Arbëri

13 vjet shtet i pakompletuar

13 vjet pas pavarësisë, Kosova ende nuk ka arritur të përmbushet me elementet e shtetësisë dhe kontestohet jo vetëm nga jashtë, por edhe brenda saj, me promovim të ideve që implikojnë ndryshim të kufijve. Kosova është kampion në Evropë sa i përket shkallës së papunësisë, varfërisë, korrupsionit e krimit të organizuar

Shteti “sui generis”, që doli si kompromis nga Pakoja e Ahtisaarit, i tillë vazhdon të mbetet edhe për kah funksionaliteti. 13 vjet pas pavarësisë, Kosova ende nuk ka arritur të përmbushet me elementet të cilat e bëjnë shtet dhe kontestohet jo vetëm nga jashtë, por edhe brenda, me promovim të ideve që implikojnë ndryshim kufijsh.

Kosova është kampion në Evropë sa i përket shkallës së papunësisë, varfërisë, korrupsionit e krimit të organizuar. 13 vjet pas, vendi është pa liberalizim vizash, jashtë organizatave kryesore ndërkombëtare e larg përmbushjes së kritereve për anëtarësim në Bashkim Evropian.

Brenda këtij qarku kohor, vendi është ballafaquar me protestat më të mëdha e më të dhunshme që nga shpallja e Pavarësisë, me bllokim të punës së Kuvendit dhe emigrimin më të madh të kosovarëve prej pasluftës.

Krimi e korrupsioni - në nivele shqetësuese

Papunësia, varfëria, korrupsioni e krimi i organizuar e kanë shoqëruar Kosovën gjatë tërë këtyre viteve. Shumë raporte vendore dhe ndërkombëtare Kosovën e rendisin si vendin më të korruptuar dhe të varfër në rajon. Problemi më i madh mbetet vullneti për të parandaluar rritjen e mëtutjeshme të nivelit të korrupsionit dhe arritur pavarësinë e gjyqësorit.

Luftimi i krimit e korrupsionit ishte një top prioritet edhe i Misionit Evropian për Sundim të Ligjit-EULEX, të cilin Kosova e mirëpriti pas shpalljes së Pavarësisë më 2008. Por, ajo që kanë lënë pothuajse të gjithë shefat e këtij misioni është shprehja se para drejtësisë do t’i vënë edhe “peshqit e mëdhenj”. Ky mision nuk do t’i paketojë valixhet as pas 13 vjetësh prani në Kosovë. Kompetenca e tyre tani ndërlidhet me mandatin e Gjykatës Speciale.

Image

Luftimi i korrupsionit ishte vetëm një nga detyrat e shumta që ia kishte vënë vetes misioni i BE-së për sundimin e ligjit. Ai kishte për synim të luftonte problemet ekzistuese në fushën e sundimit të ligjit, që përpos korrupsionit, përfshinin edhe krimin e organizuar, krimet e luftës dhe mungesën e sundimit të ligjit në veriun e Kosovës. Pritje u krijuan nisur edhe nga fakti që ky ishte misioni më i madh i BE-së dhe më i kushtueshmi. Pritjes entuziaste i kishte dhënë shtytje edhe humbja e besimit të komponentit të drejtësisë së misionit të Kombeve të Bashkuara- UNMIK, por edhe mungesa e efikasitetit dhe gatishmërisë së institucioneve vendore për t’u përballur me kriminalitetin e të gjitha formave. Por, ky mision është kritikuar se nuk ka arritur t’i përmbushë pritjet e qytetarëve të Kosovës.

Mungesa e zhvillimit, punësime klienteliste

Probleme të pazgjidhura në Kosovë mbesin edhe papunësia, mungesa e zhvillimit ekonomik dhe investimeve.

Rritja ekonomike nuk kaloi mbi 4 për qind. Edhe pritjet që investimet e huaja do të rriten pas shpalljes së pavarësisë, nuk u përmbushën. Derisa në vitet 2010-2011, rritja ekonomike ishte mbi 5 për qind, në vitet e fundit kjo ka qenë 4 për qind. Vitin e kaluar ka pasur një rënie ekonomike prej 7.2 për qind.

