3 perditesime
21:38

Hoxhaj në Skenderaj: Duke votuar PDK-në, u thoni jo atyre që vijnë me njësi speciale në Drenicë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj ka mbajtur tubim madhështor në Skenderaj, ku ka prezantuar Planin e Rimëkëmbjes së PDK-së.

Hoxhaj para qytetarëve të Skenderajt ka thënë që vota për numrin 134, është votë që përfaqëson të gjitha vlerat për të cilat ka luftuar Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Hashim Thaçi e Kadri Veseli.

"Dilni dhe votoni për numrin 134 se këtu keni UÇK-në, këtu keni PDK-në, këtu e keni për çka ka luftuar edhe Hashim Thaçi, edhe Kadri Veseli. Prandaj, me votën tuaj ju do t'i thoni jo atyre të cilët nuk i kanë besuar kurrë Kosovës, ju do t'i thoni jo atyre të cilët kurrë nuk e kanë njohur Kosovën, atyre të cilëve nuk e kanë njohur flamurin e Kosovës, shtetin e Kosovës, pavarësinë e Kosovës dhe ju e dini që Drenica çdo herë ka qenë në front kundër komunizmit, çdo herë ka qenë në front kundër sistemit autoritar edhe kësaj here mos lini kush të depërtojë në Drenicë që të merr vota prej Drenicës, veçanërisht atyre që me njësi speciale vijnë në Drenicë", ka thënë ai.

Hoxhaj ka theksuar se është detyrë e Skenderajt dhe Drenicës ta bëjë fitoren e PDK-së sa më të madhe.

"Me 14 shkurt fitorja jonë po ndodhë, por është detyrë e Skenderajt, është detyrë e Drenicës ta bëjë fitoren tonë sa më të madhe. Dy projektet më të mëdha që i ka nxjerrë Drenica janë UÇK dhe PDK. Për neve si PDK, UÇK-ja është ADN, ndërsa për shtetin e Kosovës PDK është ADN-ja e saj", ka thënë ai.

Kryetari i Degës së PDK në Skenderaj, Sami Lushtaku duke thënë se PDK-ja e ka oksigjen Drenicën i ka ftuar qytetarët e Skenderajt që t'i japin oksigjen tërë vendit.

"Bashkë kemi rrugëtuar këto 20 vjet dhe unë shpresoj shumë që PDK edhe në Skenderaj edhe në Kosovë do të jetë partia e parë dhe do ta qeverisë Kosovën. Ne, PDK dhe qytetarët e Skenderajt do të jemi mbështetësit më të mëdhenj të Hashim Thaçit dhe të Kadri Veselit dhe të PDK-së", ka thënë Lushtaku.

18:40

Hoxhaj: Drenasi e Drenica kanë dhënë dy projekte të mëdha, UÇK-në dhe PDK-në

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Enver Hoxhaj, ka thënë se Drenasi dhe Drenica qëndrojnë prapa dy projekteve të mëdha: UÇK-së dhe PDK-së.

Hoxhaj në një tubim në Drenas, u shpreh i mahnitur me përkrahjen e masës.

“S’paska mbetur askush te shtëpia, paskan dalë të gjithë në këtë tubim në Drenas. Drenasi dhe Drenica i kanë dhënë dy projekte të mëdha, UÇK-në dhe PDK-në. Ju e dini që UÇK-ja është në adn-në e PDK-së. Në këto zgjedhje shkojmë pa praninë fizike e emocionale, për faktin e ballafaqimit të padrejtë të Hashim Thaçit e të Kadri Veselit. Kjo ka krijuar një mungesë te madhe politike, emocionale dhe shpirtërore. Ky tubim është mbështetje për ta, prandaj ky tubim është dëshmia më e mirë se si PDK-ja ka mbërritur që dhembjen me e kthy në krenari”, tha Hoxhaj.

Ai pret që kjo të kthehet në votë më 14 shkurt.

“Ketë padrejtësi ju ftoj ta ktheni në votë, duke e vulosur fitoren e PDK-në. Dhe ju e dini çka i bie fitorja e madhe e PDK-së, i bie një jetësim i dëshmorëve, veteranëve e ish të burgosurve politikë, jetësim i idealeve edhe te UÇK-së e PDK-së. Sa ka rrugëtuar UÇK-ja e PDK-ja, ka rrugëtuar edhe liria e pavarësia e Kosovës”, ka shtuar ai.

18:23

Sejdi Hoxha: PDK-ja njihet për vendime të mëdha

Partia Demokratike e Kosovës ka nisur tubimin parazgjedhor në Drenas, me videon që po e shfaq në çdo tubim, atë ku shihen figurat e kësaj partie, Hashim Thaçi e Kadri Veseli, gjatë karrierës së tyre politike e ushtarake.

Sejdi Hoxha, kryetar i degës në Drenas, tha se kjo komunë është zemra e PDK-së dhe se kjo parti njihet për vendime të mëdha.

