Arbëri

Kronika Zgjedhore/ Limaj: Premtimet për ekonomi janë pallavra, Qeveria po krijohet për dialog

 

Nisma Socialdemokrate ka drejtuar akuza të fuqishme ndaj partive të tjera politike edhe në ditën e katërt të fushatës së saj elektorale. Kandidati për kryeministër i kësaj partie, Fatmir Limaj, ka thënë se të gjitha premtimet për ekonomi janë “pallavra”, pasi Qeveria e re do të ndërtohet vetëm për dialog

Gjilan, 6 shkurt - Nisma Socialdemokrate ka vazhduar ditën e katërt të fushatës zgjedhore në Gjilan me akuza ndaj partive të tjera dhe duke mos shpalosur programin e saj para simpatizantëve. Bartësi i listës së kësaj partie, Fatmir Limaj, është arsyetuar se nuk janë fokusuar në këtë gjë, por në fitimin e besimit të qytetarëve dhe në zotimet që realizohen. Ndërsa programet e partive të tjera ai i ka quajtur vetëm fjalë, duke thënë se Qeveria e ardhshme do të krijohet vetëm për dialog.

“Në këtë situatë që ndodhet vendi ynë është e lehtë me dalë para njerëzve e me dhënë premtime. Jemi këtu për të paralajmëruar, për të thënë atë që shohim, dhe atë që shohim është se Kosova është në udhëkryq të pasigurt e mos e lejoni atë në duar të pasigurta. Do e shihni në dy vitet e ardhshme. Tri qeveri janë gëzuar për dialogun. Krejt çka flasin për ekonomi janë pallavra, edhe Qeveria që do të krijohet për dialog si mundësi për t’i dhënë perspektivë vendit. Ftojmë që zëri i çlirimtarëve të jetë i fuqishëm në Parlament për të mbrojtur vendin”, ka deklaruar Limaj.