Varfëria e përgjithshme, më 2008, ishte në shkallën prej 45 për qind, kurse në vitin 2015, në rreth 20 për qind. Shkalla e papunësisë në vitin 2019 ishte 25.7 për qind, ndërsa tani konsiderohet se është rreth 18 për qind.

Edhe punësimi i deritashëm ka qenë klientelist.

Publikimi i një serie të përgjimeve të zyrtarëve të lartë të PDK-së, i njohur si “Afera Pronto” shpërfaqi mënyrën se si shteti ishte vënë në shërbim të militantëve partiakë.

Shkaku i varfërisë e papunësisë, eksod masiv të qytetarëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian pati në fund të vitit 2014 dhe fillim të vitit 2015. Dhjetëra autobusë të mbushur me qytetarë niseshin çdo ditë, të cilët nëpërmjet Serbisë destinacion final kishin njërin prej vendeve të Bashkimit Evropian. Megjithëse Qeveria asnjëherë nuk ofroi shifra të sakta, numri i atyre që kanë ikur përafërsisht është vlerësuar rreth 100 mijë qytetarë.

Dialogu pa fund me Serbinë

Kompromiset e arritura për 20 vjet nuk dolën të mjaftueshme dhe shtetësia u vu në pikëpyetje nga veprimet e brendshme. 13 vjet pas leximit të deklaratës së pavarësisë, ish-presidenti Thaçi i vuri në diskutim kufijtë e Kosovës.

Ai e ka transformuar disa herë idenë e “korrigjimit”, pas së cilës premtonte se do të ndodhë njohja e ndërsjellë. Mesazhin për këtë e pati dhënë, teksa kishte përmendur edhe “dhuratën” e Aleksandar Rankoviqit.

Rankoviqi ka qenë një prej autoriteteve kryesore të Jugosllavisë përgjatë viteve ’50, ’60 dhe ’70 të shekullit të shkuar. Me qëllimin për ta rritur përqindjen e serbëve në Kosovë, disa territore që u takojnë komunave Leposaviq e Zubin-Potok, ia kishte bashkëngjitur Kosovës.

Madje në disa raste Thaçi nuk pati nevojë as për ndërmjetësues ku në konferenca ndërkombëtare, sikurse ajo në Alpbach të Austrisë (2008), kur bashkë me Vuçiqin folën haptas për korrigjim të kufijve. Madje Thaçi kërkonte prej zyrtarëve të BE-së, të mos i pengojnë në arritjen e “marrëveshjes historike” dhe se nuk “janë djem problematikë”.

Por, Gjykata Speciale ia preu rrugën Thaçit. Tri ditë para takimit të planifikuar në Washington më 27 qershor të vitit të kaluar, Specialja njoftoi publikun se ndaj presidentit dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, është deponuar një aktakuzë për krime lufte. Mbi ta rëndon dyshimi për 100 vrasje të paligjshme të civilëve shqiptarë, serbë, romë e kundërshtarëve politikë.

Pikërisht Thaçi e kishte instaluar dialogun fillimisht teknik në vitin 2011, i cili më vonë u shndërrua në dialog politik. Dialogu me Serbinë nisi një vit pasi Kosova mbajti zgjedhjet parlamentare (2010), të cilat ishin me njollë, për shkak të vjedhjes industriale të votës. Një vlerësim të tillë e kishte dhënë edhe Bashkimi Evropian, por megjithatë njohu rezultatin e tyre, ku PDK ishte fituese. Pas dy vjetësh dialog, Thaçi dhe ish-kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq nënshkruan marrëveshjen 15 pikëshe, 6 prej të cilave flasin vetëm për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kosova ndryshoi edhe disa ligje për ta jetësuar marrëveshjen e Brukselit dhe hartoi nga e para disa të tjera. Nxori Ligjin që amniston shumë vepra penale, përfshirë atë të kryengritjes së armatosur, e dënueshme me jo më pak se 10 vjet. Ndërkaq qindra ish-pjesëtarë të strukturave paralele të Serbisë u integruan në institucionet e Kosovës.

