Arbëri

Kronika Zgjedhore/ Hoti zotohet se do ta kthejë Prishtinën në nyjë strategjike për rajonin

Në ditën e parafundit të fushatës zgjedhore, kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti, ka mbajtur dy tubime në Prishtinë, të organizuara nga degë të kësaj partie. Hoti është zotuar para prishtinasve se do ta kthejë kryeqytetin në nyjë strategjike të rajonit. Edhe këtu Hoti ka akuzuar Vetëvendosjen për manipulim të qytetarëve

Prishtinë, 11 shkurt - Pas përfundimit të tubimeve nëpër komuna, Lidhja Demokratike e Kosovës i është kthyer kryeqytetit. Dega e dytë e kësaj partie në Prishtinë organizoi tubim në ditën e parafundit të fushatës zgjedhore. Këtu, kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti, u zotua se përmes projekteve në infrastrukturë do ta bëjë Prishtinën nyjë strategjike për rajonin.

“Me këtë hekurudhën për Durrës që nuk është vetëm për të shkuar në pushime por edhe për të lidhur Evropën Qendrore përmes Prishtinës, me projektin e gazit që vjen në Prishtinë dhe mbyllet termocentrali dhe hapet me gaz, mbyllet problemi i ndotjes për Prishtinën. Është edhe stacioni intermodal mes Prishtinës dhe Fushë-Kosovës, që i lidh hekurudhat, autostradën, Aeroportin e Prishtinës”, ka deklaruar Hoti.

Ai akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për manipulim të nxënësve me ligjërata nëpër shkolla. Ai tha se LDK-ja ka gabuar që nuk ka ndaluar këtë, që, sipas tij, ka ndodhur para 13 vjetësh.

“Sot, 20 deri në 23 vjeç, djem e vajza, studentë ose që kanë diplomuar kanë shkaktuar telashe edhe brenda familjeve. Telashe që djali e vajza 20 vjeçe me nda votën prej babës, nanës, gjyshit e gjyshes”, ka shtuar Hoti.

Kurse kryetari i kësaj dege, Florian Dushi, tha se Prishtina sot është sinonim i dështimit. Ai tha se LDK-ja duhet të votohet pasi, sipas tij, është e vetmja parti që ka program konkret për zhvillimin e shtetit.

“Do të ketë përmirësim të pozitës së gruas, mbështetje dhe integrim të plotë në shoqërinë tonë të personave me nevoja të veçanta, zhvillim të Prishtinës, qytetit tonë ku duhet të ruajmë bërthamën e qytetit të vjetër”, ka deklaruar Hoti. Kurse gjatë prezantimit virtual të kandidatëve për deputetë nga Prishtina, Hoti u shpreh i bindur në fitoren e LDK-së të dielën.

Ai ka thënë se sa më afër që po i afrohen 14 shkurtit, ditës së zgjedhjeve, aq më tepër po binden për fitoren e madhe të LDK-së.

"Arsyeja është e qartë dhe e thjeshtë, se qytetarët e Kosovës janë pro-evropianë, e LDK-ja është partia e vetme e integruar në familjen politike evropiane. Këtë rrugë e trasoi presidenti Rugova, që në bazamentin e filozofisë së tij politike e kishte integrimin në strukturat euroatlantike e miqësinë e përjetshme me SHBA-në”, ka thënë Hoti.

Mbrëmjen e së enjtes, Hoti mbajti tubim me qytetarë edhe në degën e parë të partisë, në lagjen “Kodra e Trimave” në këtë komunë, si dhe në Shtërpcë.