5 perditesime

Ish- zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, ka thënë se me arrestimin e policëve për dyshimet për keqtrajtim të qytetarëve po tregohet se sundimi i ligjit është në rrugë të drejtë.

23:58

LDK-ja thotë se po i kompenson largimet e atyre që shkuan me Osmanin

Kandidati i LDK-së për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit Anton Quni ka thënë se LDK-ja po mundohet t’i kompensojë të larguarit nga kjo parti, e të cilët iu bashkuan Vjosa Osmanit që tani është pjesë e listës së Vetëvendosjes.

Këtë deklaratë Quni e bëri në Interaktiv të KTV-së derisa po fliste për largimin e katër anëtarëve të Kryesisë dhe anëtareve të nëndegëve në Prizren.

“Nuk mund t’i mbyllim sytë dhe ne duhet të gjejmë forma dhe mënyra që të kompensohen. Rezultati i zgjedhjeve e tregon më saktë. Nga kryesia e degës së LDK-së në Prizren janë identifikuar katër personalitete që kanë qenë anëtarë të Kryesisë apo kryetarë të nëndegëve dhe pas bisedës me ta janë deklaruar se ata do t’i qëndrojnë prapa asaj që nuk ishte e definuar nëse është listë e veçantë apo janë me Vetëvendosjen dhe i kemi liruar nga përgjegjësitë. Natyrisht se kjo mund të reflektoj në zgjedhjet e 14 shkurtit por ne nuk jemi të pafuqishëm kundrejt ngjarjeve. Natyrisht se mundohemi me kompensu duke shpjeguar se çka ka ndodhur”, ka thënë Quni.

Sipas tij, LDK-ja po forcohet me prurje të reja dhe se vetëm kohëve të fundit 70 djem dhe vajza të reja janë anëtarësuar në këtë parti.

23:56

Quni: Anëtarësimi në NATO bëhet kur të definohen raportet mes Kosovës dhe Serbisë

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni, ka thënë se nuk duhet të hiqet dorë nga tentimi për anëtarësim në NATO.

Ai tha se Kosova ka mundësi përmes programeve të ndryshme ku mund të ndërtojë partneritet dhe të lobojë për anëtarësimin.

Quni tha se një anëtarësim i plotë në NATO mund të pritet “në momentet kur definohen raportet mes Kosovës dhe Serbisë” dhe që asnjë anëtar i NATO-s të mos ketë hezitim për Kosovën.

“Disa anëtarë të NATO-s nuk e njohin shtetin e Kosovës dhe ekzistojnë qëndrime të ndryshme lidhur me forcat e Kosovës. Autoritetet ushtarake të SHBA-së kanë krijuar aq besim të madh tek FSK-ja që na ka bërë edhe ftesa nga komanda qendrore që kur garda nacionale e Ioëas të marrë përsipër një mision, ne të jemi pjesë e misionit paqësor. Ne i krijojmë të gjitha parakushtet që kur kjo temë të diskutohet, ne t’i kemi detyrat e kryera”, ka thënë ai.

23:32

Quni: Fondet për tranzicion të FSK-së u bartën për menaxhim të pandemisë me COVID-19

Kandidati për deputet i LDK-së, Anton Quni duke folur për tranzicionin e FSK-së në Interaktiv të KTV-së tha se fondet që ishin të ndara për këtë proces të rëndësishëm janë bartur për menaxhim të pandemisë me COVID-19.

Sipas tij, kjo ka ndikuar në shtyrjen e procesit të tranzicionit i cili llogaritet që mund të zgjasë më së shumti deri në vitin 2026.

“Është dashur të pajtohemi me shkurtimin e buxhetit dhe jemi pajtuar me atë që është prioritet jeta dhe shëndeti publik. Kryesisht fondet që ishin të dedikuara për zhvillimin e planit të tranzicionit u dedikuan për menaxhimin e COVID-19. Sidomos nga ushtarakët hartohet një projekt gjithmonë parashihet edhe një kohë rezervë. Ne kemi arritur që fazën e parë ta realizojmë një vit më herët. Kjo është inkurajuese për ne. Nëse vazhdojmë me këtë dinamikë, besoj që ka mundësi reale që edhe në vitin 2026 të përfundoj plani gjithëpërfshirës i tranzicionit”, tha ai.

Quni ka shtuar se edhe kur është hartuar plani i tranzicionit nga ekspertë të brendshëm, është paraparë që gjatë kësaj periudhe mund të ndodh ndonjë dukuri që mund ta ngadalësoj procesin.

23:31

Hoxha: LDK-ja s’bën ndërhyrje në IPK

Ish-zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, njëherësh kandidat i LDK-së për deputet, ka thënë se sa ishte pjesë e Inspektoratit Policor të Kosovës, nuk kishte lejuar ndërhyrje politike në këtë institucion.

Sipas tij, LDK-ja s’bën ndërhyrje në institucione të pavarura, ndërsa parti të tjera po.

