Arbëri

Diasporës i kushton shtrenjtë votimi, 5 milionë euro për të dërguar mbi 102 mijë fletëvotime

Nga 50 euro e deri në 150 dollarë është duke u kushtuar qytetarëve që jetojnë jashtë Kosovës, dërgimi me postë i votave.

Pasi që KQZ-ja ka aprovuar 102 mijë e 100 aplikacione, e nëse për dërgimin e një fletëvotimi paguhet së paku 50 euro, atëherë shuma e shpenzuar nga diaspora për të ushtruar të drejtën e tyre arrin në 5 milionë euro.

E gjithë kjo shkaku i afatit të kufizuar prej 10 ditësh për dërgimin e tyre, gjë e cila është duke i detyruar votuesit nga jashtë të paguajnë me dhjetëra euro më shumë.

Besnik Pula, i cili për dërgimin e një fletëvotimi nga Amerika ka paguar 150 dollarë, thotë se shpenzimet për të votuar e procedurat e shumta janë pengesë për ta ushtruar të drejtën e tyre.

“Është krijuar një situatë ku shkaku i pengesave administrative kemi qindra e mijëra qytetarë jashtë Kosovës që nuk mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, e kjo është e papranueshme”, ka thënë Pula.

52 franga, apo rreth 40 franga më shumë, ka paguar edhe Egzon Osmani nga Zvicra. Osmani thotë se është detyruar ta dërgojë fletëvotimin me postë të shpejtë, shkaku i afatit shumë të shkurtër të caktuar nga KQZ-ja.

“Rreziku është 50 me 50 ose pranohet vota dhe shkon me 12 që është e premte, ose asgjë edhe në postë nuk të jep siguri, nuk mundet me të jep siguri”, është shprehur Osmani.

Për të lehtësuar procesin e votimit e uljen e shpenzimeve për votuesit jashtë Kosovës, sipas Albert Krasniqit, zgjidhja më e mirë do të ishte regjistrimi i tyre në mënyrë elektronike si dhe dërgimi i fletëvotimeve në ambasada, e pastaj ato të përcjellën për numërim në KQZ.

“Këto ambasada mund të autorizohen që të mbledhin këto fletëvotime, që do të kishte një kosto shumë më të ulët për bashkatdhetarët që jetojnë atje për të bërë transferim me postë brenda vendit dhe ato përmes qasjes diplomatike të vijnë në Kosovë e pastaj të numërohen në KQZ”, ka thënë Krasniqi.

Sipas Komisionit Qendror Zgjedhor, më së shumti aplikues për zgjedhjet e 14 shkurtit ka nga Gjermania e Zvicra.

“Aplikacionet vijnë nga 67 shtete të ndryshme nga të gjitha kontinentet. Numri më i madh i tyre është nga shtetet e Evropës, në këtë rast vetëm nga Gjermania kemi 43 mijë e 49, e Zvicra 26 mijë e 686”, ka deklaruar Elezi.

Afati prej 10 ditësh për dërgimin e fletëvotimeve ka filluar të rrjedhë më 2 shkurt. Në mënyrë që fletëvotimet e tyre të konsiderohen të vlefshme, ato duhet të arrijnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve një ditë para 14 shkurtit, datës së zgjedhjeve.