Tetë vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes, shumë pika të saj kanë mbetur të pazbatuara dhe Serbia vazhdon ta sfidojë shtetin e Kosovës. Në terren vazhdojnë të operojnë organet paralele të Serbisë, derisa liria e lëvizjes në pjesën veriore është e kufizuar.

Image

Pas dështimit të negociatave për territore, Serbia i është kthyer kërkesës për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sipas marrëveshjes së arritur në gusht të vitit 2015. Kompetencat që i kërkojnë shkojnë përtej atyre të një asociacioni. Serbët janë duke insistuar të kenë kontroll në fushën e edukimit shëndetësor, zhvillimit ekonomik, planifikimit rajonal, zhvillimit rural, mbrojtjen e mjedisit.

Por, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar të mos jetë tërësisht në përputhje me Kushtetutën marrëveshja e 2015-s. Pakënaqësi të shumta, që çuan edhe në protesta të dhunshme kishin ardhur si rezultat i marrëveshjes për asociacion dhe marrëveshjes tjetër për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Veprimet e serbëve në veriun e populluar me shumicë serbe përgjatë këtyre viteve janë shoqëruar me dramatizim të situatës. Tensionet në terren u rikthyen kohën kur paralajmërohej të marrin hov negociatat me Serbinë. Ato patën kulmuar me ngritjen e një muri të lartë pranë Urës së Ibrit si dhe tentim-nisjen e një treni nga Serbia në drejtim të Kosovës.

Por, në mars të vitit 2018, ish-Drejtorit të zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i pati kushtuar me arrestim dhe tërheqje kokulur në rrugët e kryeqytetit shkelja e ndalesës së vënë nga autoritetet për mos-hyrje në territorin e Kosovës.

Politikat izoluese

Kosova e ka betonuar synimin e paalternativë për integrim në strukturat euro-atlantike.

Por, veprimet e qeverive kanë qenë në kundërshtim me këtë qëllim. Alarmi për ngritje të aktakuzave në vitin 2017 ishte përcjellë me mësymjen e udhëheqësve shtetërorë për ta rrëzuar Gjykatën Speciale. Por, pushteti që atëkohë përbëhej nga presidenti Thaçi, kryeministri Haradinaj e kryeparlamentari Veseli, ishte zmbrapsur nga iniciativa, vetëm pasi ndërkombëtarët dhanë prova se ata personalisht do t’i ndienin pasojat e Speciales.

Ish-Ambasadori amerikan, Greg Delawie, troç pati deklaruar se deputetët që e mbështesin nismën dhe politikanët që i prijnë asaj, do t’u nënshtrohen pasojave specifike dhe të ashpra.

Atëkohë, Ambasada Amerikane refuzoi ta pajiste me vizë kryeministrin Ramush Haradinaj, duke ia pamundësuar kështu pjesëmarrjen në një ceremoni në shtetin Iowa.

E ashpër ndaj liderëve ishte treguar edhe një ambasadore tjetër amerikane.

Tracey Ann Jacobson në vitin 2014 kur vendi ndodhej në ngërç institucional kishte paralajmëruar liderët se gjenden në prag të një dështimi të madh, duke ua përmendur jashtëqitjen. Duke parë bllokadën së cilës nuk i shihej fundi, Isa Mustafa kishte braktisur bllokun opozitar duke hyrë në koalicion me PDK-në e Thaçit.

Kurse në vitin 2019, Qeveria Haradinaj kishte arritur pikën kritike të marrëdhënieve me Bashkimin Evropian pas vendosjes së taksës prej 100 për qind, i cili erdhi një ditë pasi Kosova dështoi të bëhej anëtare e INTERPOL-it. Madje Haradinaj pati akuzuar përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini, se e ka mbytur dialogun, duke pranuar të diskutojë për shkëmbim kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë.

me ish-administratën e presidentit amerikan Trump pati edhe ish kryeministri Albin Kurti, që refuzonte ta heqë reciprocitetin ndaj Serbisë për t’i hapur rrugë marrëveshjes që planifikohej të nënshkruhej në Washington. Kjo bëri që LDK-ja të iniciojë shkarkimin e qeverisë ku bënte pjesë vetë, me arsyen se po rrezikohen marrëdhëniet me amerikanët. Nën udhëheqjen e Hotit u nënshkrua vetëm një marrëveshje ekonomike më 4 shtator 2020, në Washington. Por brenda saj nuk është edhe njohja reciproke, të cilën e kishin proklamuar në vazhdimësi Hoti dhe Thaçi.