“Drenasi është zemra e PDK-së damarët e së cilës nga këtu shpërndahen në të gjithë Kosovën. Kjo platformë politike ofron rritje të pensioneve për të gjitha kategoritë në Kosovë, ndihmon sektorin privat dhe rritjen e pages minimale në 300 euro, rritjen e pagave për sektorin publik. Ne njihemi për vendime të mëdha. Drenasi nuk ka votë për që ata nuk i njohin simbolet e Kosovës, që ia hapën dyert Serbisë e ia mbyllën Shqipërisë. Për ata që pranojnë 1 mijë teste për COVID nga Serbia që ka bërë gjenocid. Ata që më 2021 nuk guxojnë ta shkelin Mitrovicën“, ka thënë Hoxha.

11:03

Haxhiu: Deri në verë do të vaksinojmë 70 për qind të popullatës

Prishtinë, 10 shkurt (KosovaPress) - Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Bekim Haxhiu, është i bindur se në rast se dalin të parët në zgjedhjet e 14 shkurtit, do të arrijnë që deri në gjysmën e parë të vitit të realizojnë 70 për qind të vaksinimit të qytetarëve me vaksinën anti-COVID.

Haxhiu në një intervistë për KosovaPress ka kritikuar Qeverinë Kurti dhe Hoti për mënyrën se si është menaxhuar situata me pandeminë, pasi sipas tij, përmes këtij menaxhimi të dobët Serbia ka arritur të bëjë propaganda në dobi të saj.

Ai deklaron se me ardhjen e Partisë Demokratike në Kosovës në ekzekutiv do të arrijnë që të implementojnë sigurimet shëndetësore dhe se do të ofrojnë 580 lloje të barnave pa pagesë.

Kandidati për deputet, Bekim Haxhiu shprehet se si PDK parashohin që përmes programit të rimëkëmbje së shëndetësisë , i cili është hartuar nga ekspertë të jashtëm të rrisin numrin e testimeve për COVID-19.

Madje, ai thotë se prioritet i subjektit politik ku garon për deputet janë edhe rritja e pagave për profesionistët shëndetësorë deri në 100 për qind.

“Ju e keni parë se kemi pasur një keqmenaxhim të pandemisë nga Qeveria Kurti dhe Hoti, rritje të numrit të madh të sëmundshmërisë dhe të vdekshmërisë dhe një invazion të Serbisë në Kosovë apo paaftësinë e këtyre dy qeverive e ka shfrytëzuar Serbia për të bërë propaganda për vete. Një herë me 1 mijë teste donacion e pastaj edhe me vaksinimin në kohën e qeverisë Hoti. Ne si PDK në programin tonë të Rimëkëmbjes parashohim një vaksinim të gjithë popullatës mbi moshën 16 vjeç, dhe në muajt e parë të verës do të realizojmë 70 për qind të vaksinimit për gjithë popullatën. Këto janë prioritet tona, sigurimi i vaksinës dhe vaksinimi i qytetarëve në së paku 30 qendra në Kosovë. Përtej kësaj PDK ka planifikuar që të ketë një mirëqenie më të mirë dhe pagesë më të mirë për profesionistët shëndetësorë, andaj do rrisim pagat për të gjithë profesionistët shëndetësorë mbi 100 për qind dhe paga bazë e një mjeku do arrijë deri në 1500 euro. Gjithashtu ka qenë kërkesë edhe e infermierëve pagesa për kujdestaritë dhe do rrisim edhe pagesën e kujdestarive 100 për qind”, tha ai.

Deputeti i legjislaturës së fundit, Haxhiu premton se me qeverisjen e PDK qytetarëve të Kosovës do t’iu sigurohet mirëqenie më e mirë shëndetësore, pasi brenda vitit do të nisë implementimi i sigurimeve shëndetësore.

Për t’ju dalë në ndihmë edhe më tej pacientëve, Haxhiu thotë se në programin për rimëkëmbje shëndetësore kanë paraparë ndërtimin e spitalit të Prishtinës.

Për të krijuar lehtësira, kandidati për deputet nga PDK tha se do angazhohet që të bëhet digjitalizimi i komunikimit të brendshme spitalor por edhe modernizimi i shpërndarjes së barnave.

“Ne kalojmë në fazën tjetër të menaxhimit të shëndetësisë që është implementimi i sigurimeve shëndetësore dhe barna falas për qytetarët për së paku 580 ilaçe, është e domosdoshme që të kemi një shëndetësi e cila i ofron qytetarëve dhe me këtë do e fillojmë rimëkëmbjen e shëndetësisë. Pas kësaj, ne planifikojmë që të bëjmë edhe fazat e ndërtimit të spitalit të Prishtinës me çka të tjerët kanë dështuar që ta bëjnë edhe pse kanë pasur qeverisjen në Prishtinë më shumë se 20 vite një kohë LDK dhe pastaj Vetëvendosje. Ne planifikojmë ta bëjmë spitalin e Prishtinës sepse e kemi këtë mungesë të madhe në zinxhirin shëndetësor sepse qytetarët e Prishtinës, Obiliqit, Besianës ,të Lipjanit iu mungon shkalla e dytë, ajo që është shëndetësia sekondare dhe këta qytetarë nga niveli primar duhet të kalojnë në nivelin terciar pa ndonjë kontroll paraprak”, theksoi Haxhiu.