Arbëri

Vazhdimi i dialogut Kosovë–Serbi, jo para verës

Descriptive Text

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, është në kërkim të vazhdimit të mandatit në postin në të cilin u emërua para gati një viti, por perspektiva e vazhdimit të dialogut të cilin ai e ndërmjetëson nuk duket shumë e qartë. Lajçakut dhe ekipit të tij prej rreth dymbëdhjetë personave mandati u skadon në fund të muajit që vjen dhe pritet që shtetet anëtare të pajtohen për vazhdimin e tij.

Por, situata politike në Kosovë dhe paqartësitë të cilat mund të vazhdojnë edhe pas zgjedhjeve të së dielës përmenden si arsye pse takimet e reja në kuadër të dialogut mund të mos zhvillohen deri në verë.

Para përfaqësuesve të vendeve të BE-së, për situatën politike në Kosovë dhe pritjet pas zgjedhjeve, ka raportuar shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomasz Szunyog. Pas tij ka raportuar edhe Lajçaku. Situata e komplikuar politike në Kosovë dhe mundësia që gjërat të mos sqarohen para verës bënë që vazhdimi i dialogut të mos ndodhë deri atëherë. Lajçaku kërkon mandat të ri, ndërkohë që ai më nuk flet për “marrëveshje të shpejtë”, por thotë se “nuk mund të caktojë afate kohore”.

Disa diplomatë evropianë me të cilët ka biseduar KOHA kanë thënë se Szunyog, para ambasadorëve të vendeve anëtare në Komitetin për Politikë dhe Siguri, e ka sqaruar në detaje situatën në Kosovë, përgatitjet për zgjedhje, problemet me listat zgjedhore, por edhe skenarët e mundshëm pas zgjedhjeve.

“Pas asaj që dëgjuam, nga ai e fituam përshtypjen se deri në muajin maj mund të ketë paqartësi. Nëse deri atëherë nuk krijohet qeveria dhe nuk zgjidhet presidenti, mund të ketë edhe zgjedhje të reja”, ka thënë një diplomat. Ai e ka quajtur këtë diskutim si “mjaft interesant” dhe se “shumë përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së kanë qenë kureshtarë të dëgjojnë për zhvillimet në Kosovë”.

Natyrisht, siç ka thënë tutje ky zyrtar, “në mënyrë mjaft të qartë është kritikuar vendimi i Kosovës për ta hapur ambasadën në Jerusalem”. Por, sipas këtij burimi, një gjë e tillë është bërë më shumë për të treguar se BE-ja i respekton rezolutat e OKB-së.

Pas diskutimeve me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Szunyog, i cili është edhe përfaqësues i lartë i BE-së për Kosovën, para ambasadorëve ka folur një përfaqësues i posaçëm tjetër, ai për dialogun, Miroslav Lajçak.

Lajçaku kësaj radhe ka thënë se “nuk mund të përmendë afate kohore për vazhdimin e dialogut për shkak të situatës në Kosovë” dhe se “dialogu do të vazhdojë kur në Kosovë të krijohen institucionet e reja, që do të dalin si rezultat i zgjedhjeve të 14 shkurtit”. Sipas të njëjtave burime, Lajçaku ka thënë se “nuk do të nisë nga zero, por nga aty ku kanë mbetur në procesin e dialogut”, duke u lavdëruar se ai ka arritur “ta rifillojë dialogun”.

Deri vonë, Lajçaku dhe zyrtarët e tjerë të BE-së thoshin se “arritja e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë çështje muajsh e jo vitesh”, por tani kur Lajçakut po i skadon mandati njëvjeçar thonë se “nuk mund të ketë afate kohore, sepse kjo varet nga palët dhe gatishmëria e tyre për t’u treguar qytetarëve se çfarë kompromisesh priten”.

“Sinqerisht, duke marrë parasysh situatën në Kosovë, sidomos faktin se deri në maj mund të mos zgjidhet presidenti i ri, atëherë nuk duket reale që dialogu të vazhdojë para muajit qershor”, ka thënë një diplomat i një vendi anëtar të bllokut evropian. Pos institucioneve do të duhej të formohej edhe ekipi i ri për dialog, mundësisht ekip gjithëpërfshirës.

Lajçaku, në të njëjtin debat, ka folur edhe për pritjet për një bashkëpunim më të mirë me SHBA-në dhe se ai nuk pret ndonjë shantazh nga ana e Washingtonit.

Në BE ende vazhdojnë të mos përgjigjen në pyetjen se a është njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë qëllimi i dialogut, siç është shprehur presidenti amerikan, Joe Biden, në një letër dërguar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë po zhvillohet tash e dhjetë vjet, derisa ende nuk ka as shenja se palët mund të pajtohen për ndonjë marrëveshje finale, edhe pse vitin e shkuar ishte krijuar përshtypja se kjo mund të ndodhë shpejt.

verës së vitit 2020 kur rifilloi dialogu e deri tash, janë zhvilluar vetëm dy takime në nivel të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ashtu si edhe disa takime në nivel të ekspertëve. Kjo ka bërë që në BE, përfshirë Lajçakun, të ndryshohet qasja prej “presim një marrëveshje sa më shpejt” në “nuk mund të kemi afate kohore”.