4 perditesime
16:40

Haradinaj falënderon Bidenin për qëndrimin e qartë në dialogun Kosovë – Serbi

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një video ka falënderuar presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, për siç ka thënë ai, qëndrimin e qartë në dialogun Kosovë – Serbi.

Presidenti amerikan Biden i ka dërguar homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiq sot një letër me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë. Në këtë letër Bideni i kërkon Vuçiqit rregullimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe njohjen e saj.

‘’Falënderim presidentit Biden për qëndrimin e qartë në letrën drejtuar presidentit të Serbisë, për domosdoshmërinë e përmbylljes së dialogut me njohje reciproke’’, tha Haradinaj në një video-mesazh në faqen e tij zyrtare në Facebook.

16:06

Osmani e mirëpret qëndrimin e Bidenit për dialogun Kosovë – Serbi: E vetmja rrugë para

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se e mirëpret qëndrimin e presidentit të SHBA-së, Joe Biden për dialogun Kosovë – Serbi.

Biden në një letër dërguar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka kërkuar Vuçiqit përmirësimin e marrëdhënieve dhe njohjen e Kosovës.

“E mirëpres qëndrimin e qartë të Joe Bidenit për dialogun Kosovë – Serbi. Është padyshim e qartë se e vetmja rrugë përpara në dialog është marrëveshja për njohje të ndërsjellë.  Një qasje e munguar që nga fillimi i dialogut – një qasje e nevojshme për përfundimin e tij me sukses”, ka shkruar Osmani në Twitter.

12:48

Haradinaj-Stublla: Pa rolin aktiv të SHBA-së, vështirë të ketë njohje të Kosovës nga Serbia

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka mirëpritur letrën që presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden, i ka dërguar presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, përmes së cilës ka kërkuar njohje reciproke mes të Kosovës dhe Serbisë.

Shefja e diplomacisë kosovare e vlerëson këtë si një arritje në pozicionin e palëkundur të Kosovës për përmbylljen e dialogut final me Serbinë me njohje të pakushte të pavarësisë së Kosovës, duke respektuar parimet e pandryshueshme për karakterin unitar, integritetin territorial dhe rendin kushtetues.

“Si Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kam kërkuar në vazhdimësi rol aktiv e përcaktues të SHBA-ve në dialogun final me Serbinë. Vetëm me përfshirjen e SHBA-ve, me qëndrimin e tyre të palëkundur se duhet të ketë njohje reciproke, mund të arrihet marrëveshja finale e cila do të kontribuonte në paqen dhe stabilitetin e rajonit dhe më gjerë“, ka thënë Ministrja Haradinaj-Stublla.

Sipas saj, pa rolin aktiv dhe përcaktues të SHBA-së si aktor kryesor dhe administratën e presidentit Biden, do të jetë vështirë të paramendohet një marrëveshje e qëndrueshme që garanton njohjen reciproke mes dy shteteve.

 

12:11

Hoti: Kur i ke miqtë e fortë...vera te dera, faleminderit presidenti Biden!

Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka falënderuar presidentin e SHBA-së, Joe Biden për letrën e tij dërguar presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq e në të cilën i kërkon atij njohjen e Kosovës.

“Kur i ke miqtë e fortë ... vera te dera. Ju kam paralajmëruar! Faleminderit Presidenti Biden!”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Presidenti amerikan Biden i ka dërguar presidentit serb Vuçiq sot një letër me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë.

Në këtë letër Bideni i kërkon Vuçiqiti rregullimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe njohjen e saj.

Bideni po ashtu, i premton Vuçiqit se Serbia do ta ketë mbështetjen amerikane për integrimin e saj evropian.

10:51

Hoxhaj përshëndet letrën e Bidenit ku i kërkon Vuçiqit që ta njeh Kosovën

Kryetari i PDK-së, njwherwsh kandidati për kryeministër Enver Hoxhaj, ka falënderuar presidentin e SHBA-së, Joe Biden, për letrën që ia ka dërguar Vuciqit, ku i kërkon që ta njeh pavarësinë e Kosovës.

Përmes Twitterit, Hoxhaj ka thënë se ky është një zhvillim tepër i rëndësishëm pasi Ballkani Perëndimor mund të ecë përpara në rrugën e saj të integrimit Evropian vetëm kur të zgjidhen të gjitha mosmarrëveshjet.

“Faleminderit Joe Biden që edhe një herë keni përsëritur se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje përfundimtare të përqendruar në njohjen reciproke. Ky është një zhvillim tepër i rëndësishëm pasi Ballkani Perëndimor mund të ecë përpara në rrugën e saj të integrimit Evropian vetëm kur të zgjidhen të gjitha mosmarrëveshjet”, ka shkruar Hoxhaj.


Kryetari i NISMA-s Fatmir Limaj ka mirëpritur letrën e presidentit Biden ku kërkon nga njohjen e Kosovës.

"Mirëpres letrën e Presidetit Biden që kërkon nga Vuçiq pranimin e Pavarësisë̈ së Kosovës. Tani është radha jonë. Ne na duhet që të zgjedhim udhëheqës të denjë, që do të luftojnë për interesin tonë nacional në luftën diolomatike që po na pret. Serbia duhet ta njohë Kosovën, por jo me kushtin e heshtjes dhe me mohimin e gjenocidit🇺🇸", thuhet në reagimin e Limajt.

Presidenti amerikan Joe Biden i ka shkruar sot letër presidentit serb Aleksandar Vuçiq me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë ku ndër të tjera i kërkon edhe njohjen e shtetit të Kosovës.