“Natyrisht që politika nëse përzihet në institucione të pavarura prish punë dhe është e dëmshme, por që LDK-ja kur ka qenë në qeveri, siç është edhe tani, gjithmonë kujdeset t’u japë hapësirë të nevojshme gjithë mekanizmave të sundimit të ligjit. Edhe pse është në kuadër të MPB-së dhe përgjegjësia institucionale i shkon ministrit, e ka të garantuar pavarësinë institucionale. Prandaj s’besoj që ka probleme e as s’ka përpjekje për ndërhyrje. Sa isha pjesë e IPK-së, kam qenë një prej viktimave, por ka qenë një parti tjetër në qeverisje”, ka thënë ai.

“Varet edhe prej integritetit edhe të punonjësve. Nëse pranon, politika mund të ndërhyjë. Unë kam zgjedh integritetin tim dhe jam larguar më 2011 nga IPK-ja për shkak të qasjes provuese të ndikimit në IPK nga një forcë tjetër politike që menaxhonte në atë kohë MPB-në. Prandaj kam pas rast të kem besimin e kryeministrit Mustafa që të emërohem zëvendësministër i MPB-së. Kam qenë përgjegjës për mbikëqyrjen e IPK-së. E kam përkthyer në punë dhe angazhim”, ka thënë ai.

Për kthimin në LDK pas largimit nga IPK-ja, Hoxha ka thënë se i është kthyer “dashurisë së vjetër”.


Hoxha flet për kthimin në detyrë të policëve që janë nën hetime

Valdet Hoxha, kandidat i LDK-së për deputet, ka thënë se kthimi i zyrtarëve policorë në vendin e punës pas suspendimit për një vepër që kryejnë, është e vendosur me ligj.

Ai në Interaktiv të KTV-së tha se megjithëse është diskutuar se si duhet të trajtohen zyrtarët e tillë, një vendim konkret nuk është bërë i qartë asnjëherë.

“Duhet të kthehet në punë sepse është e garantuar me ligj. Derisa nuk ka vendim të formës së prerë të gjykatës, ai llogaritet si i pafajshëm dhe e kundërta do përbënte shkelje të ligjit dhe të drejtave të njeriut, prandaj normat kushtetuese kanë supremaci ndaj ligjeve bazike dhe i mbrojnë të drejtat e njeriut. Është diskutuar shumë, por nuk ka një konkluzion të qartë si të veprohet me rastet e tilla”, tha ai.

Kthimin nga suspendimi pas gjashtë-muajsh, sa ai zgjatë, Hoxha e sheh problematikë. Ideale, sipas tij, do të ishte që zyrtari policor me aktakuzë të mos jetë më pjesë e kuadrove të Policisë së Kosovës.

“Natyrisht se po vazhdon të jetë problem dhe duhet të gjendej një zgjidhje. Ideale do të ishte që asnjë punonjës i policisë me aktakuzë të mos ishte në detyrë, por për një punonjës të policisë shtetit i kushton me mijëra që ta fusë fillimisht në sistem dhe pastaj për ta përgatitur për specifika të veçanta, kryesisht në hetime”, tha ai.

Rastet jo shumë të rralla të zyrtarëve policorë të suspenduar në Kosovë, bëjnë që të humbet besueshmëria tek policët, tha Hoxha.

“Gjithmonë, në parim nëse një polic ka aktakuzë është në dëm të besimit të PK-së”, tha ai.

23:11

Quni: Shërbimi i obligueshëm ushtarak ende në programin e LDK-së

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, njëherësh kandidati i LDK-së për deputet, Anton Quni ka thënë në Interaktiv të KTV-së se shërbimi i obligueshëm ushtarak mbetet ende në programin qeverisës të LDK-së.

Quni tha se tashmë edhe në Qeverinë në detyrë Hoti ekziston grupi punues brenda Ministrisë së Mbrojtjes në të cilët janë të përfshirë personalitete që janë ekspertë në këtë fushë.

“Është edhe zotimi jonë që FSK-ja të jetë profesionale, apolitike dhe multietnike. Po ashtu do të punohet edhe marrja në konsideratë e shërbimit të obliguar ushtarak. Mbetet ende në programin e LDK-së. Edhe gjatë Qeverisë Hoti është ngritur një grup punues brenda Ministrisë me personalitete që kanë ekspertizë në këtë fushë dhe janë duke e shikuar së pari aspektin ligjor”, tha Quni.

Ai foli edhe për planin gjithëpërfshirës të tranzicionit të FSK-së përmes së cilit, siç tha, ndryshon mandati i FSK-së me dinamikën për zhvillim të kuadrove, për aplikimin e teknologjisë ushtarake dhe arritjen e përvetësimit të taktikave të ndryshme.

23:05

Arrestimet e policëve për keqtrajtim të qytetarëve, Hoxha: Sundimi i ligjit në rrugë të drejtë

Ish- zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, ka thënë se me arrestimin e policëve për dyshimet për keqtrajtim të qytetarëve po tregohet se sundimi i ligjit është në rrugë të drejtë.

Në Interaktiv të KTV-së, kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputet, e ka cilësuar Policinë si ndër mekanizmat më të suksesshëm në vend, ndërsa ka thënë se “ndodh që dikush nga më shumë se 9000 pjesëtarët e Policisë të tejkalojë përdorimin e forcës”.

“Jemi të informuar për arrestimin dhe suspendimin e disa zyrtarëve policorë. Kjo tregon që sundimi i ligjit është në rrugë të drejtë Inspektorati Policor i Kosovës është ndër mekanizmat më të mirë në rajon”, ka thënë ai.