Arbëri

Kronika Zgjedhore/ Hoti premton heqjen e vizave e përfundimin e dialogut brenda 2021-s

 

Në ditën e dytë të fushatës zgjedhore, kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti, vizitoi pesë komuna në veri-perëndim të Kosovës. Në rajonin e Dukagjinit, Hoti u zotua se do t’i mbështesë ekonominë dhe turizmin. Derisa tha se gjatë këtij viti kosovarëve do t’u hiqen vizat dhe u shpreh i bindur që sivjet përmbyllet dialogu me Serbinë

Pejë/Istog, 4 shkurt - Qindra simpatizantë të LDK-së, pa maska e pa respektim të distancës, i dhuruan Avdullah Hotit, një tortë për ditëlindjen e tij të 45-të, me urimin që të bëhet kryeministër, gjatë aktivitetit të tij parazgjedhor në Pejë. E kandidati për kryeministër nga radhët e LDK-së premtoi heqjen e vizave e edhe përmbylljen e procesit të dialogut me Serbinë brenda këtij viti.

“Ne do ta përmbyllim vitin 2021, e them me besim të plotë, me liberalizim të vizave sepse neve na besojnë qeveritë e shumicës së vendeve të Bashkimit Evropian që udhëhiqen prej partive që janë familje politike e LDK-së, Partive Popullore Evropiane. Ne do ta përmbyllim dialogun me Serbinë pa e cenuar integritetin territorial të vendit, pa e prekur karakterin unitar të shtetit të Kosovës”, ka deklaruar Hoti, në takimin me mbështetës të tij, në ditën e dytë të fushatë zgjedhore.