani e falënderoi BE për rolin mbështetës të BE-së në procesin e zgjedhjeve, si dhe theksoi që tash është e rëndësishme që të sigurohemi që të respektohet vullneti i qytetarëve. Ajo e siguroi z. Szunyog që orientimi zhvillimor do te jetë i fokusuar në investime në fusha si sundimi i ligjit, punësimi, shëndetësia, arsimi, mjedisi, si dhe digjitalizimi”, thuhet në njoftimin e Presidencës për takimin me Szunyogun.

Në anën tjetër, në një takim të mëhershëm me ambasadorin Jorn Rohde, “u theksua që për një përfundim të suksesshëm të procesit zgjedhor, duhet siguruar që të numërohet secila votë dhe të mos ketë vonesa të cilat do të pengonin konstituimin e institucioneve”.

Osmani, si kandidate për presidente, bashkë me listën e Vetëvendosjes dolën të parët në zgjedhjet e së dielës duke fituar mbi 47 për qind.