Arbëri

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve kërkon të dënohen subjektet politike që po shkelin masat anti-COVID

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë konsideron se organizimi i tubimeve zgjedhore në kundërshtim me masat e rekomanduara nga IKSHPK-ja paraqet rrezik serioz për shëndetin publik dhe atë të ekonomisë.

“Në vend se partitë politike objektivë kryesore ta kenë shëndetin publik dhe mirëqenien e qytetarëve, ato po veprojnë në kundërshtim me këtë objektivë. Të kërkohet votë duke rrezikuar shëndetin publik të qytetarëve në emër të vaksinimit apo të rregullimit të sistemit shëndetësor është hipokrizi. Të kërkohet votë, në emër të sundimit të ligjit duke vepruar në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, është hipokrizi. Të premtohet zhvillim ekonomik me veprime që rrezikojnë mbylljen e bizneseve për shkak të përhapjes së pandemisë po ashtu është hipokrizi”, thuhet në reagimin e kësaj shoqate.

PRAK-u thotë se dëshiron të vë në dukje se këto veprime janë të pa moralshme dhe të rrezikshme.

“Kushdo që gjatë kohës së epidemisë ose të ndonjë sëmundjeje ngjitëse nuk vepron sipas urdhrave apo vendimeve tjera të nxjerra në bazë të dispozitave të organit kompetent, i cili cakton masat që kanë për qëllim luftimin apo parandalimin e tyre, dënohet me burgim deri në dy (2) vjet”, thuhet më tutje në reagim.

PRAK-u ka bërë thirrje partive politike që t’i shmangin këto aktivitete ndërkaq nga qytetarët ka kërkuar që të mos mblidhen në tubimet partiake në kundërshtim me rekomandimet e IKSHPK-së.