Mesazhet e disa prej liderëve në tubimet elektorale se do t’i shikojnë alternativat e tjera nëse Kosova nuk pranohet shpejt në strukturat euroatlantike, po konsiderohen strategji e gabuar. Këtë diskurs e nisi kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, sipas të cilit zgjedhjet e 14 shkurtit janë edhe referendum për hyrjen në NATO ose bashkim me Shqipërinë. Edhe kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, së fundi kritikoi ndërkombëtarët se mosanëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare nuk mund të shkojë deri në pafundësi
Prishtinë, 6 shkurt – Partitë politike e kanë vënë në shërbim të fushatës parazgjedhore edhe kartën e bashkimit me Shqipërinë. Këtë po e bëjnë duke çuar mesazhe kërcënuese në adresë të strukturave euroatlantike nëse nuk e pranojnë shpejt edhe Kosovën. Këtë diskurs e nisi kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, sipas të cilit zgjedhjet e 14 shkurtit janë edhe referendum për hyrjen në NATO ose bashkim me Shqipërinë.
“Po na harxhohet koha e pritjes në pakufi për me u ba anëtar i NATO-s si shtet i pavarur. Në këtë rast Kosovës i mbetet vetëm një rrugë – bashkimi me Shqipërinë. Kjo është diçka e natyrshme që po vjen, edhe aleatët e Kosovës e kuptojnë, sepse iu dhamë kohë 25 vjet. Nëse deri më 2024 nuk jemi në dyer të NATO-s nuk na mbetet tjetër veç me u bashku. Pra, kjo është një opsion real që mund të ndodhë”, ka deklaruar Haradinaj më 26 janar pas një takimi me kategoritë e dala nga lufta në Deçan.
Kushtetuta e Shqipërisë e ka të shprehur në preambulë aspiratën për bashkim kombëtar, por Kushtetuta e Kosovës e ndalon bashkimin me një shtet tjetër.
Edhe kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, së fundi kritikoi ndërkombëtarët se mosanëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare nuk mund të shkojë deri në pafundësi. Megjithatë, Hoxhaj nga një tubim elektoral në Viti ka thënë se duhet angazhim i brendshëm për ta fuqizuar vendin në arenën ndërkombëtare.
“Kosova në vitin 2021 duhet ta shfrytëzojë, që për shkak të zgjedhjes së Joe Bidenit president dhe për shkak të miqve tanë në Evropë, ta përmbyllë shtetndërtimin e saj duke u anëtarësuar në OKB. Duhet ta ringrisim Kosovën përsëri si shtet në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Hoxhaj.
Me shumë ngecje dhe paqartësi është përcjellë aspirata e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kosova ka dështuar në përmbushjen e kritereve që dalin nga marrëdhënia kontraktuale me Bashkimin Evropian. Në dy çerekët e parë të vitit 2020 nuk është punuar fare në jetësimin e planit për ta zbatuar këtë marrëveshje; në çerekun e tretë janë zbatuar vetëm 21 nga 59 masat që ishte planifikuar të ndërmerreshin, kurse asnjë të dhënë nuk ka për çerekun e katërt.
Kosova, po ashtu, mbetet vendi i vetëm në rajon pa liberalizim të vizave. Edhe pse Komisioni dhe Parlamenti Evropian kanë dhënë dritën e gjelbër, çështja ka ngecur tek vendet anëtare të BE-së. Disa prej tyre, përfshirë Francën e Holandën, kanë shprehur shqetësime për mungesën e rezultateve në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit, si dhe rrezikun nga një fluks tjetër i azilkërkuesve.
Njohësi i çështjes së Ballkanit dhe politikave evropiane, Bodo Weber, e quan strategji të gabuar qasjen kërcënuese të liderëve në raport me mekanizmat ku Kosova aspiron të anëtarësohet.
“Kjo është diçka që e kemi parë edhe vitet e kaluara, kur liderët politikë në Kosovë kërcënojnë në drejtim të Bashkimit Evropian me kartën e bashkimit me Shqipërinë. Deklarata të njëjta dhe frustrim ka pasur edhe nga Shqipëria, kemi dëgjuar z. Rama për shkak të mungesës së progresit në hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Këto deklarata janë në kuadër të frymës së fushatës parazgjedhore dhe liderët ndikohen prej saj”, ka theksuar Weber.
Sipas tij, historia ka dëshmuar se deklarimet e tilla kanë prodhuar vetëm kundërefekte.
çka është shqetësuese në terme afatgjate, prej viteve ‘90 është se këto deklarata nacionalizmi serb i ka përdor duke alarmuar për të ashtuquajturin rrezik nga Shqipëria e Madhe dhe kjo ka prodhuar kundërefekt në raport me Bashkimin Evropian. Prandaj me gjithë frustrimin ndaj Bashkimit Evropian dhe mungesën e përparimit në liberalizmin e vizave, kjo qasje e politikanëve mund të jetë kundërprodukitve”, ka potencuar Weber, i cili është analist politik në Këshillin për Demokratizim, me seli në Berlin dhe Bruksel. Por ai thotë se beson se këto deklarata do të mbeten vetëm në kontekst të etheve të fushatës, e cila merr fund javën e ardhshme.
Veprime që mund të nxisin reagim të ndërkombëtarëve kanë paralajmëruar edhe subjektet e tjera gjatë fushatës.
Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se do ta rishqyrtojnë vendimin e Qeverisë përkitazi me hapjen e Ambasadës në Jerusalem, nëse këtë e kërkon Bashkimi Evropian.
Javën e kaluar u zyrtarizuan marrëdhëniet diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit. Përmes një ceremonie virtuale, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, dhe ministri i Punëve të Jashtme i Izraelit, Gabriel Ashkenazi, kanë nënshkruar dokumentin ku thuhet se të dyja shtetet vendosin marrëdhënie diplomatike për të rritur bashkëpunimin në sferën politike, ekonomike, të tregtisë, teknike e kulturore dhe në sfera të tjera. Në ceremoni ka marrë pjesë edhe i dërguari i SHBA-së për Ballkanin, Matthew Palmer. Njohja nga Izraeli dhe vendosja e Ambasadës në Jerusalem ishin pjesë e marrëveshjes së zotimeve, e cila u nënshkrua më 4 shtator të vitit të kaluar në Washington. Por zyrtarë të BE-së kanë thënë se ky akt i Prishtinës zyrtare është në mospërputhje me synimin e shprehur për integrim në BE.
Rezoluta 478 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së u bënë thirrje të gjithë anëtarëve që t’i zhvendosin ambasadat e tyre në Tel-Aviv. Në respektim të kësaj, të gjitha ambasadat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe delegacioni i BE-së në Izrael, janë të vendosura në Tel-Aviv.