1 perditesime
Arbëri

Hoxhaj mbyll fushatën: PDK-ja është qartësia, VV-ja është mjegulla

Hoxhaj mbyll fushatën: PDK-ja është qartësia, VV-ja është mjegulla
21:42

Hoxhaj mbyll fushatën: PDK-ja është qartësia, VV-ja është mjegulla

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj ka përmbyllur fushatën zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme në një tubim elektoral në Prishtinë ku ka thënë se më 14 shkurt do të shkruhet një faqe e re në historinë e Kosovës. Edhe në tubimin përmbyllës, Hoxhaj është marrë me Lëvizjen Vetëvendosje të cilën e ka quajtur “mjegull”.

Ai ka shtuar që pas shkuarjes në Hagë të dy liderëve të UÇK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli “PDK-ja nuk është dorëzuar, por është bërë edhe më e fortë”.

“Së shpejti do të kthehen heronjtë tonë. Të pafajshëm! Dhe së bashku me ta, edhe historia e Kosovës do të dalë e pafajshme. Ne bëjmë Historinë në luftë dhe në paqe. Ne nuk e fshijmë historinë siç bën Vetëvendosje. Vetëvendosje po fshin historinë e saj duke hequr të gjitha ato që kanë thënë dhe bërë deri në vitin 2014. LVV është Mjegulla! PDK është Qartësia! Ne jemi qartësia dhe drita e re. Drita që do ta Rimëkëmbë Kosovën! Gjithçka e lidhur me ne është në dritë”, ka thënë Hoxhaj. “Vetëvendosje është mjegulla. Ata i fshehin qëllimet e tyre. Ata e fshehin programin e tyre. Ata fshehin historinë e tyre. Ata fshihen! Vetëvendosje është e rrezikshme. Sepse e panjohura është e rrezikshme. Sepse mjegulla është e rrezikshme. Ne nuk do të lejojmë që Albin Kurti të marrë pushtetin. Ne nuk do të lejojmë që Kosova të rrëshqasë në ujëra të panjohura. Ne do ta ndalim atë. PDK do ta ndalë atë! Të gjithë ne së bashku do ta ndalim atë”.

Hoxhaj ka shtuar se nëse fiton në zgjedhje, pas tyre do të nisë me “rimëkëmbjen e Kosovës”.

17:01

Hoxhaj: Fitorja jonë do të jetë e madhe

Me përmendjen e UÇK-së, Hashim Thaçit e Kadri Veselit ka filluar edhe tubimi përmbyllës i Partisë Demokratike të Kosovës në komunën e Vushtrrisë.

Enver Hoxhaj, kandidat për kryeministër, thotë se fitorja e PDK-së do të jetë e madhe. Tha se goditja që iu dha me arrestimet e ish-liderëve, është kthyer në mbështetje të re politike, duke shtuar se presin që “fitorja do jetë e madhe, sikur që presin shokët tanë që padrejtësisht nuk janë këtu.

“Çdo kush ka menduar që pas 5 nëntorit kur PDK e pësoi një goditje të madhe që erdhi nga Gjykata Speciale, ne si PDK do dorëzohemi. Një parti që është themeluar prej të burgosurve politik, nuk e ngrit flamurin e bardhë të dorëzohet. I madh e i vogël për shkak të Kadri Veselit e të Hashim Thaçit, UÇK-së, e kanë kthyer kudo, në Vushtrri, Skenderaj, Prishtinë, kudo në Kosovë e kanë përkthyer goditjen, dhimbjen, lëndimin, në mbështetje të re politike dhe pikërisht për shkak të mbështetjes e respektit dhe dhimbjet që kanë ndje për liderët e UÇK-së e PDK-së kudo në nivel vendi, PDK-ja ka treguar unitet e vendosmëri, që po përkthehet kudo në votë për PDK-në”, tha Hoxhaj.

“Kemi vizion të qartë”, tha Hoxhaj, duke shtuar se programin e kanë për 4 vjet për të gjitha kategoritë.

“Ne do bëjmë ata që çdo herë PDK-ja e ka bërë. Do e ngrisim rritjen ekonomike, krijimi i vendeve të punës për shkak se pandemia e ka godit me të madhe ekonominë dhe qytetarët po varfërohen”, tha ai.

Hoxhaj shprehet se një qeveri në krye me të do ta kishte sjellë vaksinën për COVID-19 tashmë.

“Po te isha unë kryeministër një pjesë e qytetarëve do ta kishin marr vaksinën kundër Covid-19. Nuk është detyrë e drejtorave rajonal të spitaleve e as mjekëve, është detyrë e kryeministrit ta sigurojë vaksinën. Unë duke qenë në opozitë e kryetar në detyrë, jam marr edhe me temën e vaksinës kam thirr kryeministra të vendeve evropianë e të lindjes së mesme, dhe unë ju garantojë që me PDK-në 50% e popullatës do te vaksinohet në 2021”.

Kryetari i degës së PDK-së, Kurtan Kajtazi, tha se do të dalin të parët nga zgjedhjet e 14 shkurtit, ndërsa shton se nga sondazhet e partisë, PDK-ja ka dalë e para.