Edhe zyrtarët e lartë të Speciales kanë qenë të kujdesshëm në takimet që kanë pasur me liderët vendorë. Kur Prishtinën për herë të parë e vizitoi kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, me një veprim ajo la mesazhin se udhëheqësit shtetërorë do të jenë “lëndë e parë” e Gjykatës. Ajo nuk takoi ish-komandantët që janë në krye të tri institucioneve kryesore të vendit – presidentin Thaçi, kryeparlamentarin Veseli e kryeministrin Haradinaj. Dy të parëve iu konfirmua aktakuza vitin e kaluar dhe ndodhen në Hagë, kurse Haradinaj deri tani vetëm është intervistuar në vitin 2019.

Specialja ka juridiksion lëndor mbi krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe krime të tjera të kryera në periudhën 1998-2000, ndërlidhur me pretendimet e ngritura në raportin e senatorit Marty.

Mashtrimi me vizat

Kur tapa e shampanjës kishte kërcitur në kabinetin e ish-ministrit të integrimit Bekim Çollaku, thuajse ishte dhënë drita e gjelbër që kosovarët të lëvizin lirshëm në zonën Schengen. Ceremonia u zhvillua në maj të vitit 2016, pasi Komisioni Evropian dha rekomandimin për heqjen e vizave, por me kushtin që Kosova shpejt ta ratifikonte demarkacionin me Malin e Zi dhe të dëshmonte përkushtim në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Çollaku ishte larguar nga ministria që më nuk ekziston, duke iu bashkuar ish-presidentit Hashim Thaçi, pa e përmbushur premtimin. E Thaçi e kishte reduktuar në çështje orësh datën kur kosovarët do të mund të shkonin pa viza në zonën Schengen. Por dy mandate në krye të qeverisë, gjysmë mandati në qeverinë Mustafa e gati një mandat si president, Thaçi nuk e përmbushi premtimin për heqjen e vizave.

Image

Traditën e premtimeve me vizat e vazhdoi edhe Ramush Haradinaj pas inaugurimit si kryeministër në vitin 2017, i cili në disa raste kishte uruar kosovarët. Haradinaj e votoi edhe marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi, të cilën si opozitar e pati kundërshtuar me të gjitha mjetet, për shkak të pretendimeve se Kosovës i humb 8 mijë hektarë tokë.

Kosova ka shënuar ngecje edhe në përmbushjen e obligimeve nga marrëdhënia e vetme kontraktuale me Bashkimin Evropian, MSA-ja. Kur qeveria Mustafa kishte firmosur Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit (MSA) në vitin 2015, te kryeministri pati mbretëruar entuziazmi se me punën që do të bëhet, Kosova së shpejti do të aplikojë për statusin e vendit kandidat. Por kjo nuk ka ndodhur.

Disfatat diplomatike

Rrugëtimi i shtetit të Kosovës është i mbushur me disfata diplomatike. Ka dështuar të anëtarësohet në INTERPOL në nëntor të vitit 2018. Tre vjet më herët, Kosova dështoi të bëhej anëtare e UNESCO-s, ndërkaq hoqi dorë nga riaplikimi në vitin 2017, për shkak të mungesës së përkrahjes.

Përveç pengesave në anëtarësim, Serbia ka ndërmarrë një ofensivë për anulimin e njohjeve. Sipas zyrtarëve serbë, deri më tani ka shkuar në mbi 15 numri i shteteve që e kanë bërë këtë. Ndërkaq, qeveria e Kosovës ka dënuar veprimet e Serbisë, duke mos e dëshmuar nëse shtetet për të cilat pretendon Serbia, janë bërë pishman për Kosovën.

