Arbëri

Kronika Zgjedhore / Osmani: Gjakova do ta mundësojë fitoren e Vetëvendosjes

Në ditën e pestë të fushatës zgjedhore, Gjakova ishte mobilizuar që ta priste Lëvizjen Vetëvendosje.

Nën organizimin e kësaj partie, përveç flamurit kombëtar, nuk u pa asnjë simbol i Kosovës.

Kur kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër dhe kandidatja për presidente arritën në Gjakovë, qytetarët u mblodhën rreth tyre pa frikë dhe përgjegjësi për infektim apo përhapje të koronavirusit.

Ndonëse pati numër të madh të njerëzve, Kurtit nuk i ngjau me tubim.

“Na vjen keq që nuk po mund të organizojmë tubime për shkak të panedemisë COVID-19, por ky ka qenë vetëm një marsh i yni nëpër qytet”, ka thënë Kurti.

Për ta përcjellë defilimin e Kurtit dhe të Osmanit nëpër qytet, gjakovarët kishin shfrytëzuar edhe ballkonet.

Masa e njerëzve në Gjakovë, Vjosa Osmanit ia mbushi syrin se me votat e tyre do të determinohet fitorja e Vetëvendosjes.

“Gjakova e ka vuajtur më së shumti dhe Gjakova ka nevojë dhe e meriton më së shumti ndryshimin. Më 14 shkurt, në qoftë se është një qytet që do të na e mundësojë neve t’i marrim mbi 61 deputetë, ai qytet është Gjakova”, ka thënë kandidatja për presidente, Vjosa Osmani.

As Osmani e as Kurti para gjakovarëve nuk e shpalosën asnjë pjesë të programit të tyre qeverisës për 4 vjetët e ardhshëm, vetëm se ua kërkuan votën e tyre pro Vetëvendosjes më 14 shkurt.

Gjatë ditës, kandidatët e Vetëvendosjes, ndër të tjera, fushatë zhvilluan edhe në Deçan e Junik.