Arbëri

Hoti: Gjithmonë e më tepër po bindemi për fitoren e madhe të LDK-së

Kandidati për kryeministër nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se sa më afër po i afrohen 14 shkurtit, ditës së zgjedhjeve, aq më tepër po binden për fitoren e madhe të LDK-së.

"Arsyeja është e qartë dhe e thjeshtë, se qytetarët e Kosovës janë pro-evropianë, e LDK-ja është partia e vetme e integruar në familjen politike evropiane, pjesë e familjes së Partive Popullore Evropiane. Këtë rrugë e trasoi presidenti Rugova, që në bazamentin e filozofisë së tij politike e kishte integrimin në strukturat euroatlantike e miqësinë e përjetshme me SHBA-në”, ka thënë Hoti, gjatë prezantimit të kandidatëve të LDK-së nga komuna e Prishtinës.

Hoti ka kërkuar besimin e qytetarëve, ndërsa ka thënë se LDK-ja ka dëshmuar se punon për shtet.

Ai ka përmendur qeverisjen në Prishtinë që nga viti 2014, duke thënë se në vend të qeverisjes ju servohet propagandë e punohet me neglizhencë.

“Menjëherë pas mashtrimit të vitit 2017, ata që ju premtuan ndryshim, ju braktisën, sepse nuk dinë si të qeverisin. Qytetarët e Prishtinës sot kanë më tepër arsye për të dal masovisht në përkrahje të LDK-së. Gjatë qeverisjes në Prishtinë ndërtuam shumë shkolla, QMF, çerdhe e parqe. I dhamë Prishtinës një dimension më të mirë infrastrukturor e zhvillimor”, ka thënë Hoti, që ka shtuar se me qeverisjen e LDK-së në Prishtinë do të investohen mbi 400 milionë euro në projekte, e do të kthehet Prishtina në kryeqendër të rajonit, pikë reference për siguri e paqe në Ballkan.

Hoti ka shtuar se LDK-ja ka përkrahjen nga vendet e BE-së dhe SHBA-ja, e sërish ka premtuar përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave brenda këtij viti.

“Vendet e BE-së, Gjermania, Franca si dhe Britania e Madhe si vend shtesë, e vendet tjera demokratike, i besojnë qeverisë së LDK-së si pjesë e Partive Popullore Evropiane. Kemi përkrahjen e plotë të partive tona simotra, për të përmbyllur me sukses procesin e dialogut me Serbinë, siç e ri-konfirmoi këtyre ditëve presidenti Joe Biden me letrën e tij që përfshin njohjen reciproke”, ka shtuar Hoti.

Ai ka thënë e derisa LDK-ja krenohet me historinë e vet, oponentët e saj po angazhojnë ekspert të IT-së për ta fshirë historinë e vet.

“LDK-ja krenohet me historinë e kontributin për liri, pavarësi e demokraci dhe shtetndërtim. Oponentët tanë kanë punësuar ekspert të IT-së për të fshirë historinë e tyre. Kur shteti i Kosovës negocionte në Vjenë për pavarësi, ata organizonin protesta të dhunshme në të cilat vriteshin qytetarë të pafajshëm. Ishin edhe kundër Marrëveshjes së Rambujesë që solli bombardimet e NATO-s dhe çlirimin e Kosovën, ishin edhe kundër bisedimeve në Vjenë që sollën pavarësinë e Kosovës. Ata gjithmonë ishin kundër, ata janë edhe sot në anën e kundërt të historisë. I akuzuan miqtë amerikanë se kanë plane për copëtim të Kosovës, pasi nuk patëm guxim të marrim mbi supe procesin e dialogut”, ka thënë Hoti.