Kosova deri më tani ka përfunduar me sukses mbikëqyrjen e pavarësisë, është bërë anëtare e Bankës Botërore, e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Por ende mungon anëtarësimi në organizatat kryesore si OSBE, NATO, Këshilli i Evropës. Një nga sukseset e pakta në arenën ndërkombëtare këtë vit i shënuan federatat sportive dhe sportistët individualë.

Ushtri pa emër, Trepça e ndarë

10 vjet pas pavarësisë, Kosova i dha start tranzicionit për shndërrimin e Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura. Kjo u bë në kundërshtim me NATO-n, që ende nuk ia njeh mandatin e ndryshuar FSK-së. Kundër ishte dhe Bashkimi Evropian.

Por, mbështetje tranzicionit të FSK-së i dhanë Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Britania e Madhe.

13 vjet pas pavarësisë dhe 21 vjet pas përfundimit të luftës, NATO-ja mbetet prania më e besueshme ndërkombëtare në Kosovë dhe nuk kontestohet as nga shqiptarët, as nga serbët.

Hyrja në fuqi e Ligjit për Trepçën, në tetor të vitit 2016 ishte përcjellë me entuziazëm të madh. Por ky ligj ende nuk ka gjetur zbatim. Rimëkëmbja e gjigantit të dikurshëm metalurgjik dhe bashkimi i dy pjesëve, asaj veriore dhe jugore – është larg së realizuari.

Image

Aktualisht Trepça është në gjendje të rëndë financiare, ndërsa menaxhmentet e dy pjesëve nuk kanë asnjë komunikim mes vete.

Në të kaluarën, kompleksi minerar i Trepçës ishte gjigant industrial i cili përfaqësonte burim substancial ekonomik për ish-Jugosllavinë. Në periudhën mes viteve 1965 dhe 1985 kur ky kompleks ishte në “epokën e artë”, mesatarja e numrit të punëtorëve në të gjitha njësitë ishte rreth 10 mijë, duke arritur pikën më të lartë me rreth 11.000 punëtorë. Sot “Trepça” është e ndarë, ku pjesa jugore e ndërmarrjes aktualisht punëson rreth 1,500 punëtorë, ndërsa pjesa veriore, e cila menaxhohet nga serbët, ka afërsisht dyfishin e këtij numri.

Në prag të falimentimit është edhe ndërmarrja që dikur i sillte miliona euro buxhetit të shtetit- Telekomi i Kosovës. Në vitin 2011, atëherë PTK-ja, kishte paguar 80 milionë euro dividendë në buxhetin e Kosovës. Më 2012, nga kjo kompani janë paguar 45 milionë euro dividendë. 40 milionë euro janë paguar në vitin 2013, ndërsa në vitet 2014 dhe 2015 janë paguar nga 15 milionë euro. Që nga kjo kohë, Telekomi nuk ka derdhur para në buxhetin e shtetit, duke i mbyllur vitet me humbje.

“Gomarët” e Ramës

Në ditën kur liderët shqiptarë bënë me duar shqiponjën dykrenore, kryeministri i Shqipërisë i kishte quajtur gomarë të gjithë ata që e quajnë Thaçin tradhtar. Epitetin ua ka dhënë në mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive, në prezencë të Haradinajt, i cili kundërshtonte hapur idenë e Thaçit.

“Kush mendon se merr tokë prej Kosovës, e ka gabim - a ke i Kosovës, a i Shqipërisë apo kujtdo qoftë. Një metër e Kosovës nuk merret më, a ke Ramush, a ke Edi apo Hashim Thaçi apo kushdo tjetër”, kishte qenë kundërpërgjigjja e Haradinajt në konferencën e përbashkët me Ramën.

“Gomari” dhe imitimi i shqiponjës lanë nën hije nënshkrimin e disa marrëveshjeve, të cilat deri më tani kanë mbetur vetëm një ngjyrë e zezë në letrën e bardhë.

Kosova dhe Shqipëria kanë mbajtur për vite të tëra mbledhje dhe shprehje qëllimesh por, siç e ka potencuar vetë Rama, ende vazhdojnë të kërkohen dy palë dokumente për lopët, viçat e delet, andej e këtej kufirit.